Lajme

Punëtorët e KEK-ut protestojnë nesër për përmbushjen e kërkesave

Autori: Gazeta inFokus 12:54 | 15 March 2023

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë lajmëruar se nesër nga ora 12:00 do të protestojnë në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Ata përmes këtij veprimi sindikal po kërkojnë rritje rrogash.

Përpos rritjes së rrogës, punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë edhe pagesën për shujtën ushqimore, rrezikshmërinë në punë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës për këtë kërkesë.

Kryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica u shpreh se kjo protestë do të zhvillohet në sheshin “Nënë Tereza” dhe kërkesat e tyre janë esenciale.

-Advertisement-

Ai tha se edhe premtimet e bëra për rritje të pagesës për shujtën dhe marrëveshjen kolektive nuk janë realizuar.

“Me qëllim që të bëjmë edhe ne një presion për ngritje të pagave dhe kjo kërkesë ka rezultuar prej prillit të vitit 2022, e asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje, madje gjatë takimeve është thënë se nuk do të ketë ngritje të pagave. Ne e dimë që në Kosovë ka ndodhur një ngritje e pagave edhe prej buxhetit të shtetit, nuk është ndonjë ngritje shumë e madhe, por simbolike dhe sadopak e them atë inflacioni, kurse ne si kompania më e fuqishme në Kosovë, si KEK, që është shumë e domosdoshme dhe jetike, nuk kemi ngritje të pagave. Kemi rrezikshmëri në punë po nuk paguhet rrezikshmëria për punëtorë, kemi punë të rëndë po ushqimi është i lehtë sepse kemi një shujtë të ushqimit 1 euro e 74 cent, pra edhe pse kemi pas premtim nga menaxhmenti, mund të them më shumë drejtori se prej 22 shtatorit, shujta e ushqimit do të ngritet në rast se nuk hapen restaurante por kjo nuk ka ndodhur”, tha Llumnica, raporton KP, përcjell Klankosova.tv.

Kërkesë tjetër e punëtorëve të KEK-ut është edhe pagesa e vikendeve për punëtorët me ndërrime. Llumnica tha se menaxhmenti i KEK-ut nuk po respekton vendimet e gjykatave të Kosovës për këtë çështje.

“Ne kemi edhe pagesën e vikendeve për punëtorët me ndërrime, të cilëve nuk iu paguhen 50% ashtu siç e përcakton ligji, kemi fituar me Gjykatën Themelore, të Apelit, Supreme e nuk e di çka ka kërkuar Kushtetuesja aty por edhe ajo na e ka dhënë të drejtën, dhe KEK prapë nuk e respekton këtë vendim të gjykatës dhe ne mund ta quajmë si keqmenaxhim, sepse nëse pritet përmbarimi normalisht se është një humbje financiare”, tha ai.

Në përkrahje të protestës së tyre ka dalur edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Kryetari i BSKPK-së, Atdhe Hykolli u shpreh se kërkesat e punëtorëve të KEK-ut janë të ligjshme dhe minimale.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës e përkrah vendimin e kryesisë ekzekutive të Sindikatës së Re të KEK-ut për këtë protestë, dihet gjithmonë sindikatat i përdorin mjetet e tyre sindikale për të arritur qëllimin. Por, ky qëllim është shumë minimal që të kërkohet një rritje e pagës për arsye se ne sot në Kosovë kemi ngritje marramendëse të çmimeve. BSPK kërkon nga drejtori menaxhues dhe bordi i KEK-ut sa më parë të ulen të diskutojnë me Sindikatën e Re të KEK-ut dhe t’i arrijnë rezultatet ”, u shpreh Hykolli.

Ndërsa, nënkryetari Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Selatin Sadiku kërkoi që kërkesat e tyre të plotësohen sa më shpejt, në të kundërtën paralajmëron edhe radikalizim të veprimeve të tyre.

“Aseti më i rëndësishëm i KEK-ut janë punëtorët, falë angazhimit maksimal të punëtorëve sot jemi kompania më profitabile në vend dhe prodhojmë një produkt jetik për qytetarët e Kosovës. Në KEK momentalisht kemi mbetur 3200 punëtorë, ndërsa në skemë janë diku 5200. Nëse merret kjo shifër për bazë angazhimi është maksimal i punëtorëve, punohet me tre ndërrime. Kërkojmë nga menaxhmenti i KEK-ut që kërkesat të na plotësohet sa më shpejt, të mos na fusin të marrim hapa më radikalë sindikalë”, tha Sadiku.

Kurse, Kryetari i DPQ, Xhelal Jashari kërkoi pjesëmarrje masive të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës në protestën e nesërme.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera