Lajme

9 të vdekur e 561 të infektuar në Policinë e Kosovës

Autori: H. Smajli 16:29 | 21 September 2020

Prej fillimit të pandemisë 9 policë kanë vdekur e 561 janë infektuar.

Kjo derisa zyrtarët policor punojnë pa sigurim shëndetësor e jetësor, shkruan Gazeta Infokus.

Në këtë gjendje familjet e policëve të vdekur varen veç nga mëshira e fatit dhe vullneti i qeveritarëve, por jo nga ligji.

-Advertisement-

Policia e Kosovës për Gazetën Infokus ka treguar se nga këto raste 537 janë shëruar e 42 janë aktive.

“Që nga paraqitja e pandemisë janë infektuar me Covid 561 zyrtar policor, 27 staf civil kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prej tyre janë shëruar 537 zyrtar policor, ende aktiv në trajtim janë 42 zyrtar policor, ndërsa 9 zyrtar kanë ndërruar jetë”, thuhet në përgjigjen e tyre për Infokus.

Po ashtu në përgjigjen e Policisë thuhet se Policia e Kosovës, referuar situatës dhe rrethanave të krijuara që nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it COVID-19.

E policia e Kosovës ka disa ditë që ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të plotësojë kërkesat e tyre që janë “shtesa prej 300 eurove, pagesa për punë jashtë orarit, shujtat ditore dhe pagesat për ndërrim të natës.

Sindikata e Policisë i ka dhënë afat qeverisë Hoti deri në fund të këtij muaji që të plotësojë këto kërkesa.

Këto kërkesa janë konsideruar si bazike për kohën e pandemisë, megjithatë Policia e Kosovës ka vite që po kërkon sigurim shëndetësor e atë jetësor.

“Ti rikujtojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës se deri me datë 15.09.2020 t’i përmbushë kërkesat e cekura më lart të cilat janë shumë simbolike në krahasim me faktin se Policia janë duke punuar 12 orë pa pushime, duke tejkaluar të gjitha normat ligjore për punë, përfshirë punën jashtë orarit dhe pamundësinë e shfrytëzimit të pushimeve të plota”, thuhej në këtë komunikatë të Sindikatës.

Kujtojmë se deri më tani në Kosovë nga virusi COVID-19 kanë humbur jetën 615 persona ndërsa raste aktive të infektuar janë edhe 1mijë e 853./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera