Lajme

Sanksionet e amerikanëve për bandat në veri: A po merren masa nga shteti, flet ministrja Haxhiu

Autori: Gazeta inFokus 10:38 | 18 December 2021

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se nuk ka informacione nëse institucionet e drejtësisë apo edhe ato të sigurisë janë duke vepruar karshi personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione, e të cilët janë serbë nga Kosova. Lidhur me përfshirjen e personave të tjerë në këtë listë, Haxhiu tha se është shumë e rëndësishme që institucionet të mos i mbyllin sytë karshi këtyre rasteve. Po ashtu, ajo tha se të njëjtit njerëz nuk mund të operonin lirshëm pa mbështetjen e qeveritarëve të kaluar.

Ditë më parë, Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara vendosen sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq, si i dyshuar për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjatë së premtes, Ministria e Infrastrukturës ia ndërpreu kontratën për mirëmbajtje të rrugëve kompanisë së Radule Steviq, i cili është pjesë e kësaj liste.

Mirëpo, Haxhiu tha për KosovaPress se është e shqetësuar edhe për tërheqjen e fletëarrestit për Milan Radoiçiqin i cili është gjithashtu pjesë e kësaj liste. Sipas saj, fletërresti për Radoiçiqin është tërhequr për arsye që ende nuk janë bërë të qarta nga ana e Prokurorisë Speciale.

-Advertisement-

“Ne si Qeveri, por edhe si ministri e Drejtësisë, i kemi mirëpritur sanksionet e vendosura ndaj kriminelëve serbë nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konsideroj se jo vetëm pas këtyre sanksioneve, por edhe paraprakisht është dashur të ketë veprime të institucioneve qoftë të sigurisë, qoftë të drejtësisë, në raport me këta persona. E sidomos tani pas sanksionimit, unë nuk kam informacione në qoftë se institucionet janë duke e adresuar këtë. Kam qenë jashtëzakonisht e shqetësuar që për njërin prej tyre, në muajin shkurt të këtij viti, është tërhequr urdhërarresti, madje kam qenë e habitur me deklaratën e ish-prokurorit të kësaj lënde ku thotë se ‘ka pasur edhe profile të larta që kanë ardhur në derën time’, duke iu referuar politikanëve shqiptarë për të bërë presion tek ai për ta tërhequr këtë urdhërarrest”, u shpreh ajo.

Ministrja e Drejtësisë po ashtu tha seinstitucionet e drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovënuk duhet të kenë mëshirë ndaj kriminelëve të cilët kanë operuar lirshëm në Kosovës.

Haxhiu madje u shpreh se personat që janë futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të ishin pjesë e krimit dhe korrupsionit pa mbështetjen e politikave të qeverive të kaluara.

“Pas kësaj, nëse jo më herët, duhet veprime institucionale nga institucionet e sigurisë, drejtësisë dhe po ashtu ekzekutivit dhe në këtë drejtim jemi dakorduar me ministrat e kabinetit qeveritar që gjithçka që varet nga ne të adresohet këtu, me theks të veçantë Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës, por natyrisht edhe ministritë e tjera nëse kanë kompetenca. Drejtpërdrejtë Ministria e Drejtësisë nuk ka përgjegjësi në këtë, mirëpo ne jemi duke identifikuar nëse kemi diçka që mund të bëjmë në këtë drejtim, nuk duhet të kemi mëshirë ndaj kriminelëve të cilët kanë operuar lirshëm në Kosovës, është komplet e qartë se këta nuk do të mund të operonin me shkelje, krim dhe korrupsionin aq lehtë nëse nuk do e kishin mbështetjen e Prishtinës apo edhe të politikanëve që kanë qenë në Qeveri shumë vite”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke komentuar për KosovaPress paralajmërimet se lista e sanksioneve mund të zgjerohet me emra të tjerë, kërkoi që institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë të mos i mbyllin sytë karshi këtyre rasteve, pavarësisht nëse të njëjtit janë politikanë apo edhe persona që kanë pasur pozita të larta.

“Ka shumë deklarata që lista do të zgjerohet, natyrisht nuk kam as kompetencë që ta adresoj këtë, unë e kam shumë të rëndësishme që institucionet tona mos t’i mbyllin sytë karshi këtyre rasteve, pavarësisht emrave të përveçëm të këtyre personave, qofshin ata politikanë, qofshin ata profile që kanë pasur pozicione më të larta në Kosovë, sepse po them edhe njëherë se është koha e fundit kur duhet të dëshmojmë që e kemi seriozisht dhe kemi vullnet për t’i luftuar këto dukuri”, tha Haxhiu për KosovaPress.

Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radule Steviq të gjithë serbë nga Kosova janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera