Lajme

BE: Hyn në fuqi plani i emergjencës për gazin

Autori: Gazeta inFokus 10:47 | 10 August 2022

Pasi plani i emergjencës së gazit u publikua të hënën (08.08) në Fletoren Zyrtare të BE-së ai hyri në fuqi një ditë më pas, të martën.

Rregullorja parashikon që të gjitha vendet e BE-së do të ulin vullnetarisht konsumin e gazit me 15 përqind nga fillimi i gushtit deri në mars të vitit të ardhshëm, krahasuar me konsumin mesatar të pesë viteve të fundit. Se si 27 vendet anëtare të BE-së do të ulin këto shpenzime, varet nga vetë vendet, sepse zbatimi është kompetencë e tyre. Plani i emergjencës fillimisht vlen për një vit. Si pasojë e luftës në Ukrainë, Rusia ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet me gaz në BE.

Rregullorja e BE-së parashikon përjashtime të shumta për vendet si Spanja apo Italia, si dhe “sektorë kritikë të ekonomisë” si industria ushqimore. Sipas shifrave të Komisionit të BE-së, në këtë periudhë duhet të kursehen gjithsej 45 miliardë metra kub gaz. Gjermania duhet të kursejë më së shumti, me rreth 10 miliardë metra kub për të arritur objektivin prej 15 përqind.

-Advertisement-

Gjermania duhet të kursejë më shumë

Përjashtimet nënkuptojnë se Gjermania duhet të kursejë dukshëm më shumë gaz se vendet e tjera këtë dimër, në mënyrë që të shmangë problemet e mëdha për industrinë apo edhe një recesion në rast të një ndërprerjeje së plotë të furnizimit me gaz rus. Kështu tha ministri i Ekonomisë, Robert Habeck pas marrëveshjes për planin e emergjencës së gazit, në fund të korrikut në Bruksel. Ai iu referua “gabimeve strategjike” të qeverive të mëparshme dhe varësisë së madhe gjermane nga gazi rus.

Nëse nuk kursehet mjaftueshëm dhe ka pengesa të mëdha me furnizim, hapi tjetër mund të jetë ndezja e alarmit në mbarë BE-në, që ka për qëllim kursimin me detyrim. Por për t’u futur në fuqi një plan i tillë, ai duhet të miratohet nga të paktën 15 vende të BE-së, të cilat së bashku përbëjnë të paktën 65 përqind të popullsisë totale në BE.

Landet duan të vendosin

Disa lande gjermane duan të kenë të drejtë fjale në planet e emergjencës, sipas të cilave gazi do të shpërndahej dhe racionalizohej në këtë vend në rast të mungesës. Duke pasur parasysh pasojat e rëndësishme ekonomike dhe sociale, ky vendim nuk mund t’i lihet vetëm Agjencisë Federale të Rrjetit, tha kryetari i bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher (SPD). “Qeveria federale duhet të përfshijë landet në përcaktimin e vijave bazë për prioritetet.” Për arsyen se zinxhirët e prodhimit janë të lidhur në mënyrë komplekse, është e rëndësishme të vlerësohen saktë efektet praktike.

Kundërshtimi vjen nga kreu i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Müller. Sipas mendimit të tij, landet janë mjaft të përfshira kur bëhet fjalë për hartimin e planeve emergjente në rast të mungesës së gazit. Landet janë të përfshira në ekipin e krizës prej fillimit dhe ato mund të japin rekomandime dhe kritika, tha Müller.

Transparenca është e rëndësishme, por veprimet duhet të merren shpejt në situata krize. Mund të keni vetëm 24 orë për të përgatitur një vendim të caktuar, e ndodh që duhet të keni edhe më pak kohë për vendim. Prioriteti kryesor është shmangia e mungesës së gazit. Këtu janë të rëndësishme kursimet, theksoi ai.

Gjermania duhet të kursejë 20 përqind të gazit për të kaluar pa probleme serioze vjeshtën dhe dimrin. Gjatë këtij viti kursimet e deritanishme kanë qenë rreth 14 përqind. Müller thotë se në këtë kontekst na ka ndihmuar “vera shumë, shumë e ngrohtë”. Ai pohon se nuk janë të mira idetë që të ngrohemi me energji elektrike. Kjo është shumë më e shtrenjtë se gazi. Do të ishte më mirë të rregulloni më mirë ngrohjen dhe të mendoni se sa ngrohtë duhet të jetë dhe ku mund të kursehet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera