Lajme

Osmani takohet me kryeministrin bullgar, Kosovës i premtohet mbështetje për furnizim me rrymë

Autori: Gazeta inFokus 17:01 | 30 November 2022

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bullgari u prit në takim edhe nga kryeministri në detyrë i këtij shteti, Galab Donev.

Osmani e Donev folën për marrëdhëniet bilaterale, ku e para e vendit tha se Kosova pret mbështetjen e Bullgarisë në rrugën euroatlantike, duke potencuar se në këtë aspekt, Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Bullgarisë.

“Të dy bashkëbiseduesit janë ndalë te çështja e sigurisë energjetike, derisa edhe kryeministri në detyrë Donev, sikurse presidenti Radev ka shfaqur gatishmërinë për ta mbështetur Kosovën me furnizim me energji elektrike. Palët konfirmuan se për këtë çështje do të ketë takim ndërshtetëror të ministrive të linjës përkatëse”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.

-Advertisement-

Tutje, në njoftim thuhet se Osmani ka marrë mbështetje nga Donev edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, teksa Osmani ka bërë të ditur se Kosova synon që brenda këtij viti të aplikojë për anëtarësim në BE.

Më tej, Osmani e Donev folën edhe për dialogun Kosovë – Serbi, ku sipas presidentes së vendit, dialogu duhet të jetë i fokusuar në njohje të ndërsjellë në qendër, ruajtjen e integritetit territorial dhe funksionalitetin e shtetit.

“Më tej, Presidentja Osmani, ka potencuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit”.

“Të dy palët janë dakorduar për bashkëpunim në fushën e politikës së jashtme, ekonomisë, arsimit dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera