Lajme

Kurti për masat e reja: Nuk po diskriminohet askush

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 27 January 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme ku po diskutohet për gjendjen me pandeminë në vend ka thënë se masat e marra për ata që hyjnë në Kosovë nuk janë diskriminuese.

I pari i ekzekutivit ka thënë se në shtetet tjera ky vendim mund të shihej si diskriminues pasi që ato vizitohen edhe nga qytetarë të Azisë e Afrikës të cilët nuk kanë mjaftueshëm vaksina.

Por sipas tij gati të gjithë ata që hyjnë në Kosovë janë nga Evropa e Amerika, të cilat janë të furnizuar mjaftueshëm me vaksina.

-Advertisement-

“Kjo logjikë nuk vlen për neve se gati të gjithë udhëtarët që vinë në Kosovë janë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe atje siç e dimë nuk ka mungesë të vaksinave. Edhe tek ne nuk ka mungesë të vaksinave. Në stoqet tona janë gjysmë milioni vaksina. Pra nuk po diskriminohet askush me këtë në vendin tonë”, tha Kurti nga foltorja e kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, ai tha se numri i të hospitalizuarëve dhe vdekjeve është i ulët sepse një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar me dy doza.

“Në kohën kur e gjithë bota por edhe rajoni po përballeshin me shifra alarmante të të infektuarve, ishte vetëm çështje kohe kur ky variant i virusit do të përhapej edhe në vendin tone. Numri i hospitalizimeve dhe humbjeve të jetës në këtë fazë mund të duket relativisht i ulët kjo natyrisht për shkak se një numër i madh i qytetarëve janë vaksinuar me dy doza dhe po vazhdon mirë edhe vaksinimi me dozën e tretë përforcuese”, ka shtuar Kurti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera