Lajme

Kosova dhe Kroacia shumë shpejt me marrëveshje në fushën e blerjeve ushtarake

Autori: Gazeta inFokus 08:02 | 30 September 2021

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë vizitës së tij në Kroaci, u takua me ministrin kroat të Mbrojtjes, Mario Banoziq.

Ky i fundit e falënderoi ministrin Mehaj për pranimin e ftesës për pjesëmarrjen në panairin e njohur, ASDA 2021, në qytetin e Splitit të Kroacisë.

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

-Advertisement-

Sipas kumtesës ministrore, gjithashtu në këtë takim u diskutua për potencialin e bashkëpunimit të ardhshëm tekniko-ushtarak në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë. Bashkëbiseduesit gjithashtu ripërsëritën rëndësinë e dialogut strategjik midis dy vendeve në kontekstin e interesit të përbashkët për stabilitetin e Evropës Juglindore.

Në mes tjerash, ministri Mehaj dhe ministri kroat, Banozic u pajtuan për realizimin e marrëveshjes në fushën e blerjeve ushtarake “Shtet me shtet”, për mundësinë e pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta paqeruajtëse, si dhe për Memorandumin e ri të Mirëkuptimit mes dy ministrive të mbrojtjes, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Prishtinë.

Gjatë këtij takimi, ministri Mehaj vlerësoi lart rolin dhe kontributin e madh të kontingjentit kroat në kuadër të KFOR-it.

Po ashtu, ministri Mehaj dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e njoftuan ministrin Banozic, mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, veçanërisht për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.

Sa i përket bashkëpunimit shumëpalësh dhe duke pasur parasysh që Republika e Kroacisë kryeson Nismën Rajonale, SHBA-Karta e Adriatikut (A5) si dhe Bashkëpunimin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore këtë vit, ministri Mehaj mori ftesën nga ministri Banozic, për pjesëmarrje në takimet e ardhshme në nivelin e ministrave të mbrojtjes të të dy nismave.

“Republika e Kroacisë është partner i fuqishëm rajonal me të cilin do të rrugëtojmë së bashku në perspektivën e sigurt zhvillimore në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, theksoi me këtë rast ministri Armend Mehaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E PREMTJA E BARDHË NË ETC ME ZBRITJE DERI 50%
-Advertisement-

Të tjera