Gucati e Haradinaj do të qëndrojnë në paraburgim në pritje të ankesave të tyre, përveç nëse paneli i Apelit urdhëron ndryshe
Autori: Gazeta inFokus 11:18 | 29 July 2022
Paneli i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga Michèle Picard, ka nxjerrë një vendim, në të cilin thuhet se paneli konfirmon se Hysni Gucati e Nasim Haradinaj do të qëndrojnë në paraburgim në pritje të ankesave të tyre, përveç nëse paneli urdhëron ndryshe.
Ndryshe, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Sipas këtij vendimi, më 17 qershor 2022, të akuzuarit kanë paraqitur njoftimet e tyre për apel, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Po të njëjtën ditë, ZPS paraqiti kërkesën e saj, duke njoftuar Presidenten se nuk synon të kërkojë ankim ndaj aktgjykimit dhe duke kërkuar që, nëse të akuzuarit kërkojnë të apelojnë aktgjykimin e gjykimit, paraburgimi i tyre të qëndrojë edhe nga Paneli i Apelit”, thuhet në këtë vendim.
Ndërsa, thuhet se më 22 qershor 2022, kryetarja e panelit i ftoi të akuzuarit që të paraqesin përgjigjen e tyre përkatëse ndaj kërkesës, nëse ka, brenda dhjetë ditëve nga shpërndarja e saj dhe ZPS-ja të dorëzojë përgjigjen e saj, nëse ka, brenda pesë ditëve nga përgjigjet.
Më 30 qershor 2022, Gucati dorëzoi përgjigjen e tij në kërkesë, kurse thuhet se mbrojtja e Haradinajt dhe ZPS nuk janë përgjigjur.
Vendimi thotë se në bazë të nenit 46 (8) të Ligjit, përveç rasteve kur kolegji gjyqësor ose Gjykata e Apelit urdhëron ndryshe, personi i dënuar mbetet në paraburgim në pritje të ankesës.
“Nga kjo dispozitë rezulton se, pasi një person të jetë dënuar, paraburgimi i tij/saj është rregulli dhe lirimi i përjashtimit. Paneli më tej thekson se, sipas rregullës 174 të Rregullores, rregullat 56 deri 60 lidhur me paraburgimin, me përjashtim të rregullës 58, do të zbatohen mutatis mutandis në procedurat para Kolegjit të Apelit. Interpretimi i këtyre Rregullave do të udhëhiqet nga prezumimi i paraburgimit i cili rrjedh, siç u shpjegua më lart, nga neni 46 (8) i Ligjit”, thuhet në vendim.
Tutje, thuhet se paneli përfundimisht thekson në këtë kontekst se Ligji – në rast neni 46 (8) – mbizotëron mbi Rregullat në rast konflikti.
“Në këtë sfond, Paneli konsideron se në kundërshtim me fazën para dënimit në shkallë të parë, ku para një gjykatësi paraprak ose trupi gjykues kërkohet, në përputhje me nenin 41 (10) të Ligjit dhe rregullin 57 (2) të Rregullores, të kryejnë automatikisht një rishikim dy-mujor të paraburgimit, kjo nuk kërkohet më gjatë procedurës së apelit pas dënimit”, thuhet tutje.
Sipas vendimit, dallimi në mes të fazës para dhe pas dënimit në lidhje me paraburgimin është në përputhje me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), i cili pasqyrohet ngushtë në nenin 29 të Kushtetutës së Kosovës.
“Sipas nenit 5 (1) (a) të KEDNJ-së, askush nuk mund të privohet nga liria, përveç, ndër të tjera, në rastin e ndalimit të ligjshëm të një personi pas dënimit nga një gjykatë kompetente. Kjo duhet kuptuar si dënim nga një gjykatë e shkallës së parë, pasi në atë kohë përfundon mbrojtja sipas nenit 5 (1) (c) dhe (3) të KEDNJ. Një mbrojtje e tillë përfshin një rishikim të rregullt të paraburgimit dhe kërkon lirimin e përkohshëm të të akuzuarit pasi ndalimi i tij/saj i vazhdueshëm pushon së qeni i arsyeshëm, pasi para dënimit nga një gjykatë e shkallës së parë ekziston një supozim në favor të lirimit”, thuhet nga paneli i Apelit.
Sipas këtij vendimi, interpretimi i mësipërm është gjithashtu në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës dhe më tej, nuk është paragjykues për të akuzuarin, pasi që ai ka të drejtë të kërkojë rishikimin e paraburgimit të tij në çdo kohë.
“Në dritën e më sipër, Paneli pajtohet me pohimin e Gucatit se kërkesa nuk kërkon ndonjë urdhër ose lehtësim”, thotë vendimi.
Në fund, thuhet se paneli konfirmon se të akuzuarit do të qëndrojnë në paraburgim në pritje të ankesave të tyre, përveç nëse paneli urdhëron ndryshe.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
Mbyllja e ATS-së/ Elshani jep detaje nga aksioni i sotëm në veri
Administrata Tatimore e Serbisë (ATS), e cila vepronte ilegalisht në Mitrovic...
-
Mbyllet zyra paralele tatimore e Serbisë në veri, sekuestrohen dokumente
Administrata Tatimore e Serbisë e cila vepronte ilegalisht në Mitrovicën e Ve...
-
Rreth 1 mijë e 600 tiketa trafiku të shqiptuara për 24 orë
Një mijë e 593 tiketa trafiku janë shqiptuar nga Policia e Kosovës brenda 24 ...
-
Zv.Sekretari Amerikan shkruan për vizitën që do ta zhvillojë në Kosovë, përmend sundimin e ligjit
Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Resurset, Ri...
-
Deri në 15 minuta pritja në Merdarë për të dalë nga Kosova
Në pikëkalimin kufitar në Merdarë, pritjet për të dalë nga Kosova janë 10-15 ...
-
Gjendet pa shenja jete një person në Gjilan
Një person gjatë të hënës është gjetur pa shenja jetë në Novobërdë të Gjilani...
-
Rrëzohet një aeroplan në Australi, ka viktima
Një avion u rrëzua pranë ishullit Rottnest afër qytetit Perth të Australisë P...
-
Zhduket një burrë në Lipjan
Një person është raportuar i zhdukur në Lipjan, shkruan Gazeta Infokus. Si...
-
Policia gjen kạllạsh dhe fishẹkë në shtëpinë e një burri në Podujevë
Policia ka gjetur kallash, katër fishekë dhe një gëzhojë në shtëpinë e një bu...
-
Rrạhu familjaren, arrestohet
Një person është arrestuar në Drenas pasi që i njëjti dyshohet se kishte usht...
-
E pazakontë në Arabinë Saudite, përmbytje të mëdha në disa qytete
Arabia Saudite po përballet me shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytje të rënda, d...
-
Çmimi i naftës bruto arriti nivelin më të lartë të tre javëve
Çmimet e naftës së papërpunuar zgjeruan fitimet në seancën aziatike të mërkur...