Opinione

(9) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 09:03 | 08 April 2020

Pse Kryeministri Kurti s’është naiv? Në vend që Kryeministri ta hiqte taksën, të shkonte në Uashington e Bruksel, të merrte timonin e dialogut që i takonte me Kushtetutë, të fliste nëse kishte apo jo marrëveshje të keqe, e cila së shpejti do të mund t’i servohej Kosovës, ai përkundrazi u mundua të dukej naiv – edhe pse fare s’ishte i tillë duke qenë i rryer në politikë – që duke liruar nga detyra njeriun kyç të LDK-së, pra Ministrin e Brendshëm, për një deklaratë personale që ky i fundit kishte bërë në një televizion, ndërsa heshti kur nuk liroi Ministrin e Integrimit, i cili skandalizoi opinionin publik duke kërkuar që Serbisë t’i sigurohej koridor për dalje në deti të Shqipërisë, diçka që shkonte 100% në linjë me projeksionet e politikës hegjemoniste serbe në 100 vjetët e fundit.

Po të ishte aq rezultativ ky Ministër i Integrimit a nuk do të duhej të mbahej nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët shumë më tepër se Kosova kanë nevojë për njerëz të mençur e me përvojë karshi një Maqedonie të Veriut, e cila ndërton paqen në kurriz të shqiptarëve? E në vend ky Ministër të kërkonte falje dhe të jepte dorëheqje për skandalin që bëri, ky në të kundërtën arsyetonte deklaratën e tij duke thënë të jetë nxjerrë nga konteksti. Nëse Kryeministri në detyrë do të lironte Ministrin e Integrimit para atij të Brendshëm, kjo me shumë gjasë do të neutralizonte LDK-në, për të kërkuar prishjen e koalicionit.

Por jo, Kryeministri në detyrë, e kishte kuptuar që heqja e taksës do ta defaktorizonte atë në dialogun Kosovë-Serbi që po pritet të ndërmjetësohej nga SHBA dhe duke mos qenë në gjendje të pranonte ç’protagonizimin e tij, qëllimisht preu degën ku ishte ulur në kohën më të keqe të mundshme, pra liroi njeriun numër dy të LDK-së pa kurrëfarë konsulte me kreun e LDK-së dhe ra nga froni. A nuk do të duhej ta konsultonte kreun e LDK-së dhe ta qortonte Ministrin e Brendshëm për deklaratën e bërë?

-Advertisement-

Nëse jo për parime, a nuk do të duhej që Kryeministri në detyrë që për hir të gjendjes së rëndë nëpër të cilën po kalon Kosova shkaku i koronavirusit, të mos e lironte Ministrin e LDK-së? Nëse Kryeministri në detyrë e dinte se kush është Ministri i Brendshëm, pse pranoi të bënte koalicion me të? Në fakt Kryeministri në detyrë e dinte në mënyrë të përsosur që Ministri i Brendshëm nuk ishte në anën e tij, por atij i interesonte që një herë me çdo kusht të bëhej Kryeministër e më vonë varësisht prej konstelacioneve vendore e ndërkombëtare ta shporrte atë nga Qeveria.

Edhe në fakt ashtu veproi Kryeministri në detyrë. Sapo kriza e pandemisë filloi, ai pa një pa dy provokoi partnerin qeverisës. E nëse Kryeministri ka bërë kësi kalkulime, të cilat në fakt edhe i bëri, si u bë që të lironte njeriun kyç të koalicionit në kohën kur Kosovës i duhej stabilitet politik më shumë se kurrë në historinë e saj 21 vjeçare duke patur parasysh gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalonte Kosova, rajoni dhe tërë globi shkaku i koronavirusit?

A nuk e dinte Kryeministri në detyrë se Qeveritë e Koalicionit janë të brishta në çdo shtet të botës, jo vetëm në Kosovë? A nuk e dinte Kryeministri në detyrë se vendim-marrja në Qeveri të Koalicionit është shumë e vështirë, jo vetëm në Kosovë, por në tërë botën? Nëse Kryeministri në detyrë pandehte që ishte burrështetas i rrallë shtetëror që ishte i gatshëm të merrte vendime të mëdha, pse atëherë nuk hoqi plotësisht taksën siç e kërkonin amerikanët, përmes së cilës do i hapte vetes rrugë për vendime të mëdha, por u mor me Ministrin e ‘vogël’ të partnerit qeverisës duke i mbyllur derën vetës për t’u vetërrëzuar me vetëdije të plotë? Si ka mundësi që një burrështetas i rrallë të mos mund menaxhonte së paku një Ministër të partnerit qeverisës gjatë emergjencës pandemike sado i padëgjueshëm që do të mund të ishte ai Ministër?

Nëse për Kryeministrin në detyrë republika dhe interesi i përgjithshëm ishin dhe janë para çdo gjëje tjetër, atëherë si u bë që ky Kryeministër të këmbente interesin nacional me shkarkimin e Ministrit kyç në kohë pandemie? A ishte kjo kalkulative? Plotësisht po. Sepse duke provokuar krizë në mes të krizës së pandemisë, Kryeministri në detyrë e dinte plotësisht që do prishej koalicioni.

Dhe duke e ditur që do të prishej koalicioni, qëllimi ishte që faji t’i mvishej LDK-së për çfarëdo rrëzimi të pritshëm të Qeverisë. E në rast se faji do të arrinte t’i mvishej LDK-së, kalkulimi ishte që të rritej numri i votave të VV-së në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme duke i marrë vota dhe elektoratit të LDK-së. Por, Kryeministri në detyrë harroi, se faji dhe meritat gjithmonë i faturohen të zotit të shtëpisë, e i zoti i shtëpisë në një vend është Kryeministri. Fundja, a e ka Kosova luksin që të organizojë pafund zgjedhje, të cilat, fundja, do të prodhonin të njëjtat subjekte politike, pra nuk është se pas zgjedhjeve do të kishim një klasë tërësisht të re politike? A është morale që për teke të individit të shkojmë në zgjedhje çdo 1 vit?

Se sa ishte i rëndësishëm ishte posti i Kryeministrit për Kryeministrin në detyrë e dëshmon më së miri situata paszgjedhore kur Kryeministri në detyrë derisa po negocionte formimin e koalicionit shkeli padyshim të gjitha parimet e tij 15 vjeçare, vetëm e vetëm që të bëhej Kryeministër. Derisa i vyente partneri qeverisës iu përkul, ndërsa sapo mori postin i ktheu shpinën. A ishte ky morali në politikë, a ishte kjo shpresa e qytetarëve, a ishte ky ndryshimi i pandehur? Definitivisht jo.

Se faji i mbetet të zotit të shtëpisë gjithmonë ka qenë kështu. Se çfarë ndodhi në Qeveritë e Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt e Albin Kurtit, si faji ashtu edhe merita u mbesin Kryeministrave e jo partnerëve të koalicionit. Trazirat e vitit 1997 iu faturuan Sali Berishës, sepse ishte i zoti i shtëpisë. Brexit iu faturua Kryeministrit David Cameroon. Ndryshimi i “vazhdimësisë” së politikës së jashtme gjermane iu faturua Gerhard Schroderit, i cili futi Gjermaninë në luftën e Kosovës për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore; askush nuk e thotë që këtë e bëri Joschka Fischeri, Ministri i Jashtëm gjerman i asaj kohe, por saktësisht Gerhard Schroderi.

Fundja, a hyri koalicion Kryeministri në detyrë për të qeverisur Kosovën apo për t’u marrë me hedhje faji? A kërkuan qytetarët, apo sovrani siç thonë popullistët, qeverisje apo hudhje faji? E kush mund të jetë më shumë fajtor se sa ai që shkel Kushtetutën e vendit, për të cilën janë terrorizuar e gjenociduar shqiptarët e Kosovës që mbi 100 vite. A më fajtor është një Ministër që bën një deklaratë personale, apo një Kryeministër që shkel kushtetutën dhe që nuk i jep pesë pare për të?

Nëse ky Kryeministër në detyrë deri dje thoshte se “ai që shkel ligjin është kriminel, ndërsa ai që shkel kushtetutën është superkriminel”, si do të duhej ta quante veten ai tash e mbrapa? Në vende perëndimore, ai udhëheqës politik që shkel kushtetutën përshëndetet përgjithmonë nga politika si akt moral dhe përgjegjësie. Ndërkohë që në Kosovë, jo që nuk përshëndetet nga politika, por edhe ndihet krenar që ka shkelur kushtetutën. Nëse Kryeministri në detyrë arsyetohet duke thënë se nuk ishte i vetmi që shkeli kushtetutën a i jep atij kredi politike? Ta zëmë se ata që shkelën kushtetutën në të kaluarën ishin të pamoralshëm dhe të papërgjegjeshëm politikisht dhe si të tillë nuk dhanë dorëheqje. Por, Kryeministri në detyrë a nuk thoshte shpesh se Qeveria e tij ishte më e mira që ka pasur Kosova, më e ndershmja, më e përgjegjeshmja dhe më e moralshmja? E nëse Qeveria e Kryeministrit në detyrë i kishte të gjitha ato atribute të mira, si u bë që ende pa i bërë 2 muaj qeverisje ta shkelte me vetëdije kushtetutën, bile më shpejtë se çdo politikan i Kosovës deri më sot?

E nëse Kryeministri në detyrë thirret në moralitet, përgjegjshmëri e ndershmëri publike, pse nuk bëri dallimin nga ata të djeshmit duke dhënë dorëheqje për shkelje të kushtetutës? Fundja, a nuk do të ishte ky dallimi i Kryeministrit të mirë në detyrë nga ata të këqinjët e së kaluarës? A nuk do të ishte dorëheqja dallimi i mirë nga të këqinjët e djeshëm? Nëse të gjithë deri dje ishin të pamoralshëm, pse Kryeministri në detyrë nuk dha shembullin e të moralshmit? Por jo, si duket faji gjithmonë ka qenë jetim dhe i tillë do të mbetet. E morali, përgjegjësia dhe ndershmëria si duket kanë qenë dhe ende janë larg të qenurit pjesë integrale e politikëbërjes në Kosovë.

