Lajme

Kojufca tregon çfarë garancie mori nga Departamenti Shtetit në SHBA, për marrëveshjen e Ohrit

Autori: Gazeta inFokus 18:38 | 03 November 2023

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka ndërhyrë sot në diskutimet në Kuvendin e Kosovës, ku është përfolur për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe e që nga opozita ka pasur edhe kritika e akuza se do t’i jepet eksterritorialite.

Ai ka thënë se gjatë qëndrimit në SHBA në muajin prill, ka vizituar Departamentin e Shtetit pikërisht për këtë çështje dhe thotë se ka marrë garancën amerikane që Washingtoni nuk sheh asgjë më shumë sesa plani i Ahtisarit.

“Veç po silleni po deshta diçka. Kjo vetëm nëse e keni me qëllim të keq me ngarku Kosovën me diçka që s’është. Sepse në prill kur isha në Amerikë, për këtë çështje shkova në DASH, për të marrë sqarime për këtë temën që ju po e interpretoni si eksterritorialitet të Kishave. Pytja jem ka qenë e drejtpërdrejt. Dhe e kam marrë garancinë nga DASH që ata s’e kuptojnë këtë çështje asgjë përtej Planit të Ahtisarit. A po kuptoni.. Kur po iu dëgjoj juve me këto eksterritorialitete, me diçka që s’është e vërtetë, kjo është vetëm nëse po doni vet me e bo kur të vini në pushtet. Përndryshe iu kisha lutë me e marrë këtë garanci. Për këtë çështje kam shkuar atje i kam pyetur. Ata thanë krejt çka kuptojmë ne, në kuptim të statusit të kishës, nuk kuptojmë asgjë më shumë se zonat e mbrojtura që i keni pranuar me Ahtisarin. E cka është formalizmi i statusit, që qaj projektligji që o tu prit , që s’po munet me u bo pa Listën Serbe, është që s’ka status të formalizuar Kisha Ortodokse Serbe. Ju lutem për gjithçka që doni mi ngarku Kosovës më shumë se kjo që po them unë. Ju kisha lutë, për gjithcka që mendoni se ka ma shumë, konsultoheni me qata që jam konsultu unë”, ka thënë Konjufca në Kuvend.

-Advertisement-

Kujtojmë, që Kryetari I kuvendit ne muajin prill ishte në vizitë zyrtare në SHBA.

Ky ishte njoftimi I plotë për vizitën në SHBA, nga kryetari I Kuvendit:

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington DC, Ilir Dugolli dhe Shefi i Stafit, Ilir Kërçeli, takoi sot Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e Ohrit, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari Glauk Konjufca ritheksoi qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kreu i Kuvendit të Kosovës dhe Ndihmës Sekretari amerikan theksuan rëndësinë e vazhdimit të punës për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ditës së sotme, kryetari Glauk Konjufca pritet të takohet edhe me kongresistin Ritchie Torres dhe ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi./

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera