Fokus

Konkursi për policë të rinj, kaq ankesa janë dorëzuar nga kandidatët

Autori: Samire Jaha 21:12 | 24 March 2022

Pas përfundimit të fazës së parë testuese të kandidatëve që kishin aplikuar për të u bërë policë të rinj, ka pasur ankesa të shumta sa i përket formulimit të testit, shkruan Gazeta Infokus.

Numri i saktë i kandidatëve të pakënaqur nga rezultatet e fazës së parë të testimit, është 183 kandidatë që janë ankuar.
Kështu është bërë e ditur nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Infokus.

“Pas publikimit të rezultatit të testit me shkrim me datë 16.03.2022, afati i ankesave ka qenë 5 dite kalendarike pas shpalljes së rezultateve dhe gjatë kësaj periudhe numri i ankesave të pranuara nga kandidatët ka qenë 183”, thuhet në përgjigjen e policisë për Infokus.

-Advertisement-

Po ashtu nga policia thanë se secila ankesë e pranuar nga kandidatët, është shqyrtuar nga komisioni përzgjedhës dhe është marrë vendim për secilën nga to.

“Lista meritore e pritjes është 2 vite aktive dhe bazuar në nevojat e Policisë së Kosovës, bëhet plotësim i numrit të nevojshëm nga lista e rangut sipas meritës”, janë përgjigjur nga Policia e Kosovës për Gazetën Infokus.

Ndërsa kanë shtuar se data për fazat e tjera të testimeve për kandidatët që kanë kaluar fazën e parë do të bëhet publike nga ana e policisë.

“Në testin me shkrim për zyrtar policorë kanë marr pjesë 8,510 kandidatë, ku prej tyre 1,447 kanë kaluar testimin, ndërsa të tjerët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë prej 70%. Sipas planifikimeve dhe procedurave pritet të vazhdohet me fazat tjera të testimeve, të cilat po ashtu do të bëhen publike dhe transparente”, kanë shtuar nga Policia e Kosovës për Infokus.

Ndryshe Gazeta Infokus ka raportuar edhe për disa ankesa të kandidatëve që janë prononcuar për Infokus, ku kanë treguar se përpos pyetjeve që kanë qenë të pakuptimta ka pasur edhe probleme me sistemin, me anë të cilit është bërë edhe testimi me shkrim.

Ndërkaq, nga rezultatet e publikuara nga Policia e Kosovës, prej gjithsej, 11 mijë e 842 personave të cilët kishin aplikuar, 9,844 kandidatë kanë dështuar në këtë fazë.

Prej tyre 2,781 kandidatë që kishin aplikuar për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës, nuk e morën mundin të shkonin fare në testimin me shkrim, si fazë e parë e kualifikimit për t’u bërë policë.

Ndërsa, vetëm 1,447 kandidatë kanë kaluar këtë fazë për të vazhduar edhe me fazat e tjera të testimit. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera