Lajme

Senatori amerikan kritika Kurtit për krizën në veri, kërkon “angazhim agresiv” të SHBA-së në Ballkan

Autori: Gazeta inFokus 09:39 | 02 June 2023

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

-Advertisement-

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

“Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

“Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

“Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera