Lajme

Blinken uron 17 Shkurtin, përsërit mbështetjen për dialog

Autori: Gazeta inFokus 09:59 | 17 February 2022

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës në 14-vjetorin e shtetësisë.

Në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, ai ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ai ka shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

-Advertisement-

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Blinken ka thënë se po ashtu shpreson që Kosova të zë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike

“Si një prej demokracive më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin e bërë në këta 14 vjet. Nga ana jonë, ne jemi krenarë për mbështetjen e dhënë në këto përpjekje”, ka deklaruar Blinken.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera