Gjenden dokumenta të tjera të klasifikuara në shtëpinë e Presidentit Biden
Autori: Gazeta inFokus 21:22 | 14 January 2023
Avokatët e Presidentit Joe Biden gjetën dokumenta të tjera të klasifikuara përveç atyre që ishin njoftuar më parë, në shtëpinë e tij në Uilmington, Delauer, konfirmoi të shtunën Shtëpia e Bardhë.
Këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Richard Sauber thotë në një deklaratë se gjashtë faqe dokumenta të klasifikuara u gjetën gjatë kërkimeve në bibliotekën private të Presidentit Biden. Fillimisht, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se ishte gjetur vetëm një faqe brenda shtëpisë.
Njoftimi më i fundit pason gjetjen e dokumentave në muajin dhjetor në garazhin e zotit Biden në Uilmington dhe në nëntor në ish-zyrën e tij në Qendrën Penn Biden në Uashington, nga periudha kur ai ishte nënpresident. Trajtimi i dokumentave të klasifikuara dhe të dhënave zyrtare nga administrata Obama është duke u hetuar nga prokurori Robert Hur, i cili u caktua si prokuror i posaçëm të enjten nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland.
Zoti Sauber u shpreh në një deklaratë të shtunën se avokatët personalë të zotit Biden, të cilët nuk kanë çertifikata sigurie, kishin ndalur kërkimet pasi gjetën faqen e parë të mërkurën në mbrëmje. Zoti Sauber gjeti materialet e tjera të enjten, ndërsa po ndihmonte në procesin e dorëzimit tek Departamenti i Drejtësisë.
“Kur po ua dorëzoja dokumentat zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë që më shoqëronin, pesë faqe të tjera me shënimin të klasifikuara u zbuluan mes materialeve, një total prej gjashtë faqesh”, tha zoti Sauber. “Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë që ishin me mua, i morën ato menjëherë”.
Zoti Sauber është shprehur më parë se Shtëpia e Bardhë ka “besimin se nga një shqyrtim i hollësishëm do të rezultojë se dokumentat ishin vendosur aty gabimisht, dhe se presidenti dhe avokatët e tij vepruan menjëherë sapo u zbulua ky gabim”.
Deklarata e zotit Sauber nuk shpjegon përse Shtëpia e Bardhë priti dy ditë për të ofruar një informacion të përditësuar për numrin e dokumentave të klasifikuara. Shtëpia e Bardhë po përballet tashmë me kritika për pritjen prej mbi dy muajsh për ta bërë të ditur zbulimin e dokumentave fillestare në zyrën e zotit Biden.
Të enjten, e pyetur nëse Presidenti Biden mundet të garantojë se nuk do të rezultonin dokumenta të tjera të klasifikuara gjatë kërkimeve të mëtejshme, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se “duhet të arrini në përfundimin se është përmbyllur, po”.
Zoti Sauber përsëriti të shtunën se Shtëpia e Bardhë do të bashkëpunojë me hetimin e prokurorit Hur.
Bob Bauer, avokati personal i presidentit, tha se ekipi i tij ligjor është “përpjekur të ruajë balancën mes rëndësisë për transparencë publike aty ku është e përshtatshme brenda normave ekzistuese, dhe kufizimeve të nevojshme për të mbrojtur integritetin e hetimit”.
Departamenti i Drejtësisë historikisht ndjek kritere të larta ligjore përpara se të ngrejë akuza penale për rastet e trajtimit të informacionit të klasifikuar, me parakushtin që personi duhet të ketë patur synimin që të shkelë ligjin dhe jo që të ketë vepruar thjesht me pakujdesi apo neglizhencë. Legjislacioni kryesor për marrjen e paligjshme dhe rikthimin e dokumentave të klasifikuara e konsideron vepër penale marrjen me vetëdije të dokumentave të klasifikuara dhe mbajtjen e tyre në kushte të paautorizuara.
Rrethanat e rastit të Presidentit Biden, të paktën me sa dihet deri më tani, dallojnë nga një hetim tjetër për trajtimin e dokumentave të klasifikuara nga ish-Presidenti Donald Trump në klubin privat dhe tashmë banesën e tij në Florida.
Në rastin e ish-Presidentit Trump, prokurori i posaçëm Jack Smith po heton nëse dikush u përpoq ta pengojë hetimin për mbajtjen e të dhënave të klasifikuara në pronën në Palm Beach. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë kanë thënë se përfaqësuesit e zotit Trump nuk zbatuan plotësisht një fletëporosi për rikthimin e dokumentave të klasifikuara, duke i shtyrë kështu agjentët që të riktheheshin në objekt me një mandat kontrolli, në mënyrë që të mund të merrnin materialet e tjera.
Të tjera
-
Mergim Lushtaku: Jemi 100% të sigurt në fitoren e madhe që do të hapë një kapitull të ri për Kosovën
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës me numër 100, Mergim L...
-
Linda Bekteshi e Xhafer Gashi në takime me qytetarët e Obiliqit: Mbështetja juaj na jep forcë për fitoren tonë
Kandidatja e LDK-së për deputete me numër 66, Lendita Bekteshi ka zhvilluar t...
-
Bedri Hamza: S’do të ketë tatime për pagat deri në 400 euro, kostoja e jetesës është bërë e papërballueshme
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se kostoja e jetes...
-
Pacolli i reagon Kurtit për deklaratat ndaj kompanisë dhe familjes Devolli: Përpjekje për të njollosur figura që e kanë zhvilluar Kosovën
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar për fjalimin e kryeministrit Al...
-
Ministria e Drejtësisë çon në Kushtetuese komentet rreth Ligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dorëzuar sot në Gj...
-
Gazmend Syla: Vetëm një vit para se të bëhej ministre, Donika Gërvalla e ofendonte rëndë Rexhep Selimin
“Sa gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së d...
-
Tejkaloi shpejtësinë e lejuar, dënohet me 300 euro
Policia në Gjilan i ka shqiptuar gjobën prej 300 eurosh, 3 pikë negative dhe ...
-
Ndërpritet dëshmia e Dobrunës, do t’i pranohen deklaratat me shkrim
Në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK...
-
Komisionerja e BE’së për zgjerim thotë se menjëherë pas zgjedhjeve në Kosovë do të ketë lëvizje për dialogun
Komisionerja e Bashkimit Evropian për zgjerim, Marta Kos, e ka përmendur shku...
-
Plạgoset me thịkë këngëtari në Shkodër
Një plagosje me thikë është shënuar paraditen e sotme në Shkodër. Nga të d...
-
EULEX’i përforcon praninë në Kosovë, pritet të arrijnë forca shtesë nga Franca, Italia, Portugalia e Lituania
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është du...
-
Pas sanimit të dëmeve nga sụlmi i nëntorit, lëshohet uji në kanalin e Ibër-Lepencit
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se është lëshu...