Lajme

Presidentja Osmani takon Sveçlën dhe drejtorin e Policisë, bisedojnë për situatën e sigurisë në vend

Autori: Gazeta inFokus 18:30 | 30 September 2023

Pas Ministrit të Mbrojtjes dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka takuar edhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

Siç bëhet e ditur në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq te Policisë së Kosovës. Ajo edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit.

-Advertisement-

Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës përballë veprimeve destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Serbia kishte dislokuar trupat ushtarake në Vranjë, afër kufirit me Kosovën, pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën, ku mbeten të vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë.

Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Serbisë t’i tërheqë trupat nga kufiri, duke e quajtur zhvendosjen e tyre “zhvillim shumë destabilizues”.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur edhe sot se ShBA-ja është e shqetësuar me dërgimin e trupave nga ana e Serbisë në kufirin me Kosovën.

Këtë kërkesë sot e bëri edhe Bashkimi Evropian.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera