Lajme

KPK dhe Prokurori i Shtetit i reagojnë Kurtit: Informacionet e deklaruara sot nga kryeministri Kurti janë të pasakta dhe tendencioze

Autori: Gazeta inFokus 15:41 | 04 September 2022

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit kanë reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të bëra sot (e diele) në një konferencë për media.

Këshilli Prokurorial dhe Prokurori i Shtetit përmes një reagimi për media kanë shprehur sërish shqetësimin e thellë lidhur me siç theksojnë ata, riciklimin e vazhdueshëm të deklaratave të pamatura, të paverifikuara ndaj sistemit prokurorial, që po bëhen vetëm për konsum dhe agjendë politike nga ana e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Faktikisht, këto prononcime publike të Kryeministrit dhe Ministres së Drejtësisë për parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale në Prokurori, demantohen tërësisht nga raportet zyrtare të sistemit prokurorial. Nga raportet e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, sipas të dhënave për veprat penale për rastet e dhunës seksuale nga viti 2017 deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, janë parashkruar katër (4) raste, që ka pasur të bëjnë me dhunën seksuale”, thuhet në reagimin  e tyre.

-Advertisement-

KPK dhe Prokurori i Shtetit kanë theksuar se informacionet e deklaruara sot nga kryeministri janë të pasakta, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë krejtësisht tendencioze ndaj sistemit prokurorial.

“KPK dhe Prokurori i Shtetit ia bëjnë me dije Kryeministrit dhe Qeverisë se statistikat zyrtare nuk hartohen me paragjykime, por verifikohen, analizohen me profesionalizëm dhe miratohen në takimet e hapura për publikun nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Për më tepër, ky deklarim i pasaktë dhe tendencioz i Kryeministrit, shpreh nevojën që Kryeministri i vendit të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me sistemin prokurorial në suaza të kompetencave përkatëse, duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.

Ndryshe kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se bazuar në disa të dhëna rreth 200 gjykatës kanë shqiptuar vetëm dënime kusht dhe gjobë për rastet e dhunës seksuale, ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Në mbi 85 për qind të këtyre rasteve kanë qenë të mitura. 140 prokurorë kanë lejuar parashkrimin e rasteve të dhunës seksuale. Merreni me mend mbi 200 gjykatës, më shumë se gjysma e gjykatësve në Kosovë kanë shqiptuar vetëm dënime me kusht dhe gjobë, dhe rreth 140 prokurorë nga gjithsej 200 sa janë”, ka thënë Kurti. /Telegrafi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera