Lajme

Malishevë: I shkaktoi të miturit lëndime trupore, i akuzuari pranon fajësinë

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 11 January 2022

I akuzuari I.A, e ka pranuar fajësinë se në korrik të vitit që e lamë pas, sulmoi të miturin D.K, duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor. Ai tha se ndjehet i penduar dhe i kërkoi falje të dëmtuarit.

Këtë pranim të fajësisë, i akuzuari e bëri në seancën fillestare të së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që me kërkesë të të akuzuarit dhe nga gjyqtari i rastit Lulzim Paçarizi aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari u njoftua me të drejtat e tij dhe përparësitë e pranimit të fajësisë, më pas i njëjti e pranoi fajësinë për veprën penale e cila i vihet barrë.

-Advertisement-

“Jam fajtor, e di për çka kam ardhë, veprën s’e kam ba me paramendim, por fajtor jam. Por, nuk e di qysh ka ardhë ai moment, të dëmtuarit i kërkoj falje”, tha i akuzuari.

Tutje, prokuroi Sadri Alija deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke i propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpall fajtor duke marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese fakti se vepra është kryer ndaj viktimës së ndjeshme.

Pas kësaj, gjyqtari Paçarizi e aprovoi pranimin e fajësisë, ndërsa shpallja e aktgjykimit tha se do të bëhet më 12 janar 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur në shtator të 2021-ës nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, I.A akuzohet se i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të miturit D.K.

Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarit-të miturit D.K, përderisa i njëjti ishte duke qëndruar në rrethin e Kijevës, aty shkon i akuzuari, i cili afrohet me veturën e tij dhe me të vërejtur të dëmtuarin, fillimisht e ofendon e më pas i drejtohet me fjalët “largohu nga vetura ime”, duke e gjuajtur me gurë.

Në aktakuzë thuhet se i dëmtuari largohet nga aty dhe shkon në një restorant, mirëpo aty sërish i afrohet i akuzuari, ku e kapë të dëmtuarin për krahu duke i thënë “mos rri te vetura ime” e më pas e sulmon fizikisht duke e goditur me grushte në fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, lëndime këto të konstatuara edhe nga ekspertiza mjeko-ligjore.

Më këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 3, nën paragraf 3.1, lidhur me paragraf 1, dhe nën paragraf 1.4, të Kodit Penal, e cila vepër dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në tre vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera