Lajme

Avokati i Thaçit: Ndërprerja e hetimeve ndaj Lajçit, fitorja e parë në Speciale

Autori: Gazeta inFokus 08:14 | 27 July 2023

Pas më shumë se katër vjet e gjysmë, Dhomat e Specializuar me seli në Hagë i kanë ndërprerë hetimet ndaj Driton Lajçit, ish-udhëheqës për Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar nga Gjykata Speciale në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Lajmin për ndërprerjen e hetimeve ndaj Lajçit e ka konfirmuar sot zyra e avokatisë së Toby Cadman, mbrojtës i Lajçit.

Lajçi dyshohej se në cilësinë e Udhëheqësit të Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale, kishte penguar drejtësinë dhe kishte zbuluar disa dokumentacione konfidenciale.

-Advertisement-

Avokati mbrojtës i Lajçit, Toby Cadman në një intervistë për “Info Plus” në RTK ndërprerjen e hetimeve ndaj Driton Lajçit e ka vlerësuar si fitoren e parë të proceseve gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

“Ky është suksesi i parë. Kjo është dashur të vendoset qysh para katër vitesh por gjykatës i janë dashur katër vite për t’i ndalur hetimet. Është shumë e qartë që ai i ka mohuar të gjitha sjelljet kriminale, mirëpo është dashur të presë katër vjet dhe të heq dorë nga pozita e tij qeveritare. Kjo është për keqardhje, por megjithatë është mirë se tani edhe hetimet janë pushuar ndaj tij”, ka tha Cadman.

Ai tutje ka treguar se për çfarë është hetuar Driton Lajçi gjatë këtyre viteve. “Ai ka filluar të hetohet në vitin 2019 për administrim të provave të drejtësisë. Pra, nuk ishte një hetim për krime të luftës por për ndërhyrje në drejtësi. Kjo ka qenë duke u hetuar që katër vite, deri mbrëmë kur u pushua si hetim nga Dhomat e Specializuara”, shtoi avokati Cadman.

Ai më tej ka folur edhe për hapat që do të ndërmerren tani pasi Lajçit i është cenuar e drejta e punës për më shumë se katër vite në institucionet publike.

“Kjo është diçka që unë do të marrë parasysh për të ndërmarr hapat e parë, mirëpo tani për tani e rëndësishme është që më në fund ky vendim është marrë dhe siç thash janë mohuar të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij”, theksoi Cadman. Ai ka thënë se do ta çojnë këtë rast në panelin e trupit gjykues dhe pastaj edhe te Avokati i Popullit.

Hetimet ndaj Driton Lajçit kishin nisur me një intervistim në datën 3 maj të vitit 2019. Ai ishte intervistuar për tri ditë me radhë në Hagë. E që nga atëherë, për 4 vjet e gjysmë ai mbeti si i dyshuar, dhe hetimet nuk përfundonin nga Prokuroria e Hagës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera