Trump kërkon që gjykatësja ta përjashtojë veten nga çështja ndaj tij
Autori: Gazeta inFokus 06:53 | 07 August 2023
Të dielën ish-presidenti amerikan, Donald Trump vuri në shënjestër gjykatësen federale të caktuar në çështjen ku ai akuzohet për përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Avokati i zotit Trump ka argumentuar se veprimet që ndërmori klienti i tij pas humbjes ishin thjesht “kërkesa”, raporton Zër i Amerikës
Përmes një postimi në median sociale, zoti Trump shkruante me shkronjta të mëdha se, “NUK MUND TË KEM NJË GJYKIM TË DREJTË NGA GJYKATËSJA E CAKTUAR”, duke shtuar se ai kishte në plan të kërkonte që gjykatësja Tanya Chutkan ta përjashtonte veten nga gjykimi i çështjes dhe që gjyqi të mos zhvillohej në Uashington.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk është paraqitur asnjë kërkesë zyrtare në gjykatë. Gjykata nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Pence nuk përjashton mundësinë e dëshmisë për çështjen Trump
Ish-nënpresidenti republikan Mike Pence tha të dielën se nuk e përjashton mundësinë e të qenit dëshmitar i akuzës nëse ish-shefi i tij Donald Trump del në gjyq nën akuzat për orkestrimin e një komploti për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
I pyetur të dielën në programin “Face the Nation” të kanalit CBS nëse ai do të ishte dëshmitar kundër zotit Trump nëse çështja shkon në gjyq, zoti Pence tha se “nuk kishte plane” për të dëshmuar, por nuk e përjashton mundësinë.
“Njerëzit duhet ta kenë të qartë se ne do t’i bindemi ligjit. Ne do t’i përgjigjemi thirrjes së ligjit, nëse na kërkohet, dhe ne thjesht do të themi të vërtetën”, tha zoti Pence, i cili kandidon përballë zotit Trump në përpjekjet për të siguruar emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Avokati i zotit Trump, John Lauro, tha se ai do ta mirëpriste dëshminë e zotit Pence, nëse ish-nënpresidenti vendos ta bëjë një gjë të tillë. Avokati Lauro argumentoi në një seri intervistash televizive të dielën se çdo veprim që ndërmori zoti Trump pas zgjedhjeve të vitit 2020 ishin shprehje të “aspiratave të tij” të mbrojtura nga liria e fjalës.
“Mike Pence do të jetë një nga dëshmitarët tanë më të mirë në gjyq”, tha avokati Lauro të dielën në një intervistë në programin “This Week” të kanalit ABC.
“Mezi pres që të kem mundësinë për të marrë në pyetje zotin Pence, sepse ai do të eliminojë plotësisht çdo dyshim që zoti Trump, Presidenti Trump, besonte me vendosmëri se parregullsitë zgjedhore kishin çuar në rezultate të papërshtatshme”, tha avoakti Lauro.
Pence u bë një figurë qendrore në akuzat e fundit penale kundër republikanit Trump më 1 gusht, kur një padi prej 45 faqesh e Departamentit të Drejtësisë e akuzoi ish-presidentin për përpjekje të paligjshme për të mbajtur pushtetin pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden.
Trump deklaroi se ishte i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.
Në prag të certifikimit të fitores së demokratit Biden në Kongres më 6 janar 2021, zoti Pence mbikëqyri procedurat në rolin e tij ceremonial si president i Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Ai e refuzoi trysninë e madhe nga Presidenti Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Disa nga mbështetësit e zotit Trump që shkaktuan trazira në Kongresin amerikan brohorisnin “Vareni Mike Pence!”
Trysnia e pandërprerë dhe “shënimet e vazhdueshme” që zoti Pence bëri në prag të trazirave të 6 janarit 2021, përmenden shpesh në aktakuzë.
Në një moment, aktapadia i referohet një telefonate të 1 janarit 2021, gjatë së cilës Presidenti Trump e qortoi zotin Pence për mospjesëmarrje në skemën për të përmbysur rezultatin zgjedhor.
“Ti je shumë i sinqertë”, i tha zoti Trump zotit Pence.
Dëshmia e mundshme e zotit Pence dhe shënimet e tij mund të bëhen pjesë kyçe e çështjes së prokurorisë kundër zotit Trump në gjyq.
Trump e sulmoi republikanin Pence të shtunën, duke shënuar rastin e parë në fushatën për zgjedhjet e vitit 20224. Zoti Trump tha se nuk i kishte thënë zotit Pence se ai ishte “shumë i sinqertë” ndërsa e quajti atë “delirant”.
Deri tani fushata presidenciale e zotit Pence nuk ka patur sukses, dhe ai madje rrezikon të mos marr pjesë në debatin e parë të kandidatëve republikanë më vonë këtë muaj për shkak të mungesës së donatorëve.
Pence gëzon një mbështetje të vogël ndërsa zoti Trump është bërë kandidati kryesor republikan, duke shënuar një rritje të mbështetjes sa herë që ndaj tij ngrihen akuza.
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...