Lajme

Knaus: Shtetet e Ballkanit të integrohen në dy faza në BE

Autori: Gazeta inFokus 11:42 | 11 May 2022

Presidenti i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka propozuar anëtarësim me dy faza të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian në kushtet kur procesi i zgjerimit ka mbetur në vend numëro për 19 vite, që nga samiti i Selanikut më 2003, ku u tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit ishte Bashkimi Evropian. Në anën tjetër Presidenti francez Emmanuel Macron propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.

Në një intervistë për emisionin BalkansDebrief të Qendrës për Evropën të Atlantic Council në Ëashington DC, të drejtuar nga gazetarja Ilva Tare, eksperti për çështjet evropiane Knaus shpjegoi tezën e tij të anëtarësimit më dy faza në BE, ashtu siç është vepruar më 1994 me Finlandën, Suedinë dhe Austrinë.

Lufta në Ukrainë dhe sulmi ushtarak i Rusisë e ka transformuar debatin mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian, thotë Knaus.

-Advertisement-

“Nëse duam të tregohemi të ndershëm duhet ta pranojmë se premtimet për Ballkanin nuk u mbajtën”, vazhdon ai.

“Ne propozojmë të bëhemi realistë dhe të ndershëm. Bashkimi Evropian dëshiron që Ballkani të jetë i qëndrueshëm dhe i integruar. Ekonomitë e Ballkanit kanë nevojë të integrohen në një treg të përbashkët evropian. Përndryshe nuk ka asnjë shans që të arrihet në nivelin e Rumanisë, vendeve Baltike, Polonisë dhe Sllovakisë” u shpreh Gerald Knaus në BalkansDebrief të Atlantic Council.

Ai ka thënë se ka një interes nga të dyja palët për një proces real integrimi.

“Por, nëse procesi nuk ecën përpara për arsyen politike atëherë duhet të shohim eksperiencat e së kaluarës dhe t’a kthejmë në një proces me dy faza, ku hapi i parë, që është ofrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës dhe Moldavisë, një shans për t’iu bashkuar një tregu të përbashkët dhe të gëzojnë katër liritë, ku njerëzit mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian si qytetarë të Ballkanit, njësoj siç lëvizin norvegjezët, islandezët dhe rumunët apo bullgarët dhe ku bizneset, mallrat lëvizin lirshëm. Le të punojmë për të bërë diçka të realizueshme siç mund të jetë tregu i përbashkët në 4 vitet e ardhshme”, tha ai.

Sa i përket Tregut të përbashkët rajonal të çuar përpara nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC) dhe iniciativës së Ballkanit të Hapur, Knaus tha se bashkëpunimi rajonal është gjithmonë i mirëpritur, por nuk zëvendëson tregun e përbashkët evropian, ndër më të mëdhenjtë në botë.

“Open Balkans është një proces i mirë, por vetëm tri shtete janë përfshirë. Përse jo? Por nuk është e njëjta gjë nëse mundësohet plotësisht tregtia dhe investimet pa kufi me vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Përsëri në shkollë me Viva Fresh Store!  
-Advertisement-

Të tjera