Pse duhet zgjidhur çështjen e Kosovës? – Nuk ka popull në Evropë të jetë cunguar më shumë se sa populli shqiptar. Më shumë jetojnë shqiptarë rreth Shqipërisë administrative se sa brenda saj. Kjo ndarje, ky cungim dhe kjo shpërndarje e shqiptarëve në disa shtete në Ballkan ka qenë fatale. Ruajtja status quosë në veriun e Kosovës është dërmuese për stabilitetin afatgjatë të Kosovës duke na marrë tërë elanin politik që 21 vite. Po deshëm ne mund ta vazhdojmë këtë gjendje, por kjo do të jetë fatale për të ardhmen e Kosovës.

Serbia përmes veriut dhe serbëve destruktivë të Kosovës vazhdimisht po sfidon Kosovën nëpër mekanizma ndërkombëtarë, e sidomos në Këshill të Sigurimit, ku shumë shtete të botës as që e kanë idenë për kompleksitetin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe të cilat shumë lehtë mund të manipulohen nga Serbia me aleatë për ta ç’njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo dukuri negative vetëm sa ka filluar të rritet dhe po del të jetë dërmuese për të ardhmen e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës pa përjashtim do të donin që SHBA, BE e NATO ta mbyllnin kapitullin e veriut në favor të plotë të Kosovës, por kjo nuk po ndodh që 21 vite.

E arsyet pse për veriun e Kosovës nuk po mund të vendoset nga SHBA, BE e NATO, është insistimi rus për ta mbështetur Serbinë në këtë mes. Zgjidhja e këtij problemi në vitin 1999 do të ishte shumë herë më e lehtë se sa sot, sepse në vitin 1999 Kosova njihej si e viktimizuara e rajonit, që në fakt edhe ishte, kurse Serbia si agresorja e tërë rajonit. Sot nuk është më ashtu, Gjykata Speciale ka goditur rëndë shtetësinë e Kosovës dhe Kosova sot nuk e ka më mbështetjen ndërkombëtare që e kishte kur u çlirua dhe pavarësua.

Deshëm apo nuk deshëm gjykimi pjesëtarëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës dhe themelimi i Gjykatës Speciale e kanë relativizuar fajin e luftës në Kosovë. Në aspektin politik, aleatët e Serbisë dhe Rusisë na shohin neve shqiptarëve si bashkëfajtorë në luftën e Kosovës dhe ky relativizim i fajit tashmë është fakt për fat të keq. Historikisht nuk kemi qenë popull projektues dhe duke qenë të tillë gjithmonë jemi marrë me pasoja e shumë rrallë me shkaqe. Duke u marrë vetëm me pasoja kemi mbetur të ndarë në pesë shtete pa e pasur një bosht projektues rreth të cilit do të mund të rreshtoheshim të gjithë.

Përderisa bashkësia ndërkombëtare në vitin 1999 dhe 2008 kishte një konsensus të gjerë për Kosovën, sot ai konsensus nuk ekziston më. Serbia ka ecur në rrugën e saj drejt Integrimit Evropian e mbështetur fuqishëm nga Rusia, energjia e së cilës determinon politikat energjetike të BE-së ashtu sikundër që mban BE-në, më konkretisht shtete të fuqishme brenda saj, të varura ekonomikisht dhe pse jo politikisht.

Të gjitha forcat populliste në vende të BE-së që kryesisht mbështeten nga Rusia janë kundër çdo avansimi të Kosovës e Shqipërisë në rrugën e Integrimit Evropian. E gjetur në një mjedis ndërkombëtar tepër të pafavorshëm, Kosovës si asnjëherë më parë i duhet ndihma Amerikane për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë problemin me Serbinë. Sa më shumë që vonohemi, tashmë aq më shumë ç’njohje mund të vijnë dhe kjo e komplikon çdo herë e më shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nëse dikush mendon që duhet të vazhdohet status-quoja përmes një dialogu të pafund të ndërmjetësuar nga BE, atëherë këtë duhet menduar mirë, sepse mjedisi për Kosovën në BE s’është duke u bërë më i lehtë, por gjithnjë duke u komplikuar, sidomos pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, si mbështetësja më e madhe në Evropë e pavarësisë së Kosovës. Siç e kam thënë më herët, nuk duhet të jemi përjashtues ndaj BE-së, por këtu po flasim vetëm se kush duhet të merr rolin prijës në bisedime me Serbinë, pra SHBA apo BE.

Problemi kur shtyhet bëhet gjithnjë e më i madh. Pra, dilema është që a duhet të vazhdojmë me amerikanët, të cilët e kanë dëshmuar veten një herë në histori jo vetëm për bërjen e Kosovës, por edhe Shqipërisë, apo me evropianët përmes të cilëve dialogojmë me Serbinë që 10 vite? Bashkimin e Amerikanëve dhe Evropianëve ne nuk kemi mundësi ta bëjmë, sepse janë marrëdhëniet tregtare mes tyre dhe rrudhja e tregjeve të tyre nëpër zona të ndryshme të botës që bëjnë gati të pamundur çfarëdo bashkimi. (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera