Lajme

Ministria e Arsimit: Të gjithë nxënësit e Kamenicës të jenë sot në shkollë

Autori: Gazeta inFokus 07:32 | 05 May 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë thirrje që sot të gjithë nxënësit e komunës së Kamenicës të jenë në shkollë, në bazë të vendimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar.

Vendimin për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar për 441 nxënës të komunës së Kamenicës, MASHTI e ka marrë duke respektuar obligimet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, si dhe Konventën mbi të Drejtat e Fëmijëve.“Ftojmë prindërit që të kujdesen për dërgimin e fëmijëve në objekte shkollore si dhe mësimdhënësit të jenë në kryerje të detyrës sipas planifikimeve që janë bërë me Inspektoratin e Arsimit.

Askush nuk mund të ndërmarrë masa ndaj mësimdhënësve të cilët e kryejnë detyrën e tyre në të mirë të nxënësve. MASHTI merr përsipër mbështetjen për secilin person qoftë mësimdhënës ose personel tjetër i cili ua garanton të drejtën e fëmijëve për shkollim.

-Advertisement-

Të gjithë duhet të jenë në shërbim të organizimit të mësimit dhe ofrimit të ndjenjës së sigurisë për secilin fëmijë dhe mësimdhënës.Mësimi alternativ i përshpejtuar, i planifikuar për fëmijët që nuk po vijojnë mësimin që nga shtatori e disa edhe më shumë është i domosdoshëm. Andaj, inkurajojmë të gjitha palët që sa më parë të gjejnë zgjidhje në lidhje me organizimin e shkollave dhe që viti i ri shkollor të jetë i rregullt për të gjithë nxënësit”, përfundon komunikata e MASHTI-t.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më herët ka kërkuar nga komuna e Kamenicës të zbatojë në tërësi vendimin dhe që mësimi të organizohet për nxënësit e SHFMU “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë, SHFMU “Asllan Thaqi”, në fshatin Karaçevë e Poshtme, SHFMU “Xhelal Sopi” në fshatin Petrocë, për nxënësit e Paraleles fizike në fshatin Shipashnicë e Poshtme si dhe, për nxënësit e paraleles fizike në fshatin Kopernicë.Me këtë vendim nuk është pajtuar kryetar i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili përmes një letre publike ia ka rikujtuar ministres Nagavci reformat që i kishte nisur kur ishte në krye të arsimit në Prishtinë. Ai në letrën e tij e ka njoftuar Negavcin me problemet që ballafaqohet arsimi në Kamenicë. Këtë vendim, Kastrati e quan “shkel e shko”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera