Rigjykimi i dytë, shikohen video-incizimet e momentit të vrasjes së 2014-ës në pompën e derivateve në Pejë
Autori: Gazeta inFokus 09:15 | 13 May 2023
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rigjykimin e dytë ndaj të akuzuarit Nimon Berisha, i akuzuar për vrasje të rëndë të I.K. në një pompë derivatesh në Pejë, në vitin 2014, në seancën e së premtes, janë lëshuar video-incizimet, ku shihen momentet e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit I.K.
Në vendimin e Apelit për kthim të çështjes në rigjykim, është thënë se dëshmitarët Reshad Zajmi, Enes Zajmi dhe Sylejman Tujaka, nuk janë ballafaquar me këto incizime në shqyrtimet gjyqësore paraprake, për t’u pyetur nëse mund të identifikojnë personin që shtie me armë në këtë video.
Andaj, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Mehmeti, njoftoi se kjo është arsyeja e lëshimit të video-incizimit të ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitarët Reshad dhe Enes Zajmi, deklaruan se ka ngjashmëri në të ecur, të personit që shtie me armë në video dhe mënyrës së të ecurit të të akuzuarit Nimon Berisha, prandaj konsiderojnë se në video është pikërisht i akuzuari. Kurse, dëshmitari Sylejman Tujaka deklaroi se nuk ka mundësi të identifikojë personin në video-incizim.
Të pranishëm në seancën e rigjykimit të dytë, ishin prokurori Njazi Rexha, i akuzuari Nimon Berisha me avokatët Ramiz Krasniqi dhe Visar Vehapi, përfaqësuesi i viktimës I.K., Ferit Karagjyzi, si dhe dëshmitarët Reshad Zajmi, Enes Zajmi, Sylejman Tujaka, Tabe Morina dhe Elvin Morina.
Ndërsa, nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave, kishin njoftuar gjykatën se nuk mund të marrin pjesë në seancë, por me rreth një orë vonesë, është paraqitur mbrojtësi i viktimave Muhamet Përvetica, shkak për të cilin mori vërejtje nga gjyqtari Mehmeti.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rexha, i akuzuari Nimon Berisha deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprat penale që i vihen në barrë.
“Sa të kem jetë jam i pafajshëm, ka dëshmi që e vërtetojnë pafajësinë time, kjo aktakuzë më ka shkatërruar jetën mua dhe familjes time. Unë jam shtetas norvegjez, i shtetit më demokratik në Evropë, dhe po ashtu shtetas i Kosovës, që brengoset vetëm për familjen e tij, jam psiqikisht i lodhur”, deklaroi Berisha.
Tutje, palët deklaruan se mbeten pranë fjalëve hyrëse të dhëna në shqyrtimet paraprake, ndërsa avokati Krasniqi tha se Gjykata e Apelit kërkon që Nimon Berisha të shpallet fajtor, vetëm se është i ngjashëm me një person të caktuar, duke shtuar se në të drejtën penale kërkohet identifikimi i kryerësit të veprës penale dhe nuk kërkohet të vërtetohet ngjashmëria.
Ndërsa, dëshmitari Reshad Zajmi, pas shikimit të video-incizimit të rastit, deklaroi se në bazë të të ecurit, personi në video është i akuzuari Nimon Berisha. Ai tha se më parë këtë incizim e kishte parë në polici, por aty nuk i kishin kërkuar të bënte identifikimin e dorasit.
I pyetur rreth asaj se pasi në vitin 2014 kur e ka parë incizimin, nuk e ka bërë identifikimin e dorasit kur e kishte memoren më të freskët, ndërsa sot pas 9 viteve nga ngjarja, deklaron se ai është i akuzuari Berisha, dëshmitari Zajmi tha se memorien e ka të njëjtë si tani, si para 9 viteve.
“Unë e kam njohur të akuzuarin Berisha 6-7 muaj para rastit të vrasjes, kemi pasur një konfrontim në pompën e derivateve, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth cilësisë së derivateve, çështje për të cilën jemi sqaruar dhe unë e kam parë se si ecën i pandehuri dhe këtu e mbështesë deklarimin tim”, tha dëshmitari Zajmi.
Dëshmitari Zajmi, i cili në atë kohë ishte pronar i pompës së derivative në fjalë, tha se më nuk e ka parë të akuzuarin Berisha të vijë aty që nga rasti kur kanë pasur konfrontimin, por shtoi se pas 3-4 viteve nga rasti i vrasjes, kolegët e kanë njoftuar që e kanë parë disa herë të akuzuarin Berisha në pompën e derivateve.
I pyetur nga gjyqtari Mehmeti, nëse dëshmitari Zajmi ka bërë ndonjë matje të lëvizjes trupore të të pandehurit Berisha, fotografim, krahasim mes video-incizimeve, apo nëse ka përfunduar ndonjë shkollim, kurs apo trajnim për identifikimin e personave në bazë të ecjes apo ngjashmërive, dëshmitari tha se nuk e ka bërë asnjë nga këto, ndërsa konstatimin se është ai, e ka bërë duke u bazuar në atë që e ka parë të akuzuarin gjatë konfrontimit të tyre.
Mbrojtja e të akuzuarit i kërkoi gjykatës që dëshmitarët tjerë t’i vë nën betim, ndërsa e kundërshtuan në tërësi dëshminë e dëshmitarit Zajmi, duke thënë se nuk është pritur që të thuhet diçka tjetër nga i njëjti, për shkak të raporteve familjare që kishte me viktimën.
Tutje, dëshmitari Enes Zajmi, deklaroi se në bazë të video-incizimit, vërehet se dorasi është pak i moshuar, në bazë të lëvizjeve të trupit dhe mënyrës se si zbret nga makina.
“Sipas karakteristikave trupore, sepse fytyra nuk shihet, por nga mënyra e të ecurit, lëvizjeve, qëndrimit në këmbë, e kam vërejtur në video që kur zgjatet me e marrë çantën, mbështetet vetëm në një këmbë, mandej kur të akuzuarin Berisha e kam parë në gjykatë, duke ecur si në njërën anë, duke çaluar paksa dhe prandaj konsideroj se personi që ka shtënë me armë, sipas videos, është i akuzuari në fjalë”, tha dëshmitari Zajmi.
Pas deklarimit të dy dëshmitarëve, i akuzuari Berisha deklaroi se nuk ndihet mirë me shëndet dhe nuk mund të përcjellë rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor, për çka trupi gjykues vendosi që seanca të ndërpritet, ndërsa i akuzuari Berisha është dërguar në Spitalin e Mitrovicës për kontroll, ku mjeku ka konstatuar se i njëjti nuk është ndjerë mirë për shkak të shtypjes së lartë të gjakut.
Pas një pushimi të shkurtër, i akuzuari Berisha është kthyer në seancë, duke deklaruar se mund të vazhdojë me rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor.
Më pas, u dëgjua dëshmitari Sylejman Tujaka, i cili pas shikimit të video-incizimit të rastit, ka deklaruar se nuk mund të bëjë identifikimin e personit në video, që shihet duke gjuajtur me armë në drejtim të viktimës I.K.
Kurse, dëshmitarja Tabe Morina, e cila në vendimin e Apelit, është kërkuar që në rigjykim të dëgjohet. për shkak të një komunikimi që ka pasur bashkëshortja e të akuzuarit Berisha, N.B., me dëshmitaren Morina, në lidhje me rastin.
Dëshmitarja Morina deklaroi se ka punuar punë dore për bashkëshorten e Berishës, N.B., ndërsa tha se me të akuzuarin janë fqinj. Ajo shtoi se pas një kohe nga ngjarja, N.B. e ka telefonuar dhe i ka kërkuar që djali i saj, Elvin Morina, të dëshmojë se e ka parë Gjelbrimin, duke e vozitur veturën “Hamer”.
“Unë i kam thënë jo, mos ma përziej djalin në këto punë, e kam hasret, ne jemi në Pejë e ju në Isniq, dhe më ka thanë në rregull, pas këtij komunikimi unë jam parë me të, por nuk më ka thënë kurrë asgjë në lidhje me këtë përsëri”, deklaroi dëshmitarja Morina.
Ajo shtoi se këtë kërkesë të N.B., ia ka treguar policisë, pas një kohe, kur policia paraprakisht e kishte ftuar për deklaratë.
Ajo tha se nuk di asgjë për këtë rast, vetëm sa ka parë në media, ndërsa shtoi se nuk e ka parë asnjëherë veturën “Hamer” në fjalë, por vetëm ka dëgjuar se i takon Hysni Berishës, vëllait të të akuzuarit Berisha.
Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Mehmeti, konstatoi se sipas gjetjeve të Apelit, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, duhet të kryhen dy ekspertiza, njëra sa i përketë gjurmëve të ADN-së në kapakun e pompës së derivateve, dhe tjetra për ekzaminimin dhe krahasimin e video-incizimit të vrasjes me një video-incizim tjetër, ku shihet Nimon Berisha, në mënyrë që të bëhet verifikimi i identitetit të personit në video-incizimin e rastit të vrasjes së rëndë të viktimës I.K.
Po ashtu, gjyqtari Mehmeti tha se do të bëhet ekzaminimi i telefonit të të akuzuarit Berisha në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, për shkak se tanimë ka pajisje për një ekzaminim të tillë, ndërsa në atë kohë nuk ka pasur, rrjedhimisht nuk ka qenë i mundur një ekzaminim i tillë.
Pasi kishte arritur fundi i orarit të punës, gjykata nuk ka arritur të dëgjojë edhe dëshmitarin Elvin Morina.
Ndërsa, për shkak se do të urdhërohet kryerja e ekspertizave të lartpërmendura dhe nxjerrja e provave të reja, sipas vendimit të Apelit, dhe për shkak se për këtë nevojitet kohë, seanca e së premtes u ndërpre, duke u shtyrë në kohë të pacaktuar.
Palët u njoftuan se për seancën e radhës do të njofohen me shkrim.
Ndryshe, me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Departamentit për Krime të Rënda më 19 nëntor 2021, i akuzuari Berisha është liruar nga akuza.
Por, Gjykata e Apelit me aktvendimin e 26 janarit 2023, e ka kthyer për herë të dytë në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit Nimon Berisha, i akuzuar për vrasje të rëndë të I.K. në një pompë derivatesh në Pejë, në vitin 2014, duke anuluar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 19 nëntor 2021.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, edhe më 25 shkurt 2019, e kishte liruar nga akuza të pandehurin Berisha, në mungesë të provave.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Avni Mehmeti, gjatë arsyetimit të atij aktgjykimi, duke iu referuar provave të rastit, kishte deklaruar se nuk ka qenë kontestuese se vetura me të cilën është kryer vepra penale ka qenë në posedim të Nimon Berishës, por sipas tij, kanë ekzistuar dy prova të cilat thonë se ka qenë edhe një çelës tjetër i kopjuar i kësaj veture dhe se nuk është gjetur arma, sendi i vjedhur, paratë e marra dhe as kapela e kryerësit të veprës.
Mehmeti po ashtu kishte arsyetuar se tre ekspertizat të cilat u referohen video-incizimit të vendit të ngjarjes nuk kishin arritur të vërtetojnë se kush është kryerësi i kësaj vepre penale.
Kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me ç`rast Apeli me vendimin e 2 tetorit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim. Sipas Apelit, aktgjykimi është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi nuk kishte paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte dhe për cilat arsye i ka konsideruar të vërtetuara apo të pavërtetuara.
Prokuroria Themelore në Pejë, akuzon Nimon Berishën se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35, në pompën e derivateve “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike “AK-47”, ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin I.K, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Berisha duke shfrytëzuar automjetin e tipit “Hamer”, kishte shkuar në pompën e benzinës “D-Petrol”, dhe pas mbushjes së automjetit me karburant-benzinë në shumën prej 128 euro, gjersa viktima kishte qenë duke pritur që t`i bëhej pagesa i pandehuri nga automjeti kishte nxjerr pushkën automatike AK-47, dhe e kishte qëlluar viktimën një herë në gjoks në pjesën e majtë të trupit, duke e lënë të vdekur dhe pastaj nga viktima kishte marrë çantën me të holla në shumën prej 1 e 800 euro dhe kishte ik në drejtim të panjohur.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 179 dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim i paautorizuar të armëve” nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës
Ky shqyrtim gjyqësor, për këtë çështje penale më herët është gjykuar në Gjykatën Themelore të Pejës, por me vendim të Gjykatës së Apelit të datës 3 mars 2017, çështja në fjalë ka kaluar në kompetencë të Gjykatës së Mitrovicës.
Të tjera
-
Nga 1 janari Zvicra e ndalon “Burkën” në hapësirat publike
Zvicra do ta ndalojë mbulimin e fytyrës në hapësirat publike. Ky vendim hy...
-
Bitcoin kap shifrën e 75 mijë dollarëve pas fitores së Trump-it!
Bitcoin kaloi një rekord të ri prej 75,000 dollarësh pas lajmit për suksesin ...
-
A do ta realizojë Grenelli premtimin e bujshëm: Nëse Trumpi fiton, do ta nxjerrim Thaçin nga burgu
Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte bërë ...
-
Plạgoset edhe një person në Prishtinë
Një person është plagosur sot në fshatin Drenoc të Prishtinës. Rastin e ka...
-
Prokuroria Speciale ngre aktakuzë kundër 19 personave për disa vepra penale
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë sot në Gjykatën Themelore n...
-
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës: Largimi i Atilla Kardesh nga Big Brother, fitore për shëndetin psikologjik të gruas
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës, ka mirëpritur vendimin për largimin nga s...
-
Agim Bahtiri e uron Donald Trumpin, ia jep edhe një këshillë
Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka uruar Donal Trumpin për fitoren...
-
Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Hungari
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari ku do ta përfaqësojë Koso...
-
Fundi i një sage, Majlinda Lecaj i merr fëmijët e saj në kujdesje pas një beteje gjyqësore trevjeçare
Ka përfunduar procedura përmbarimore ndërmjet Majlinda Lecajt dhe Blerim Gash...
-
Nëntë të arrestuar në Serbi gjatë protestës për shembjen vdekjeprurëse të çatisë
Nëntë persona janë arrestuar pas trazirave që shpërthyen gjatë një proteste m...
-
Murati fjaloset me deputetët e PDK-së: Premtimet për zgjedhjet e 9 shkurtit i keni të pasakta
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti 3.6 miliardësh i vitit t...
-
Askush nuk e mbështeti Trump më shumë se Musk, çfarë fitoi njeri më i pasur në botë? Rritet vlera e….
Asnjë biznesmen nuk bëri më shumë për të mbështetur kandidaturën e ish-presid...