Lajme

8 milionë doza në një ditë/ India thyen rekordin e vaksinimeve anti Covid

Autori: Gazeta inFokus 06:57 | 22 June 2021

Në kuadër të fushatës për vaksinim falas kundër koronavirusit, India dha të hënën rekord vaksinash: 8.3 milionë.

Rekordi i mëparshëm ditor u shënua më 5 prill, kur u vaksinuan 4.5 milionë njerëz.

“Rekordi i sotëm me numrin e të vaksinuarve është arsye për gëzim”, tha kryeministri i Indisë, Narendra Modi, përmes një postimi në Twitter.
Për të përshpejtuar vaksinimin, Modi ka paralajmëruar qysh më herët se nga 21 qershori, të gjithë do të mund të vaksinohen falas.

-Advertisement-

Modi po ashtu ka thënë se Qeveria e tij do të blejë 75 për qind të vaksinave nga prodhuesit, për t’iu dhënë falas shteteve federale, të cilat, së bashku me spitalet private, i kanë blerë vaksinat për njerëzit e moshës 18-45 vjeç.
Ekspertët thonë se India duhet të vaksinojë 10 milionë njerëz në ditë, për të arritur qëllimin e saj për vaksinimin e 950 milionë të të rriturve deri në dhjetor.

“Nëse furnizimi është i qëndrueshëm, ne do të jemi në rrugën e duhur për të vaksinuar shumicën e popullsisë sonë deri në fund të vitit”, tha një zyrtar i lartë shëndetësor në shtetin Maharasthra, raporton Reuters.
Ky shtet ka një popullsi prej 125 milionë banorësh. Me 29.9 milionë raste të konfirmuara me koronavirus, India ndodhet në vendin e dytë në botë – pas Shteteve të Bashkuara – sa i përket numrit të të infektuarve.

Të hënën, autoritetet shëndetësore atje raportuan për 53,256 raste të reja, që është shifra më e ulët ditore qysh më 24 mars.
Numri i të infektuarve në Indi ka arritur kulmin në muajin maj kur janë regjistruar nga 400,000 raste në ditë.
India ka konfirmuar mbi 388,000 viktima nga koronavirusi./ Radio Evropa e Lirë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…

Të tjera