Lajme

Gërvalla: Qeveria e re po demonstron ndryshimin që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane

Autori: Gazeta inFokus 11:38 | 13 September 2021

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë sot se asnjë vend në rajon e Evropë nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s sa Kosova.

Gërvalla ka thënë se në Kosovë për BE-në dhe NATO-n ka një mbështetje prej më shumë se 90% të kosovarëve.

“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e Qeverisë sonë”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

Gjithashtu ka folur për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat euroatlantike.

Ministrja Gërvalla ka theksuar se Kosova në të njëjtën kohë po punon me shumë partnerë të tjerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë. Me më shumë se njëqind vende ka thënë se ekzistojnë marrëdhënie zyrtare. Po ashtu ka bërë të ditur angazhimin qeveritar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“Duke zbatuar një sërë reformash, mbi të gjitha me fokusin e saj të qartë në vendosjen e sundimit të ligjit, Qeveria e re po demonstron ndryshimin, i cili ka ardhur në Kosovë dhe që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane”, ka nënvizuar ajo.

Të gjitha këto Gërvalla i ka thënë sot në hapjen e edicionit të shtatë të Shkollës Diplomatike që po zhvillohet në Pejë, e ku po marrin pjesë diplomatë nga 16 shtete të botës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
-Advertisement-

Të tjera