Lajme

Kosova fiton në Arbitrazh për rastin “Dardafon”

Autori: Gazeta inFokus 23:20 | 06 April 2023

Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e ngritura kundër Kosovës, ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti.

“Përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, z.Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e z.Devolli. Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Ai tutje ka bërë të ditur se ky është rasti i tretë që Republika e Kosovës e fiton në arbitrazhin e investimeve, duke e renditur vendin tonë si një ndër të paktat shtete me asnjë humbje në arbitrazhin ndërkombëtar të investimeve.

-Advertisement-

“Rastet e mëparshme, Bedri Selmani v. Republika e Kosovës dhe IuteCredit v. Republika e Kosovës, gjithashtu kanë rezultuar në fitore të plota për Republikën e Kosovës. Vlera e përbashkët e pretenduar në këto tre arbitrazhe kap shumën prej 145 milionë euro”, ka njoftuar i pari i ekzekutivit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera