Lajme

Vetëvendosje kritikon Lajçakun një ditë para takimit në Bruksel

Autori: Gazeta inFokus 11:24 | 14 May 2023

Lëvizja Vetëvendosje ka ashpërsuar kritikat ndaj përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Një ditë para takimit të kryenegociatorëve në Bruksel, partia në pushtet po konsideron Lajçakun si të anshëm në proces të dialogut, sidomos pas deklaratave se “draft-statuti i ish-ekipit menaxhues duhet të jetë pikënisje për Asociacionin”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, thotë për KosovaPress se qëllimi i Lajçak është që të ofrojë një version ekstrem për Asociacionin dhe jo një version real dhe të thotë “ejani takohemi kah ‘mesi’ për të bërë një kompromis”.

Mirëpo, kjo sipas deputetit Muja është e papranueshme. Ai thekson se ndërmjetësuesi i dialogut, por edhe të tjerët duhet të kuptojnë se Asociacioni nuk mund të kalojë asnjë milimetër jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës.

-Advertisement-

“Propozimet që i ka pasur Lajçak është që të ofrojë një ekstrem atje dhe një ekstrem këtu dhe ‘hajde të takohemi kah mesi’. Nuk është politika ashtu, as shteti nuk funksionon, besa nuk po funksionojnë as trendët evropianë në atë mënyrë. Qëndrimi jonë prej fillimit ka qenë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjshmëria janë alfa dhe omega. Çfarë ka brenda asaj Kushtetute mund të shikohet se si mund të përmirësohet pjesëmarrja politike e secilit komunitet në Kosovë, por një milimetër jashtë Kushtetutës së Kosovës nuk mund të kalojë. Kjo në Kosovë nuk kalon, këtë duhet ta ketë parasysh edhe zotëri Lajçak dhe të tjerët”, thekson ai.

Duke folur për takimin e nesërm në Bruksel, të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi me atë serb, Petar Petkoviq, anëtari i kryesisë së LVV-së, akuzon Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve.

Ai thotë se në Bruksel do të bisedohet për zbatim të sekuencuar të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit dhe aneksit të 18 marsit në Ohër.

“Zotëri Lajcak ka pas kohë pas kohe kah një qëndrim të anshëm. Ideja ka qenë se Serbia ka shkelur në vazhdimësi marrëveshjet, përfshirë edhe marrëveshjen e fundit që ishte në Bruksel. Por ka tendenca gjithmonë ‘hajde t’i gjejmë edhe Kosovës diçka dhe pastaj të themi se të dyja po e shkelin kapak’. Merrini shikoni 39 marrëveshje dhe dakordime dhe shikoni se Serbia e ka një qasje se një herë dakordohet për marrëveshje pastaj duhet pikë për pikë sërish me u dakordu. Janë shumë të papërshtatshëm në marrëdhënie ndërkombëtare”, shton Muja.

Në anën tjetër, Muja thotë se kandidatët që kanë fituar mandatet në katër komunat veriore nuk do t’i djegin ato.

Përkitazi me këtë, ai nënvizon se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’i forcojnë kapacitetet në veri.

“Shteti i Kosovës do të vazhdojë t’i forcojë kapacitetet në veri dhe t’i ikë tendencave që ne të shkëputemi nga komuniteti atje. Është e rëndësishme që të kemi kujdes si e ushtrojmë autoritetin dhe ajo të jetë sipas kushtetutës. Është me rëndësi që të kemi një qasje të barabartë ndaj secilit qytetarë të Kosovës pa ndonjë ngarkesë dhe me shumë maturi. Pasi këto situata kërkojnë maturi”, deklaron ai.

Krahas këtyre, Muja bën të ditur se shumë shpejt do të zgjidhet ngërçi në Kuvend, sa i përket të hyrave vetanake të komunave.

Ai thotë se kanë marrë iniciativën për ndryshimin e Ligjit për buxhetin, më saktësisht amendamentit të propozuar vitin e kaluar nga LDK, meqenëse sipas tij kjo e fundit nuk po e adreson kërkesën për përmirësimin e gabimit të tyre dhe lëshimin e mjeteve vetanake të komunave edhe të viteve paraprake.

“Nga shefja e grupit dhe unë jemi duke punuar në dy javët e fundit në këtë pikë të barrikadimit. Këta s’po e bëjnë dhe ne po duhet të gjejmë mënyra për hir të kryeqytetit të ecet… Meqenëse ata e bënë vet amendamentin, mirë adresoje kërkesën, pastaj qeveria aty e ka detyrë ta trajtojë dhe ta sjell në Kuvend dhe adresohet. Por meqenëse këta nuk po e bëjnë ne kemi marrë iniciativën në dakordim me Komunën e Prishtinës që të tejkalohet ky ngërç”, përfundon Muja.

Gjatë kësaj jave në Kosovë dhe Serbi qëndroi përfaqësuesi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai nënvizoi nevojën për implementimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, derisa përsëriti se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me vlerat evropiane./KP/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera