Lajme

Ministri italian i Mbrojtjes në Kosovë, tregon se çfarë bisedoi me Mehajn

Autori: Gazeta inFokus 18:10 | 22 November 2022

Pas takimit me homologun nga Italia, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se është diskutuar për shumë tema dhe se ka falënderuar ministrin për rolin që ka luajtur Italia.

“Me ministrin kemi diskutuar për rëndësinë e gjeopolitikave. Kemi diskutuar për proceset që po kalon ministria e Mbrojtjes. Kemi diskutuar edhe për avancimin që kemi bërë ditëve të fundit për ndryshimin e ligjeve, ngritjen e kapaciteteve. E kam falënderuar për rolin që e ka luajtur Italia gjatë luftës, e pas luftës, por edhe atyre që sot kontribuojnë”.

“Për vitin 2023 kemi nënshkruar marrëveshje bilaterale, kemi pasur diskutim të mirëfilltë për gjendjen e sigurisë në rajon dhe botë, për gjendjen aktuale që gjendet Ukraina, roli i Kosovës, ofrimin që e ka dhënë Republika e Kosovës për mbështetjen e shtetit të Ukrainës por edhe trajnimeve që i kemi ofruar shtetit të Ukrainës”.

-Advertisement-

“Ne takohemi çdo muaj me 55 shtete të tjera, ku diskutojmë për situatën. Kemi diskutuar edhe për influencën e Rusisë në Ballkan. Kam ofruar ministrit që Kosova dhe FSK është e gatshme të mbështesë në operacione ndërkombëtare dhe të qëndrojmë krah për krah aty kur kërkohet për kontribut dhe për siguri globale”, ka thënë ai.

E homologu nga Italia, Guido Crosseto u shpreh se është diskutuar edhe situata aktuale mes Kosovës e Serbisë.

“Rëndësia e kësaj pjese të botës është dëshmuar në 20 vitet e fundit me kontigjentin e pjesës së Forcës së Sigurisë në Kosovë. Me këtë dëshirojmë të shprehim interesimin e Italisë në Ballkanin Perëndimor në vitet që vijojnë. Me ministrin Mehaj kemi diskutuar në shumë pika, kemi biseduar dhe e kam falënderuar për qëndrimin që ka pasur Kosova në situatat dramatike në Ukrainë”.

“E kam falënderuar ministrin për mikpritjen e trupave italiane. Kemi biseduar për aspiratat e Kosovës për bashkëngjitje në NATO. Kemi biseduar edhe për tema më të zorshme, siç është gjendja aktuale në kufijtë e pjesës veriore me Serbinë. Për shqetësimet e Italisë me situatën që ka ndodhur javëve të fundit. Dhe për gatishmërinë e Italisë që ta shohim se si mund të kalohet ngërçi i Kosovës me Serbinë”.

“Objektivi i dy vendeve është që të bëhen pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Në familje të gjithë duhet të dinë të bashkëjetojnë. Ky është objektivi ynë që kemi si Itali dhe për të cilën japim gatishmëri. Kjo pjesë e Evropës është shumë e rëndësishme”, ka thënë ndër të tjera Guido Crosseto.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera