Lajme

9 vite më parë Atifete Jahjaga u zgjodh presidente e Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 07:18 | 07 April 2020

Me 80 vota pro, Kuvendi i Kosovës më 7 prill 2011, zgjodhi ish-zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme të Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga, në postin e presidentes.

Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christofer Dell.

Ajo fitoi në rrethin e parë të votimit, duke u bërë kështu presidentja e parë femër e shtetit të pavarur të Kosovës. Për kundërkandidate kishte deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, derisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

-Advertisement-

Presidentja e zgjedhur, Atifete Jahjaga, u betua para Kuvendit se do të mbronte Kushtetutën, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.

Në fjalimin e parë para Parlamentit, presidentja Jahjaga tha se kishte v ullnet dhe vetëbesim që të ndihmojë reformat dhe ndryshimet pozitive në Kosovë.

Procesi i votimit ishte bojkotuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në fund, me 75 vota për dhe 2 abstenime Kuvendi miratoi edhe rezolutën, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe ish-kandidatit për president, Behgjet Pacolli.

Në këtë marrëveshje është përfshirë edhe pajtimi i treshes për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore, zgjedhjet presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

Kush është Atifete Jahjaga?

Atifete Jahjaga u lind më 20 prill, 1975, në Gjakovë, ndërkaq shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet në Fakultetin Juridik i kreu në Prishtinë.

Përfundoi edhe studimet në Universitetin Leicester në Angli, certifikimin postdiplomik në menaxh imin policor dhe të së drejtës penale në vitin 2006/2007 dhe certifikimin postdiplomik në shkenca kriminalistike në Universitetin e Virxhinias në SHBA.

Karrierën e saj e nisi në Policinë e Kosovës, duke qenë e angazhuar në sektorë të ndryshëm të këtij institucioni, që nga patrullimi e deri te hetuesia.

Ka kryer edhe trajnimin në Qendrën Evropiane të Sigurisë “Xhorxh Marshall” në Gjermani dhe në Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jahjaga ka ushtruar postin e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ndërsa një kohë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera