Shteti pa asnjë helikopter
Autori: Gazeta inFokus
11:47 | 18 Qershor 2023
Kosova nuk ka në dispozicion asnjë helikopter në rast të ndonjë krize. Të tillë nuk posedon shteti në fushën e mbrojtjes, të sigurisë e as shëndetësisë. Si pasojë e kësaj, vlerësohet se shumica e shërbimeve janë të nivelit më të dobët dhe se nuk përmbushen nevojat e institucioneve.
Opozita thotë se sfidë është kosto që përfshin përgatitjen e pilotëve, mirëmbajtësve dhe njësive të tjera. Ndërkaq, me këtë nuk pajtohen nga pushteti, meqë thonë se një gjë e tillë është e thjeshtë. Po ashtu, zotohen se qeveria shpejt do të shohë se në cilat fusha ka nevojë për blerjen e helikopterëve.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni deklaron se disa institucione do të duhej të posedonin helikopterë për shërbime të ndryshme.
“Disa organizata dhe institucione të Kosovës do të duhej të posedonin flotën ajrore, këtë rast flasim për helikopterë për shërbime të ndryshme. Filluar nga ajo për çështje emergjente, rregullimin e trafikut, mbarëvajtjen e trafikut, po ashtu edhe helikopterë ushtarak. Ka pasur modalitete të ndryshme për ndonjë helikopterë multi-funksional të përbashkët, apo të ndarë për secilin shërbim veç e veç. Deri ku ka arritur kjo çështje, me të vërtetë nuk kam ndonjë të dhënë të saktë që ta ndajë me ju. Por, sidoqoftë qeveria mendoj që duhet ta ketë në konsideratë”, deklaron ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes thekson se mbetet sfidë çështja e përgatitjes së kuadrove, blerjes së helikopterëve dhe mirëmbajtja e tyre.
“Nëse flasim për helikopterë të natyrës ushtarake, aty është i paraparë zhvillimi edhe i këtij projekti, në kuadër të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, por është në fazat e mëvonshme. Përveç kostos, e cila është sfidë, jo vetëm blerja e tyre, por edhe përgatitja e kuadrove, pilotëve, mirëmbajtësve, pastaj janë njësitë e veçanta për vëzhgimin e hapësirës ajrore, për komunik e tjera. Është njësi që duhet të trajnohet, duhet të ngritet, të ndërtohet struktura fizike për të. Por, një ndër sfidat me të cilat jemi marrë në të kaluarën është edhe infrastruktura ligjore. Pasi që disa çështje në lidhje me kontrollin ajror dhe dhënien e lejes për fluturime, ende mbetet kompetencë e KFOR-it. Është çështje që duhet të diskutohet dhe të ketë kompromis”, shton ai.
Ndërkaq, deputeti i shumicës, Mefail Bajqinovci thekson se trajnimi i personelit që duhet të angazhohet në këtë fushë është i thjeshtë.
“Kur jemi te profili i njerëzve që duhet të trajnohen, nuk është shumë filozofi. Me orë është leja, e cila e merr një pilot. Dhe e kanë bërë shumë të madhe në Kosovë se pilotët e helikopterit duhet të kenë një leje shumë të veçantë, e që në fakt ishin orë shtesë. Unë vet e kam parë, kam biseduar me pilotë të cilët janë civilë të helikopterëve dhe më kanë treguar që prej tre deri në gjashtë muaj një person mund të bëhet pilot i një helikopteri”, deklaron ai.
Deputeti i shumicës parlamentare shton se ekzekutivi është i angazhuar për blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Madje, thotë se beson se shumë shpejt qeveria do të shohë se në cilën fushë nevojitet blerja e helikopterit.
Megjithatë, për këtë nuk kthyen përgjigje nga Qeveria e Kosovës.
“Për 20 vjet rresht, sidomos pesë-gjashtë vitet e fundit, qeveritë e kaluara kanë tentuar t’i blejnë dhe sidomos në kohën e Qeverisë Haradinaj kanë tentuar, por nuk e di se çfarë kishte ndodhur dhe i kanë pas anuluar, dy herë kanë tentuar por kanë qenë të anuluara. Unë mendoj se Kosovës i nevojiten helikopterët, por specifikat e këto tash i bën Qeveria e Kosovës, e kam fjalën se çfarë i duhet, helikopter për shëndetësi, për FSK apo për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Përkundër që ka nevojë, Qeveria e Kosovës është munduar maksimalisht që edhe në aspektin e armatimit dhe të pajisjeve luftarake, por edhe dronëve që të bëhet çmos që t’i kemi sot në Kosovë. Kurse, për helikopterë unë besoj që shumë shpejt ka pasur diskutime shpesh edhe në qeveri, por edhe prej deputetëve, që duhet t’i kemi dhe unë besoj që Qeveria e Kosovës shumë shpejt do të fillojë me pa se cilët lloj të helikopterëve dhe të fushave që i duhen FSK-së, MPB-së apo shëndetësisë”, deklaron ai.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni deklaron se si pasojë e mungesës së helikopterëve shumica e shërbimeve janë të nivelit më të dobët.
“Shumica e shërbimeve janë të nivelit më të dobët, në veçanti ato të emergjencës për bartjen dhe për transportimin e atyre që duhet të ju ofrohet shërbim. Por, janë edhe për nevojat e policisë, mos të flasim për rolin e veçantë e helikopterëve ushtarak që kanë transport në operacione të ndryshme”, përfundon Çuni.
Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati vlerëson se helikopterët janë shumë të nevojshëm, por nuk është koha për blerjen e tyre.
“Unë mendoj që akoma është herët Kosova të ketë helikopter, sepse ne e dimë që faktikisht rezoluta 1244 i jep KFOR-it të drejtën që të kontrollojë hapësirën e ultë ajrore, hapësirën e lartë e di që e kontrollon Hungaria për Kosovën. Dhe në këtë drejtim ne mund të blejmë helikopter, por t’i mbajmë në depo nuk ja vlen. Duhet të presim akoma, kemi ende shumë detyra për të bërë, për t’i ngritur kapacitetet ushtarake të ushtrisë së Kosovës e në fund kur t’i kryjmë të gjitha ato që duhet t’i kryejmë sipas planit dinamik të zhvillimit të kësaj force dhe të policisë, atëherë në momentin që Kosova do të jetë e gatshme edhe politikisht të ndryshon”, deklaron ai.
Kastrati shton se Kosova ka kapacitete që të ketë njësi të helikopterëve për nevojat e mbrojtjes, sigurisë, por edhe në aspektin human.
Kosova nuk ka kompetencë dhe nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjen teknike ushtarake të vitit 1999, por edhe ligjeve aktuale, misioni i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

T� tjera
-
Haxhiu del në mbrojtje të Gërvallës e Sveçlës pas vrasjes së Arlinda Zekaj: Çfarë faji kanë ministrat?
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dalë në mbrojtje të mini...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Nuk mjaftojnë raportet që përfundojnë në sirtar, kërkohen masa ndaj atyre që shkelën detyrën
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar hetim të plotë t...
-
Seanca e Kuvendit nis me një minutë heshtje për Arlinda Zekajn
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, që po mbahet për rastin e vrasjes mizore...
-
Haxhiu për vra*sjen e Arlinda Zekajt: Fjalët e saj sot tingëllojnë si paralajmërim tragjik që nuk arritëm ta parandalonim
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur për vrasjen e Arli...
-
Macron paralajmëron: E shtuna e ardhshme mbetet “ditë me rrezik të lartë” nga protestat
Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi të hënën se e shtuna e ardhsh...
-
Gjyqtari e lejoi dhunuesin të jetojë në një shtëpi me viktimën, ia ndaloi t’i afrohej në distancë dy metrash në shtëpinë ku jetonin
Migjen Kastrati, gjyqtar i Gjykatës Themelore në Pejë, kishte marrë një vendi...
-
Prokuroria në Pejë: Janë iniciuar hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në parashtresën e Arlinda Zekajt
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, bën të ditur se, j...
-
Presidentja ua përcjell kryeparlamentares dhe deputetëve vendimin për kthimin e Ligjit të Speciales në Kuvend
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ia ka kthyer Kuvendit për rishqy...
-
Njeriu i tij rrëfen momentin kur Vuçiq mori vesh se kishte humbur zgjedhjet në Serbi
Presidenti i Partisë Progresive Serbe, Milosh Vuçeviq, ka komentuar humbjen z...
-
“Jepni dorëheqje”, Çitaku: Si Arlinda, edhe unë uroj që të mos mund të flini më natën!
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar për së ...
-
Thellohet rasti i vràsjes së Arlinda Zekajt: Gjykata e Pejës thotë se tek sot pranuan aktakuzën e Prokurorisë ndaj ish-bashkëshortit të saj
Gjykata Themelore në Pejë ka njoftuar se këtë të hënë (26 tetor), e ka pranua...
-
Hoti dhe 14 deputetë opozitarë i kërkojnë Presidentes të mos e dekretojë Bashkim Nurbojën në Bordin e BQK-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë të di...































