Fokus

Kryeopozitari “anti-amerikan” – Takimet intensive të Albinit me të fuqishmit e Evropës

Autori: Halil Berisha 15:51 | 14 September 2020

Brenda një viti, Albin Kurti, nga shef i Qeverisë u bë kryeopozitar.

E ndryshimet dramatike në skenën politike të Kosovës përplot me akuza nuk kaluan pa u vërejtur e komentuar edhe nga politikanët e shteteve të ndryshme të botës, shkruan Gazeta Infokus.

Prej tyre, për Albin Kurtin pati edhe kritika goxha të mëdha. Sidomos nga i dërguari i Presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë – Serbi.

-Advertisement-

Bile, Grenell sikur rrallëherë, Kurtin e akuzoi me fjalë që zakonisht dëgjohen prej kundërshtarëve të tij politik në Kosovë.

Grenell, Kurtin e quajti anti-amerikan.

“Një gjë është e sigurtë, gjithmonë duhet të prisni që Albin Kurti të jetë kundër Shteteve të Bashkuara. Ai ishte kundër ideve të Obamas dhe ishte kundër ideve të Bushit. Simbolikat nuk paguajnë qiratë; punët i paguajnë”, ka shkruar Grenell si kundërpërgjigje ndaj Kurtit i cili tha që kur të vije në pushtet nuk do të jetë i detyruar të respektoj zotimet e Kryeministrit ilegal.

Por, për dallim me Grenell, si duket Albin Kurti ka raporte goxha të mira me evropianët.

Bile ditëve të fundit takimet e tij me njerëz të fuqishëm të shteteve të rëndësishme të Evropës janë intensifikuar me të madhe, shkruan Gazeta Infokus.

Një takim të tillë, Kurti e pati edhe këtë të hënë të 14 shtatorit.

Bashkë me ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën e Valë Gjonbalajn, Kurti priti në takim Përfaqësuesin Special të Norvegjisë për Ballkan Arne Sannes Bjørnstad dhe ambasadori ne këtij vendi në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.

Tema u tha që pat shumë, por kryesoret ishin dialogu me Serbinë, lëndët që Vetëvendosja i dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, situata gjeopolitike në rajon dhe gjendja me pandeminë në Kosovë, shkruan Gazeta Infokus.

4 ditë para këtij takimi, më 10 shtator, Kurti në takimi priti Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog dhe zëvendësin e tij Riçardo Serri.

Shefi i ri i BE-së sipas komunikatës së VV-së i ka bërë me dije Kurtit që e ardhmja e Kosovës është veç në BE e askund tjetër.

“Ai tha se e ardhmja e vetme për Kosovën është në BE, dhe se kjo duhet të konsiderohet si përfundim i pashmangshëm e jo si alternativë. Tutje ai paralajmëroi planin e ri të investimeve të BE-së në Kosovë, duke filluar nga fillimi i tetorit të këtij vitit”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Ndërsa këtu thuhet që Kurti e ka njoftuar atë për programin e Qeverisë Kurti 2 që ësthë zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës e lufta kundër korrupsionit, shkruan Gazeta Infokus.

E para këtij takimi, Kurti ishte për vizitë në Gjermani.

Këtu pati takime të shumta me politikanë të këtij shteti.

Kurti më 10 shtator lajmëroi që ka takuar Ministrin Franz Untersteller me të cilin kanë biseduar për bashkëpunim ndërshtetëror për politika të energjisë dhe mbrojtjes së ambientit.

Takim tjetër në Gjermani Kurti pati me kryetaren e grupit parlamentar Natascha Kohnen të SPD-së, me të cilën tha që ka biseduar për strategjinë e sistemit dual në edukim që lidh tregun e punës me arsim profesional, shkruan Gazeta Infokus.

Në parlamentin bavarez Kurti është takuar edhe me zëvendës Kryeparlamentarin Karl Feller i cili Kurti tha që iu është zotuar për ndihmën e tij në fushën e arsimit për Kosovën.

Ftesa për vizitë në Berlin, Kurti thotë që i erdhi nga raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon.

Cramon disa herë edhe në rrjetin e saj social kishte dalë në përkrahje të Kurtit.

E këtë vizitë Kurti e ka bërë publike më 8 shtator duke thënë që fillimisht pati mëngjes pune në Heinrich Böll Stiftung, tryezë kjo e mbyllur e që pjesë ishin politikanë, diplomatë, zyrtarë e ekspertë gjerman të përzgjedhur të partive e institucioneve të ndryshme.

Menjëherë pas kësaj Kurti ka treguar që vizitën e ka vazhduar në selinë e partisë SPD dhe një tryezë tjetër në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR).

Se Kurti tashmë raportet me politikanë evropian i ka goxha të mira e thotë edhe fakti që në mbrëmjen e ditës së parë të vizitës për Kurtin Friedrich Ebert Stiftung organizoi një darkë me deputetë social-demokratë.

Para se të shkoj në Gjermani, më 2 shtator, Kurti në zyrën e partisë priti ambasadoren e një vendi tjetër evropian.

Fjala është për finlandezen Pia Stjernvall, shkruan Gazeta Infokus.

Edhe këtu, ani se para marrëveshjes së Uashingtonit, temë kryesore e takimit ishte situata politike, ekonomia në vend, gjeopolitika rajonale, bisedimet në ShBA e pandemia.

“Kryetari Kurti e njoftoi ambasadoren finlandeze znj. Stjernvall për Qeverisjen Alternative të Lëvizjes që përbëhet nga pesë shtylla: Ekonomi dhe Financa, Drejtësi dhe Siguri, Shëndetësi, Mirëqenie Sociale dhe Sport, Arsim, Kulturë dhe Rini si dhe Politikë e Jashtme, Integrime Evropiane dhe Diasporë. Nga këto shtylla do të dalin idetë dhe propozimet konkrete mbi atë se si të dilet nga problemet e shumëfishta me të cilat po ballafaqohet vendi.

Në fund Kryetari Kurti dhe znj. Sjternvall u dakorduan për angazhim të mëtutjeshëm në drejtim të  zhvillimit të marrëdhënieve të mira bilaterale”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Një ditë para këtij takimi, tash në ditën e parë të shtatorit, Kurti në zyre priti kryediplomatin italian në Kosovë Nicola Orlando.

Në njoftimin e VV-së thuhet që Kurti e ka njoftuar atë me Qeverisjen Alternative të Lëvizjes dhe idetë se si të dilet siç thuhet nga kriza e shumëfishtë që e ka kapluar vendin.

“U diskutua edhe për situatën në rajon e bisedimet e paralajmëruara në Ëashington DC. Kryetari Kurti tha se vendi ka nevojë për menaxhim të mirë e profesional dhe për një qeveri tjetër me kredibilitet e autoritet. Prandaj ai ritheksoi nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja që do nxjerrnin një qeveri të re, që ka si legjitimitetin ashtu edhe besueshmërinë qytetare për të qeverisur me vendin”.

Takim me gjermanët, veçse tash në Kosovë, Kurti pati edhe në gusht.

Në takim njoftues Kurtit më 5 gusht i shkoi ambasadori i ri gjerman Jörn Rohde, shkruan Gazeta Infokus.

“Ambasadori Rohde ritheksoi se për Gjermaninë luftimi i krimit dhe korrupsionit në Kosovë vazhdon të jetë prioritet, derisa rikonfirmoi mbështetjen e saj në ndërtimin e shtetit ligjor në Kosovë. Në anën tjetër, kryetari Kurti e njoftoi ambasadorin Rohde për prioritet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe qeverisjes së tij të cilat krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe sundimit të ligjit, përfshijnë ngritjen e cilësisë së arsimit dhe ndërlidhjen me tregun e punës përmes sistemit dual arsimor që për shembull ka pikërisht Gjermaninë. Në takim u folë edhe për situatën e përkeqësuar shëndetësore në Kosovë, ashtu sikurse edhe për qeverisjen aktuale.

Kryetari Kurti tha se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar të bashkëpunojë ngushtë me shtetet demokratike që ndajnë vlera të përbashkëta teksa theksoi rëndësinë e partneritetit evropian dhe transatlantik”, thuhet në njoftimin e VV-së./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera