Lajme

Becchetti konfiskon 20 milionë eurot e para nga Shqipëria

Autori: Gazeta inFokus 13:21 | 15 April 2022

Biznesmeni italian, Francesco Beccheti, konfiskoi 20 milionë eurot e para nga paratë e qytetarëve shqiptarë. Përkundër zotimeve publike të kryeministrit Edi Rama se Becchetti nuk do të merrte asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, një gjykatë në Bruksel i ka dhënë të drejtë ish-pronarit të Agon Channel të konfiskojë të gjitha të ardhurat që Shqipëria përfiton nga hapësira ajrore.

Vendimi që mban datën 23 mars u publikua fillimisht në portalin Hashtag.al. Në të, gjykatësi Philip Badeux ka konkluduar se të ardhurat e Shqipërisë në Eurocontrol nuk gëzojnë imunitet duke i dhënë të drejtë Francesco Becchettit që t’i konfiskojë ato.

Tarifat e përdorimit të hapësirës ajrore paguhen nga shoqëritë e fluturimit dhe mblidhen nga Eurocontrol. Më pas, Eurocontrol i derdh ato në agjencitë ajrore të secilit shtet, në varësi të trafikut të fluturimit. Në rastin e Shqipërisë, paratë derdhen në llogarinë e Albcontrol dhe ato janë instrumenti i vetëm që financon këtë institucion.

-Advertisement-

Llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol është bllokuar nga biznesmeni italian që në datën 1 dhjetor të vitit 2020. Qeveria shqiptare e ankimoi bllokimin në gjykatën belge. Procesi zgjati më shumë se 15 muaj dhe në fund gjykata ka vendosur në favor të biznesmenit italian duke i dhënë atij të drejtë të konfiskojë paratë që mbahen të bllokuara që prej 1 dhjetorit të vitit 2020.

Ndonëse institucionet shtetërore kanë një heshtje hermetike në lidhje me këtë çështje, MCN publikon dokumentin zyrtar që tregon se për vitin 2021 Eurocontrol ka derdhur 18.7 milionë euro në llogarinë e bllokuar të Albcontrolit. Këto para se bashku me të ardhurat e tjera që janë derdhur për tre muajt e parë të këtij viti, tashmë janë konfiskuar nga biznesmeni italian. Pra minimalisht 20 milionë euro.

Por nuk mbaron me kaq. Vendimi i jep të drejtë biznesmenit italian që të vazhdojë të marrë paratë e Shqipërisë në Eurocontrol deri në kompensimin e plotë të shumës së dënimit, që tashmë së bashku me interesat ka arritur në mbi 125 milionë euro.

Kjo do të thotë se hapësira ajrore e Shqipërisë do të punojë vetëm për Francescho Becchetin, ndërsa qytetarët shqiptarë do të paguajnë nga taksat e tyre miliona euro të tjera për të financuar Albcontrolin dhe shërbimin e navigimit ajror në Shqipëri, pasi të ardhurat nga tarifa e hapësirës ajrore janë burimi i vetëm i financimit për Albcontrol.

Një haraç rreth 130 milionë euro, për të cilin qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë përgjegjësi, por që janë ata që do ta paguajnë. Sipas vendimit të gjykatës së Arbitrazhit në Uashington, ky dënim ka tre shkaktarë kryesorë, duke filluar nga vetë kryeministri, sekretari i tij i përgjithshëm, Engjëll Agaçi, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Këta morën valët e një televizioni të dështuar nga një biznesmen kontrovers dhe lanë peng hapësirën ajrore të Shqipërisë. /mcntv.al

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera