Ish Presidenti Trump kritika të ashpra ndaj prokurorit të posaçëm Smith
Autori: Gazeta inFokus 19:41 | 09 August 2023
Gjykatësja federale në çështjen e fundit penale kundër ish Presidentit Donald Trump, ka caktuar të premten një seancë dëgjimore, ku do të shqyrtohet kërkesa e prokurorëve, që ish presidenti dhe avokatët e tij të mos zbulojnë publikisht provat e këtij rasti.
Ish Presidenti tha se do të vazhdojë të flasë hapur për çështjet penale kundër tij, gjatë një tubimi me mbështetësit e tij në Nju Hempshër të martën.
Zoti Trump ofendoi prokurorin e posaçëm Jack Smith dhe përsëriti pretendimin e tij se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të manipuluara.
Gjykatësja Tanya Chutkan ka urdhëruar avokatët e Donald Trumpit dhe prokurorët federalë që të paraqiten në gjykatë të premten, për një seancë dëgjimore lidhur me rregullat se si mund të përdoren dhe ndahen provat që kanë prokurorët për aktpadinë e fundit kundër ish presidentit, që përmban akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe nxitje të protestave të dhunshme në Kapitol më 6 janar 2021.
Prokurorët kërkuan nga gjykatësja Chutkan që të nxjerrë një urdhër, që provat konfidenciale të mos bëhen publike nga zoti Trump, duke sugjeruar se ai mund të përdorte të dhënat e rastit për të frikësuar dëshmitarët.
Avokatët e zotit Trump thonë se një urdhër i tillë është shumë i gjerë dhe do të kufizonte të drejtën e fjalës së lirë të ish presidentit, e garantuar nga Amendamentit të Parë i Kushtetutës.
“Do të flasë për këtë çështje. Nuk do të ma marrin të drejtën e Amendamentit të Parë”, tha zoti Trump gjatë një fjalimi para mbështetësve të tij në Nju Hempshër.
Ish Presidenti Trump ofendoi prokurorin e posaçëm Jack Smith, të cilin e quajti “prokuror bandit dhe “njeri i çmendur”.
Në aktpadinë me katër pika, Departamenti i Drejtësisë akuzon ish Presidentin se u përpoq të bllokonte transferimin paqësor të pushtetit.
Sipas prokurorisë, zotit Trump i ishte thënë disa herë nga burime të besueshme se pretendimet e tij për manipulime në zgjedhje ishin të rreme, por ai vazhdoi përhapjen e tyre, për të mbjellë mosbesim ndaj zgjedhjeve.
Ish presidenti tha në gjykatë se është i pafajshëm, ndërsa të martën përsëriti gënjeshtrat e tij për manipulim të zgjedhjeve.
“Për asnjë sekondë të ditës nuk kam dyshuar nëse zgjedhjet ishin të manipuluara. Ishin të manipuluara, ishin zgjedhje të neveritshme dhe të vjedhura. Ky vend duhet të turpërohet”, tha zoti Trump.
Ish Presidenti i ka quajtur hetimet si të motivuara politikisht dhe tha se Departamenti i Drejtësisë po e detyron të shpenzojë kohë dhe para larg fushatës zgjedhore, për t’u përballur, siç u shpreh ai, me akuzat e sajuara.
“Kjo është ajo që po bëjnë. Më falni, nuk do të mund të shkoj në Ajova sot. Nuk do të vij në Nju Hempshër, sepse jam i ulur në një sallë gjyqi për budallallëqe, sepse prokurori i përgjithshëm më akuzoi për diçka”, tha zoti Trump.
Kjo është aktpadia e tretë penale kundër ish-Presidentit në më shumë se katër muaj, dy aktpadi janë nga autoritetet federale dhe tjetra nga shteti i Nju Jorkut. Në total, të tre aktpaditë përmbajnë 78 akuza penale ndaj ish-presidentit.
Një padi e katërt pritet të ngrihet në fund të këtij muaji në Xhorxhia, ku një prokurore lokale, ka hetuar zotin Trump dhe aleatët e tij, për ndërhyrje në zgjedhjet e këtij shteti.
Sipas një përllogarie të bërë nga portali ‘Politico’, nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat e ngritura deri tani dhe i jepet dënimi maksimal, zoti Trump mund të përballet me deri 641 vite burg.
Megjithatë, gjyqet nuk janë zhvilluar ende dhe ekspertët ligjorë thonë se ish-presidenti mund të shmangë dënimin me burg, duke negociuar me prokurorët për dënime të lehta në shkëmbim të pranimit të fajësisë dhe duke apeluar dënimet e mundshme.
Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar atë mes kandidatëve të tjerë republikanë për president. Ai vazhdon të dominojë me diferencë të thellë ndaj të tjerëve.
Por me të paktën dy procese gjyqësore, që pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, çështjet penale ka të ngjarë të hedhin një hije të errët mbi garën presidenciale dhe titujt e lajmeve.
Megjithëse rezultati i akuzave mbetet i pasigurt, ekziston një konsensus midis ekspertëve ligjorë, që edhe nëse dënohet, zoti Trump mund ta vazhdojë fushatën elektorale për t’u zgjedhur president.
Kushtetuta amerikane përcakton tre kërkesa kryesore për kandidatët presidencialë: të jenë shtetas amerikanë të lindur në Shtetet e Bashkuara, të jenë të paktën 35 vjeç dhe të kenë banuar në Shtetet e Bashkuara për jo më pak se 14 vjet.
Megjithatë, Kushtetuta nuk shprehet për rastet e kandidatëve të akuzuar, apo të dënuar nga gjykatat.
Kjo do të thotë se zoti Trump mund të kandidojë për president si një kriminel i dënuar apo edhe pas hekurave, siç bëri Eugene V. Debs, kandidati presidencial i Partisë Socialiste, më shumë se një shekull më parë. /VOA
Të tjera
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...
-
Takohen gruaja më e shkurtër dhe ajo më e gjatë në botë, fjalët që thanë për njëra-tjetrën pas takimit
Jyoti Amge dhe Rumeysa Gelgi, janë pjesë e librit të rekordeve “Guiness”. E p...
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...
-
LAJMI I FUNDIT/ Vetura godet për vdẹkje një këmbësor në Krushë të Madhe
Një këmbësor është goditur nga një automjet në fshatin Krushë e Madhe, më sak...
-
Peci ngriti kallëzim penal ndaj tij, reagon Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së: I ka kapë panika
Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së, Paris Guri, ka dalë me një reagim pas...
-
Moti i keq në vend, KESCO del me njoftim për ndërprerjet e rrymës
KESCO përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se për shkak të kushteve atmos...
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...