Lajme

Deputeti i Vetëvendosjes: Edhe unë po ta kisha rrogën 500 euro, do të ikja jashtë

Autori: Gazeta inFokus 08:46 | 17 November 2022

”Nëse do ta merrja rrogën 500 euro edhe unë kisha kqyr me dalë jashtë”.

Kështu ka thënë Visar Korenica, deputet i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, të mërkurën në “Pressing” të T7.

Por punëtorët e sektorit privat marrin dukshëm më pak, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për vitet 2012-2021.

-Advertisement-

Paga neto për sektorin privat në vitin 2012 ishte 308 euro, ndërkaq në vitin 2021 është 376 – pra, 68 euro rritje për nëntë vite.

Më mirë qëndrojnë punëtorët e sektorit publik paga mesatare e të cilëve është 542 euro. Ndërkaq kampion në paga janë punëtorët e ndërmarrjeve publike, 680 euro, pagë mesatare neto.

Përkundër që qëndrojnë më mirë në aspektin financiar, kuleta e shtetit është e hapur për këto dy kategori punëtorësh – marrin shtesa herë pas here – do të marrin sërish.

Por kuleta e shtetit nuk është e hapur edhe për ata që e mbushin këtë kuletë, punëtorët e sektorit privat.

Ndihma e vetme e tyre ka qenë një shtesë prej 100 euro këtë vit, poqë nuk përfshinte të gjithë për shkak të vendeve të punës të paformalizuara që janë në tregun kosovar.

E nëse kërkohet paga mesatare për të gjithë punëtorët pa dallim sektori, ajo është 432 euro neto.

Nëntë vite më parë kishte qenë 348 euro, ka lëvizur vetëm 84 euro.

Ndërkaq rritje të çmimeve ka pasur vazhdimisht, sidomos viteve të fundit si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe luftës së Rusisë në Ukrainë.

Banka Botërore e ka dhënë shifrën 19 për qind të inflacionit, poqë për produktet esenciale e tejkalon dukshëm këtë normë.

Meqë pagat sillen ”kah 500shi“, një pjesë e madhe e tyre shkojnë për konsum. Avdullah Hoti, deptueti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të martën në Pressing të T7 ka thënë se ”2/3 e pagave mesatare në Kosovë shkon për konsum“.

Konsumi është vetëm një element i standardit të jetës, ka gjëra përtej konsumit e që janë elementare për plotësimin e nevojave të njeriut.

Referuar gjithë kësa situate, në vitin 2021 mbi 43 mijë qytetarë kanë vendosur ta lëshojnë Kosovën, për të kërkuar një jetë më të mirë – përtej dorëzimit të pjesës dërmuese të rrogës në sofër./express

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera