Intensifikohen luftimet në Sudan, SHBA evakuon personelin e Ambasadës
Autori: Gazeta inFokus 07:16 | 24 April 2023
Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara njoftuan se ushtria amerikane evakuoi personelin e ambasadës amerikane nga Sudani dhe mbylli selinë diplomatike atje.
Intensifikimi i luftimeve, pavarësisht një armëpushimi 72 orësh, të njoftuar të premten, ka nxitur edhe qeveritë e vendeve të tjera të fillojnë përpjekjet për evakuimin e diplomatëve dhe shtetasve e tyre të bllokuar në vendin afrikan.
Ndërsa luftimet në Sudan po intensifikohen, një zyrtar i Pentagonit tha se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton mundësinë e dërgimit të dronëve për të monitoruar rrugët tokësore drejt qytetit Port Sudan dhe dërgimin e anijeve të marinës amerikane për të evakuuar amerikanët që mund të arrijnë atje. Rreth 16 mijë shtetas amerikanë ndodhen në Sudan.
Ndonëse Departamenti i Shtetit thotë se nuk ka plane për një evakuim në shkallë të gjërë të shtetasve amerikanë, presidenti Joe Biden konfirmoi se ushtria amerikane ka evakuuar personelin e ambasadës amerikane në Sudan dhe e ka mbyllur atë. Zyrtarë të lartë të administratës amerikane thanë se ky ishte një vendim i vështirë dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar amerikanët që ende janë të bllokuar në Sudan.
Dy fëmijët e Thamir Muhamed, shtetas të Shteteve të Bashkuara dhe Sudanit, janë bllokuar në Kartum.
“Jemi shumë të shqetësuar. Jemi përpjekur të kontaktojmë ambasadën. Kemi dërguar e-maile dhe e kemi telefonuar dhe në shumë raste nuk janë përgjigjur”, thotë ai.
Familja e një nëne nga Masaçusetsi është gjithashtu e shqetësuar. Trillian Clifford, së bashku me vajzën e saj 18 muajshe, u zhvendos në Sudan më shumë se një vit më parë për të punuar si mësuese në një shkollë në Kartum.
“Si shtetase amerikane që punon jashtë vendit, ajo e ka marrë premtimin se gjithmonë do të kishte mbështetjen e ambasadës amerikane, dhe është shumë e qartë se tani ajo nuk e ka mbështetjen e tyre”, thotë kunata e saj Rebecca Winter.
Trupat amerikane janë dislokuar në rajon, por Departamenti i Shtetit i përsëriti paralajmërimet për shtetasit amerikanë në Sudan.
“Ne kemi qenë të qartë për këtë. Në muajt e fundit ne kemi paralajmëruar shtetasit amerikanë që të mos udhëtojnë në Sudan. Kemi komunikuar me shtetasit amerikanë në vend mbi masat e sigurisë që ata mund të marrin”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedants Patel.
Pavarësisht një armëpushimi 72 orësh, të njoftuar nga palët të premten, luftimet shpërthyen sërish sot në Sudan. Të paktën 400 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve në Sudan, përfshirë një shtetas amerikan.
Zëvendës drejtorja e organizatës Human Rights Watch, Nicole Widdersheim tha për Zërin e Amerikës se gjendja në Kartum është e rëndë.
“Civilët në Sudan po përpiqen të largohen nga bombardimet dhe sulmet ajrore. Sipas ekspertëve tanë, të cilët janë në kontakt me njerëzit në Kartum, gjendja është duke u përkeqësuar”, tha ajo.
Televizioni shtetëror saudit tha se një varkë me 50 qytetarë sauditë dhe shtetas të tjerë të shpëtuar nga Sudani mbërriti të shtunën në Jeddah, në operacionin e parë të evakuimit për civilët që nga fillimi i luftimeve.
Ndërsa disa vende po intensifikojnë përpjekjet për të evakuuar diplomatët dhe shtetasit e tyre nga Sudani, banorët e Kartumit po përballen me mungesa të ujit dhe ushqimeve, më shumë se një javë nga nisja e luftimeve.
Të tjera
-
Ministrja gjermane për Evropë: Bllokimi i CEFTA rrezikon ta dështojë Procesin e Berlinit, Qeveria të angazhohet për zgjidhje
Ministrja e Gjermanisë për Evropë, Anna Luhrmann, ka deklaruar se bllokimi i ...
-
Osmani merr pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës: Do të nderohet shteti dhe flamuri i Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kul...
-
Mirena: Albin Kurti nuk do të jetë më kryeministër
Gazetari Ilir Mirena, ka thënë në “Pressing” të T7, se Albin Kurti nuk do të ...
-
Bislimi udhëton në Bruksel, nesër pritet takim me Petkoviqin
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, nesër në Bruksel pritet të tak...
-
Stoltenberg: Vendet të vendosin vetë nëse mund Ukraina t’i përdorë armët me rreze të gjatë në Rusi
Shefi në largim i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të hënën se i mirëpret b...
-
Molliqaj publikon foto të Kurtit dhe Elbert Krasniqit në veri: Mashtrimi dhe realiteti
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka postuar dy fotografi ...
-
Kurti: Bashkë do të sigurojmë që Kosova të jetë një vend më i banueshëm, me i qëndrueshëm dhe i sigurt për brezat e ardhshëm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë pasdites mori pjesë ...
-
Lladrovci: Duhet të ndalet degradimi i shtetit, zgjedhjet e 9 shkurtit janë rast t’i jepet fund qeverisjes aktuale
Kryetari i Drenasit që vjen nga rradhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci ka reaguar ...
-
Kurti i shkon në vizitë Sabri Fejzullahut: Për ditëlindjen e tij të 77-të na pritën me ngrohtësi
Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar këngëtarin e mirënjohur Sabri Fejzulla...
-
Ardita Sinani njoftim të rëndësishëm qytetarëve në Preshevë për problemin me qentë endacak
Kryetarja e Preshëvës, Ardita Sinani, njofton qytetarët se nga nesër do të fi...
-
Përurohet Shtëpia e Kulturës në Suharekë, Haradinaj: Komunat tona po luftojnë të përparojnë pa mbështetjen e duhur nga niveli qendror
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vizi...
-
Dënohen me mbi 12 vjet burgim nëntë të akuzuarit për dëmtim të buxhetit mbi 2 milionë euro
Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim, ka dënuar me 12 vjet e 9 muaj bur...