Lajme

24 vjetori i bombardimeve, SHBA: Përdorimi i forcës nga NATO ishte i nevojshëm dhe legjitim

Autori: Gazeta inFokus 14:43 | 24 March 2023

Misioni i SHBA-së në kuadër të OSBE-së kanë lëshuar një komunikatë për media me rastin e 24 vjetorit të fillimit të fushatës së bombardimit të Jugosllavisë nga NATO. Në këtë reagim theksohet se NATO e nisi këtë operacion për t’i dhënë fund një dekade gjakderdhjeje në Ballkan.

Ky intervenim i NATO-së, siç shkruan njoftimi, kishte ardhur pasi ishin shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës që e sponsorizonte regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Misioni amerikan në OSBE thonë se përdorimi i forcës nga NATO në këtë rast ka qenë i nevojshëm dhe legjitim.

-Advertisement-

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte shprehur shqetësimet e tij për situatën e rëndë humanitare në Kosovë, numrin në rritje të refugjatëve dhe kërcënimin që paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Kujtoni qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur për shkak të dhunës së regjimit etno-nacionalist të Millosheviçit dhe forcave të tij”, thuhet në komunikatë, raporton Express.

Tutje potencojnë se “Është detyrë e qeverive të Serbisë dhe Kosovës që të sigurojnë që të gjitha viktimat dhe familjet e tyre të kenë akses të plotë në drejtësi dhe informacion për fatin e të dashurve të tyre. Ne u bëjmë thirrje të dyja qeverive që të mbështesin përpjekjet për drejtësi dhe llogaridhënie, duke përfshirë edhe shprehjen kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës”.

“Ndjejmë keqardhje të thellë për humbjen e jetëve të pafajshme, përfshirë ata që humbën jetën gjatë Operacionit të Forcave Aleate. Kur vizitoi Beogradin në vitin 2016, Presidenti Biden shprehu ngushëllimet e tij personale për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. Dhe shtoj ngushëllimet e mia të përzemërta edhe sot. Megjithatë, nuk duhet harruar asnjëherë se si filloi ky konflikt dhe pse”, ka thënë këshilltarja politike Elisabeth Rosenstock-Siller.

Tutje Siller ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një të ardhme demokratike, të begatë dhe paqësore për Ballkanin Perëndimor dhe mirëpresin marrëveshjen e arritur nga Kosova dhe Serbia përmes lehtësimit të Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve.

“Siç tha Sekretari Blinken, Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën në funksionimin e zbatimit në ndjekje të një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e qeverisjes demokratike, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ajo.

“Le të nderojmë kujtimin e atyre që humbën duke punuar së bashku për të ndërtuar një të ardhme paqeje dhe prosperiteti për të gjithë në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar zyrtarja amerikane.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka po ndodh me DITËLINDJEN e Viva Fresh Store?!
-Advertisement-

Të tjera