A i ndryshoi Kurti qëndrimet për Asociacionin?
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2023/02/Albin-Kurti-scaled-1-852x460.jpg)
Autori: Gazeta inFokus
20:20 | 02 February 2023
Kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë relativisht të pranueshme, përveç njërës që mund të jetë më problematike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi dhe Artan Muhaxhiri.
Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, dëshiron të imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës.
Kurti, i cili deri më tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.
Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.
“Hap përpara i Kurtit”
Maliqi thotë se qëndrimi i shprehur nga Kurti është hap përpara dhe mundësi që të lëvizet nga pozicioni “i ngurtë” i kreut të Qeverisë kosovare sa i përket Asociacionit.
“Është një lëvizje e pozicionit në kuptimin se tashmë Asociacioni bëhet i pranueshëm. Është një ‘po’ e kushtëzuar. Kushtet janë reale, në kuptim që janë pozicion i arsyeshëm fillestar i Kosovës. Mendoj se brenda atyre kushteve ka hapësirë që të arrihet deri te një lloj asociacioni që është i pranueshëm”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Për njohësin e çështjeve politike, njëherësh profesorin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhirin, deklaratat e Kurtit për Asociacionin janë një evoluim i pavullnetshëm politik, por megjithatë, sipas tij, ato paraqesin një mesazh të fortë për bashkësinë ndërkombëtare.
Ai thotë se pas këtyre deklaratave ekziston gatishmëria që të lëvizet nga qëndrimet bllokuese dhe të kërkohen gjetje kreative, që të arrihet deri te një pikë që është e përshtatshme për të gjithë.
“…sepse vetëm me këtë qasje mund të normalizohen raportet e dëmtuara me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është një ndryshim shumë i rëndësishëm sepse tregon një nivel tjetër të komunikimit të temës së Asociacionit, pasi më nuk është refuzim automatik, siç ishte deri më tani”, thotë ai.
Muhaxhiri shton se Kurti tashmë ka krijuar hapësirë që të bisedohet për Asociacionin, bazuar në kërkesat e tij.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të formojë Asociacionin.
SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që të paraqesë vizionin e tij për Asociacionin, duke thënë se dëshiron që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo të krijojë një Republika Sërpska, sikurse në Bosnje e Hercegovinë.
Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, duke vënë kushte për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po tenton ta imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës dhe jo dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe që gjenden në gjithë Kosovën.
Në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Asociacioni do të duhej të përfshijë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
“Kjo do t’i jepte një mundësi Qeverisë së Kosovës që më në fund të dalë me një propozim për integrim. Asnjë nga qeveritë e Kosovës nuk ka pasur program për integrim, kanë vetëm një program të largimit të institucioneve serbe dhe arritjes së sovranitetit të plotë. Unë i kuptoj, por është një politikë joproduktive”, thotë Janjiq.
Cili është kushti problematik?
Pavarësisht se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti janë të pranueshme, ajo që Asociacioni të jetë në kuadër të marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë, po shihet si problematike.
“Kjo mund të jetë problematike për shkak të rrethanave, për shkak të kontekstit të komplikuar gjeopolitik. Nuk mund të pritet që Serbia ta njohë në mënyrë të thjeshtë Kosovën. Por, me siguri duhet të bëhet ndonjë modalitet kreativ, në mënyrë që të gjendet një mes ku Serbia do të pranonte ekzistencën e shtetit të Kosovës”, thotë Artan Muhaxhiri.
Maliqi, ndërkaq, vlerëson se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti nuk janë as kushte, pasi “janë të nënkuptuara në marrëveshjet, qoftë ato ekzistuese apo edhe në draftet që kanë qarkulluar”.
Pse ndryshoi qëndrimin kryeministri Kurti?
Agon Maliqi thotë se Kurti ka vlerësuar se Kosova gjendet në një pozicion që nuk mund ta shtyjë më temën e Asociacionit. Kjo, sipas tij, mund të jetë edhe për shkak të garancive që kryeministri mund të ketë marrë nga aleatët që procesi të shkojë përpara, ose edhe nga frika se mund të ketë masa ndëshkuese, qoftë për Kosovën, apo edhe për të personalisht, në aspektin politik.
“Pra, është modifikim i qëndrimeve, që ndoshta buron nga ‘mbështetja për muri’ dhe mungesa e hapësirës së mëtejme manovruese”, thekson ai.
Ndërkaq, Muhaxhiri mendon se ky ndryshim qëndrimesh ka ardhur si pasojë e presioneve të faktorit ndërkombëtar.
“Kryeministri Kurti e dinë se më këtë qasje nuk mund të ketë një qeverisje normale në të ardhmen. Ose duhet të japë dorëheqje ose të ndryshojë qëndrim. Duket se ka zgjedhur opsionin e dytë, pra modifikimin e qëndrimit, një lloji evoluimi në raport me gjithë situatën”, vlerëson ai.
SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.
SHBA-ja dhe BE-ja së fundmi kanë shtuar përpjekjet e tyre për të dinamizuar procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Dialogu Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011, synon normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve.
Pavarësisht se Kosova thotë se në këtë proces nuk diskutohet për statusin e saj, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet ta kuptojnë se zgjidhja e statusit të Kosovës është në fakt zgjidhja e statusit të komunitetit serb.
“Komuniteti serb në Kosovë nuk mund të trajtohet si një nga minoritetet. Është thjesht një pakicë shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet shtet. Është një problem themelor që nuk kuptohet dhe Beogradi shpesh e keqpërdor”, thotë Janjiq.
Përderisa Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një plan për normalizimin e raporteve, që njihet si plani evropian, dy shtetet kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova këmbëngul që një marrëveshje eventuale përfundimtare të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe”, teksa Beogradi insiston që dialogu të përmbyllet me një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./rel
![](https://gazetainfokus.com/wp-content/uploads/2025/02/Fotolajm-1.jpg)
Të tjera
-
Grabitje në tentativë në Prishtinë
Mbrëmë në Prishtinë një i dyshuar i panjohur nën kërcënimin me thikë ka tentu...
-
Fushë Kosovë: Ngacmoi sẹksuạlisht të miturën, rrạhẹt nga babai i saj
Policia në Fushë Kosovë ka arrestuar të hënën një person pasi dyshohet se e k...
-
Delegacioni amerikan dhe ai rus në tavolinë, kush po merr pjesë në bisedime
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia diskutojnë për luftën në Ukrainë, n...
-
Nis takimi ShBA – Rusi në Arabinë Saudite
Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë nisur të martën takimin e ni...
-
Shqipëria emëroi zëvendësministre të Mbrojtjes, Blerina Abrazhdën me prejardhje nga Kosova
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka emëruar Blerina Abrazhdën me prejardhj...
-
Osmani ndan sot Dekorata Presidenciale për personalitete të shquara
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, sot nga ora 1...
-
Sot mbahet konferenca mbi të ardhmen e raporteve SHBA-Kosovë
Konferenca ndërkombëtare “E ardhmja e marrëdhënieve SHBA-Kosovë dhe diplomaci...
-
Vazhdon sot numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në 19 qendra
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të martën do të vazhdojë numëri...
-
DASH publikon raportin për Shqipërinë: Të shtohen hetimet për korrupsionin
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për luftën ndaj narkoti...
-
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhd...
-
Mot i ftohtë sot, temperaturat deri në -6 gradë
Ditën e martë mbetet ende mot i ftohtë. Do të dominojnë më shumë vransirat, p...
-
Parashikimi i motit për ditën e nesërme
Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i ftohtë. Mund ...