Lajme

Ndërrimi i barit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk do të nisë deri në pranverë

Autori: Gazeta inFokus 13:02 | 24 December 2023

Renovimi dhe ndërrimi i barit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” nuk do të nisë deri në pranverën e viti 2024.

Kështu ka bërë të ditur zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani.

Në fund të muajit nëntor, Federata e Futbollit të Kosovës doli me njoftim që ky stadium do të mbyllet për të gjitha aktivitete sportive pasi është dëmtuar në masë të madhe bari i saj për shkak të numrit të madh të ndeshjeve ndërkombëtare të zhvilluara në të.

-Advertisement-

FFK gjithashtu bëri të ditur se është arritur një marrëveshje me MKRS-në për ndërrimin e barit në këtë stadium, marrëveshje të cilën e ka konfirmuar tashmë edhe Osmani.

Sipas saj, komunikimi ndërmjet MKRS-së dhe FFK-së për këtë çështje ka qenë që nga muajt e verës, por kalendari i ngjeshur i ndeshjeve nuk lejonte hapësirë për ndërhyrje të tilla.

“Ne kemi qenë në komunikim me Federatën e Futbollit për sa i përket stadiumit ‘Fadil Vokrri’ që nga muajt maj dhe qershor kur ishin ndeshjet e më hershme që kishin probleme pikërisht për shkak të shiut të madh. Mirëpo, duke marrë parasysh agjendën shumë të ngarkuar të garave dhe ndeshjeve ndërkombëtare që janë zhvilluar në Kosovë, ishte e pamundur të bëhej intervenimi i ndërrimit të barit të fushës për shkak se si procedurë në bazë të ekspertëve të UEFA-së më të cilët konsultohet FFK-ja, minimumi do të duhen 60 ditë që të bëhet ndërrimi barit aktual në barë të ri. Periudha kur filluan ndeshjet, përsëri ishte koha shumë e ftohët, nuk është një intervenim që kryhet brenda javës sepse po të ishte, padyshim se do ta ndërmerrnim. Andaj, jemi dakorduar që në përfundim të vitit të agjendës së garave sportive, të kalendarit sportiv të Federatës së Futbollit, të nis vlerësimi i gjendjes ekzistuese si dhe hartimi i projektit për ndryshim të barit, gjë të cilën kjo është marrëveshja që e kemi arritur. Tani duhet ta ndjekim pak a shumë edhe motin edhe kohën, e dimë që bari nuk mund të rritet në stinën e dimrit, mirëpo po synojmë që në periudhën e marsit, në një afat 60 ditor të përmirësohet dhe të rregullohet edhe stadiumit “Fadil Vokrri”, tha Osmani për Kosovapress.

Ajo shtoi se një grup ekspertësh po vazhdon të bëjë një analizë të thellë për të kuptuar nëse stadiumi “Fadil Vokrri” mund të rinovohet e zgjerohet, por që rezultate e para nga kjo analizë bëjnë të ditur se ky intervenim nuk do të mund të bëhet për shkak të vjetërsisë së strukturës së stadiumit.

Ndryshe, stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që posedon licencë të UEFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare dhe kjo ka bërë që ai të stërngarkohet dhe të mos e përballojë një kalendar të tillë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera