“Loja” me tekstet shkollore
Autori: Gazeta inFokus 10:48 | 23 August 2023
Sërish polemika para fillimit të vitit të ri shkollor – këtë herë për librat.
Paralajmërimi i Ministrisë së Arsimit të Kosovës se tekstet shkollore duhet të blihen nga prindërit e nxënësve me rimbursim, ka shkaktuar kritika, thirrje për dorëheqje dhe frikë për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
Me propozimin për ndryshimin e kësaj praktike ka dalë të hënën ministrja Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se institucioni që drejton, ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
Për rrjedhojë, ka thënë Nagavci, Ministria do t’u deponojë prindërve të nxënësve mjete në llogari, në mënyrë që ata t’i blejnë vetë librat.
Ministria nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si mendon ta zbatojë këtë plan në kohën kur kanë mbetur edhe tetë ditë nga nisja e vitit shkollor.
Por, në një deklarim për transmetuesin publik të Kosovës, më 22 gusht, Nagavci ka thënë se vendimi përfundimtar për librat do të publikohet brenda dy ditësh.
“Nuk kemi kursyer para për libra”
Për kryetarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Besnik Dragusha, situata e krijuar është një “kaos”.
Sipas tij, prindërit kanë filluar tashmë të shprehin ankesa e shqetësime, pasi kjo “e vështirëson situatën e tyre financiare”.
Kimete Shahini, nënë e dy fëmijëve – vajzës në klasë të katërt dhe djalit në klasë të gjashtë – thotë se nuk e ka të qartë mënyrën se si do të mund t’i sigurojë tekstet shkollore për ta.
E bindur se ato do t’i ofrojnë shkollat, sikurse deri tani, Kimetja thotë se as që ka menduar të kursejë para për to.
“Unë kam blerë rroba, fletore, lapsa, ngjyra për fëmijët… Tash ky vendim [v.j. propozim] është i çuditshëm… një javë para se të fillojë mësimi. Për këtë, Ministria është dashur të njoftojë më herët, në mënyrë që të kursejmë para për libra”, thotë Kimetja, e cila bashkë me familjen e saj jeton në komunën e Podujevës, rreth 30 kilometra larg Prishtinës.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Kimetja thotë se nuk beson se autoritetet do ta rimbursojnë shumën e nevojshme për blerjen e teksteve shkollore.
Ajo shton se, këtë muaj, nuk ka as mundësi financiare që t’i blejë ato, pasi familja varet vetëm nga rroga e bashkëshortit, i cili punon në sektorin privat.
Sa kushtojnë librat?
Radio Evropa e Lirë ka pyetur në disa librari në Prishtinë se sa janë çmimet e teksteve shkollare.
Për nxënësit e klasës së parë deri në të pestën, ato arrijnë deri në 60 euro, ndërsa për ata në klasën e gjashtë deri në të nëntën, çmimi shkon deri në 80 euro.
Si do të bëhet rimbursimi?
Prindërve do t‘iu duhet të aplikojnë në platformën online të Qeverisë, E-Kosova, për sigurimin e të hollave për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Në një postim në Facebook, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, ka thënë se procesi i aplikimit do të zgjasë “më pak se 10 minuta”.
“Mjetet nuk mund të ndalen as nga përmbaruesit dhe as nga bankat, sepse kjo tashmë është rregulluar me ligj”, ka thënë mes tjerash Kelmendi.
Një shtatori pa libra?
Nehat Mustafa, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit në Kosovë, thotë se 1 shtatori do t’i gjejë nxënësit pa libra.
Sipas tij, kjo është një lojë që i atakon prindërit, pasi ata janë të papërgatitur dhe koha e sigurimit të librave është shumë e shkurtër.
“Nëse ky vendim hyn në fuqi, nxënësit nuk do t’i kenë librat në bankat e tyre më 1 shtator. Pastaj, [do të krijohet edhe] një segregacion brenda klasës – midis nxënëseve që u takojnë familjeve që kanë mundësi t’i sigurojnë tekstet dhe atyre që nuk kanë mundësi të kenë tekste shkollore”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Ministria e Arsimit duhet t’i sigurojë urgjentisht librat, sikurse deri më tash.
Kritika Ministrisë
Pas pretendimeve të ministres Nagavci se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për libra, ka reaguar Shtëpia Botuese Dukagjini.
Në një postim në Facebook, ajo ka thënë se oferta që ka bërë në Ministri ka qenë për rreth 4% më e lirë krahasuar me vitin 2022.
Disa parti opozitare në Kosovë kanë kërkuar të martën dorëheqjen e ministres Nagavci, duke thënë se propozimi i saj për librat përbën paaftësi në menaxhimin e sistemit arsimor.
“Kjo qeveri, me këtë vendim, [v.j. propozim] i ka ikur përgjegjësisë, duke i ngarkuar prindërit dhe duke shkelur ligjin në fuqi”, ka thënë Jehona Lushaku, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në një konferencë për media më 22 gusht.
Çka thotë ligji?
Sipas Ligjit për arsimin parauniversitar në Kosovë, shkollimi fillor është i detyrueshëm dhe ofrohet falas.
Po sipas këtij ligji, edhe tekstet shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpërndahen falas.
Me Ligjin për botimin e teksteve shkollore, Drejtoritë Komunale të Arsimit raportojnë për çdo vit në Ministrinë e Arsimit për numrin e nxënësve që duhet të pajisen me tekste shkollore.
Më pas, Ministria shpall konkurs publik për botimin e teksteve shkollore.
Botuesi e nxjerr në shitje tekstin shkollor së paku njё muaj para fillimit të vitit shkollor dhe shtyp aq kopje sa duhen për t’i plotësuar kërkesat.
Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën, në vitin shkollor 2022/2023, ka qenë rreth 213 mijë.
Në atë vit shkollor, procesi mësimor ka nisur me një muaj vonesë, për shkak të një greve të mësimdhënësve për paga.
Një grevë e mësimdhënësve ka shtyrë nisjen e vitit të ri shkollor edhe në vitin 2019, ndërsa më 2020 dhe 2021, mësimi ka kaluar online në periudha të ndryshme kohore, për shkak të pandemisë COVID-19.
Për cilësinë e arsimit në Kosovë kanë shkruar disa institucione ndërkombëtare. Në një raport të publikuar në vitin 2020, Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.
Të tjera
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...
-
Nuredin Lushtaku, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se koalicionit i është bashkuar l...
-
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada dhe...
-
“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të lirohen nga paraburgimi pas disa muajve”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Seli...
-
Haziri takim me qytetarët: Gjilani e Anamorava janë kryengritë për ndyshim, LDK, besë dhe shpresë për Kosovën
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...
-
KFOR-i thotë se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmua...
-
Përurohet QKMF-ja në Mamushë, Kurti: Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore
Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në M...
-
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova
Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për azil Sitora Atomamado...
-
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri nga ta lëndohet nga mjeti i mprehtë
Një përleshja ka ndodhur sot në sheshin ‘Adem Jashari” në Skenderaj, ku d...