Lajme

Gjykimi për mashtrim, i akuzuari mohon se ka pranuar para dhe një veturë “Audi” nga i dëmtuari

Autori: Gazeta inFokus 15:34 | 12 January 2023

I akuzuari Kadri Batusha në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mohoi se ka pranuar para dhe një veturë “Audi” nga pala e dëmtuar, Nexhat Zejnullahu.

Një deklarim të tillë, Batusha e bëri në rastin ku i njëjti po akuzohet se ka sjellë në lajthim Zejnullahun, ashtu që duke i fshehur faktet e ka bindur të lidhë kontratë për shitblerjen e një banese, ku i dëmtuari Zejnullahu ia kishte dhënë atij një veturë në vlerë prej 25 mijë euro dhe para mbi 65 mijë euro, e që banesa në fjalë nuk u ndërtua kurrë.

Në pyetjen e prokurorit Arben Hoti se a është e vërtetë se ai dhe Zejnullahu kanë lidhur kontratë për shitblerjen e banesës dhe a kanë qenë të pranishëm Ardita Hyseni dhe Ragmi Zeqiri, i akuzuari e pranoi një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Prokurori Hoti pyeti të akuzuarin Batusha se a e ka njoftuar Zejnullahun se ai më nuk është pjesë e kësaj kontrate dhe se kontrata është e pavlefshme.

Lidhur me këtë, i akuzuari Batusha deklaroi se nuk ka pasur nevojë ta njoftojë, pasi që paratë nuk ia ka paguar.

“Nuk e kam njoftu se paret s’i ka pagu, veç e di që ka ardhë Ragmia m’ka thanë Kadri duhesh me ma dhanë banesën me ia shitë tjetërkujt sepse Nexhat Zejnullahu s’m’i ka dhanë paret”, tha ai.

I pyetur nga gjykatësja e çështjes, Sulltane Hoti se a është e vërtetë se i akuzuari i ka thënë Zejnullahut se nuk është e nevojshme të bëhet pagesa përmes xhirollogarisë dhe se mund të bëhet ‘cash’, Batusha tha se nuk është e vërtetë.

Ndryshe, të pranishëm në seancën e sotme nuk ishin i dëmtuari Zejnullahu, përfaqësuesi i tij-avokati Veton Rrecaj, si dhe dëshmitarët Ardita Hyseni dhe Ragmi Zeqiri.

Gjykatësja Hoti, lidhur me dëshmitaren Hyseni e ka konsideruar të lexuar deklaratën e saj, të dhënë në procedurë paraprake,ndërkaq ka refuzuar propozimin për dëgjimin e dëshmitarit Zeqiri të propozuar nga i akuzuari, meqenëse për të njëjtin nuk është siguruar asnjë adresë në mënyrë që të ftohet në seancë.

Në rrethana të tilla, seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 18 janar 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Kadri Batushës, sepse më 16 maj 2014 në Prishtinë, është iniciuar rasti kundër të njëjtit, me arsyetimin se ka vepruar në atë mënyrë që me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se i pandehuri Batusha duke fshehur faktet e ka bindur të dëmtuarin që të bëjë kontratë mbi shitblerjen e banesës, e cila ishte planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, me sipërfaqe prej 129,00 metra katrorë, me një çmim kontraktues prej 90 mijë e 300 euro.

Tutje, akti akuzues thotë se i dëmtuari i ka besuar të pandehurit pas prezantimit të lejes së ndërtimit dhe planit të banesës, me ç’rast fillimisht në emër të çmimit kontraktues të pandehurit ia jep një veturë të tipit “Audi” në vlerë 25 mijë euro dhe 20 mijë euro para të gatshme.

Kurse, pjesën tjetër të mbetur të parave prej 45 mijë e 300 euro i dëmtuari ia kishte paguar të pandehurit dy javë më vonë edhe pse banesa në fjalë nuk është ndërtuar kurrë, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar dëm material.

Me këtë, Batusha po akuzohet se kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera