Lajme

Trump darkon me supremacistin e bardhë, kritika nga republikanët

Autori: Gazeta inFokus 10:43 | 29 November 2022

Shtëpia e Bardhë iu bashkua të hënën kritikave të disa republikanëve ndaj ish-presidentit Donald Trump, lidhur me një darke që ky i fundit ka patur me supremacistin e bardhë Nick Fuentes, duke thënë se në Amerikë, nuk ka vend për forca të së keqes, sikurse racizmi, fanatizmi dhe antisemitizmi.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se ajo nuk do të komentonte çdo lëvizje të zotit Trump, por ishte e rëndësishme që qëndrime të tilla të dënoheshin qartësisht.

“Në shoqërinë tonë nuk ka vend për këto lloj forcash që përfaqësojnë të keqen“, u tha ajo gazetarëve. “Kur nuk flisni kundër këtyre lloj komenteve helmuese e të rrezikshme, kjo në vetvete është gjithashtu tepër e rrezikshme“.

-Advertisement-

Zoti Trump ka thënë se takimi në resortin e tij në Mar-A-Lago të Floridës ishte i paqëllimshëm, por ai u përball si rrallë herë me kritika nga republikanët, mes tyre dhe guvernatori republikan i shtetit Arkansa, Asa Hutchinson, i cili e akuzoi zotin Trump për fuqizim të ekstremizmit.

Zoti Trump njoftoi në fillim të këtij muaji se planifikon të kërkojë nga republikanët që ta kandidojnë zyrtarisht për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, por ai mund të përballet me sfidues në këtë përpjekje, përfshirë guvernatorin e Floridës Ron DeSantis dhe ish-nënpresidentin republikan Mike Pence.

“Presidenti Trump gaboi që i dha një vend në tavolinë një nacionalisti të bardhë, një antisemitisti dhe një mohuesi të Holokaustit dhe mendoj se ai duhet të kërkojë falje”, tha zoti Pence të hënën për një media amerikane.

Zoti Fuentes është cilësuar si një supremacist i bardhë nga Departamenti i Drejtësisë. Ai mori pjesë në tubimin e 6 janarit 2021 në Uashington që i parapriu sulmit në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump. Lidhja Anti-Shpifje tha se zoti Fuentes dikur “me shaka” mohoi Holokaustin dhe i krahasoi hebrenjtë e djegur në kampet e përqendrimit, me biskotat në furrë.

Të dielën Shtëpia e Bardhë kritikoi zotin Trumpin duke thënë në një deklaratë se “fanatizmi, urrejtja dhe antisemitizmi nuk kanë absolutisht vend në Amerikë, përfshirë edhe Mar-A-Lago”.

Por zëdhënësja Jean-Pierre shkoi më tej të hënën, duke nënvizuar përgjegjësinë e të gjithëve për të folur kundër mohuesve të Holokaustit dhe atyre që mbështesin qëndrime të tilla.

“Ne të gjithë duhet ta dënojmë këtë dhe duhet ta themi shumë qartë një gjë të tillë“, tha ajo./ Zëri i Amerikës

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera