Opinione

(8) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 10:25 | 07 April 2020

Pse deri dje tërësisht kundër BE-së? – Nëse ka qenë dikush që ndër vite ka kundërshtuar më së shumti Brukselin bashkë me të gjitha marrëveshjet e gjertanishme, që ka sulmuar fizikisht EULEX-in, ai ka qenë pikërisht Kryeministri aktual në detyrë me mbështetësit e tij? Nëse ka qenë dikush që ka sfiduar, linçuar e poshtëruar dhe pse jo sulmuar më së shumti institucionet e Kosovës, të gjitha të formuara me mbështetje Amerikane dhe Evropiane, ai padyshim që ka qenë Kryeministri aktual në detyrë.

A ka kush që ka akuzuar më shumë qeveritë e kaluara se sa Kryeministri aktual në detyrë për tradhëti kombëtare se po bisedonin me Serbinë me ndërmjetësim të Brukselit, se të gjitha marrëveshjet që po arriheshin atje ishin kundër Kosovës dhe në favor të Serbisë? Derisa ishte pa ardhur në pushtet, Kryeministri aktual në detyrë thoshte se së pari do të rishqyrtonte të gjitha marrëveshjet e gjertanishme e pastaj do të fillonte dialogun me Serbinë? A bëri pikërisht të kundërtën e asaj që tha, pra bëri ekipin për t’u takuar me Serbinë pa rishqyrtuar as edhe një marrëveshje të vetme? Derisa dje përqeshte dhe tallej për madhësinë e ekipit negociator që pati shkuar në Bruksel të takohej me Mogerinin, Kryeministri aktual në detyrë bëri edhe më të madh ekipin, pra me mbi 10 veta.

Bile Kryeministri aktual në detyrë dhe partia e tij, patën shkuar aq larg sa që kur ishin në opozitë nuk e patën votuar MSA-në, si hapin e parë të Kosovës drejt BE-së. E mirë apo e keqe MSA, me apo pa fusnotë, Kosovës s’do t’i duhet që të nënshkruajë edhe një marrëveshje tjetër të MSA-së. E pyetja shekullore është: a janë më shumë pro BE ata që e votuan apo që se votuan MSA-në si dokumentin padyshim më strategjik mes Kosovës dhe BE-së deri në anëtarësim?

-Advertisement-

Pra, derisa Kryeministri aktual në detyrë dje quante BE-në dhe tërë bashkësinë ndërkombëtare si neo-imperialiste, sulmonte veturat e EULEX-it, sfidonte parreshtur marrëveshjet e Brukselit, pastaj sfidonte të gjitha marrëveshjet rajonale të sponsorizuara nga BE dhe Procesi i Berlinit, nuk votonte MSA-në, sulmonte si është më së keqi institucionet e Kosovës të gjitha të formuara me ndihmën e amerikanëve dhe evropianëve, pra në njëfarë mënyre nuk e njihte fare BE-në derisa te amerikanët deri vonë i kishte dyert e mbyllura, si ka mundësi që sot të transformohet aq shumë në formë dhe përmbajtje sa të na thotë se tash qenka bërë pro BE dhe SHBA-së?

A nuk ishin popullistët e Kryeministrit aktual në detyrë ata që sulmuan Ambasadoren Amerikane në Kosovë, Tracey Jacobson, a nuk ishin popullistët e Kryeministrit aktual në detyrë ata që sulmuan me domate Robert Cooper-in, ish ndërmjetësuesin e BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi? A nuk ishin popullistët ata që po hidhin gaz, molotov e granata ndaj institucioneve të Kosovës ndaj Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, kusht ky i vënë nga BE dhe të cilin BE e kërkonte me ngulm që të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës?

Po të ishin të bindura BE dhe SHBA që Kosova po humbiste territore pse atëherë Ambasadori i SHBA-së dhe BE-së po insistonin në ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi? Dhe nëse dikush, siç ishin popullistët dje, po kundërshtonte me të gjitha mjetet SHBA-në dhe BE-në përkitazi për këtë marrëveshje, dhe jo vetëm, a nuk ishin këto elemente të mjaftueshme që bindnin se dikush në Kosovë vërtet po e konsideronte bashkësinë ndërkombëtare si neoimperialiste?

Si ka mundësi të quhet SHBA e BE neo-imperialiste kur të dyjat së bashku bënë shtetin e Kosovës dhe ndihmuan në ndërtimin e të gjitha institucioneve të Kosovës deri më sot. Janë po ato institucione, që nga Kryeministri aktual në detyrë deri dje shaheshin e sot lavdërohen, të cilat pothuaj të gjitha u ndërtuan dhe zhvilluan me ndihmën e SHBA-së dhe BE-së. E nëse SHBA dhe BE edhe sot janë donatorët kryesorë në Kosovë, si ka mundësi të quheshin neo-imperialistë? A u kërkua falje nga Kryeministri aktual në detyrë për këtë etiketim të rëndë që iu bëri dje SHBA-së dhe BE-së? Zaten falje nuk mund të kërkojë sepse transformimi radikal i personalitetit është i pamundur brenda një cikli jetësor të një individi dhe kjo na shpjegon më së miri skizmën e brendshme shpirtërore të Kryeministrit aktual në detyrë ndaj SHBA-së e BE-së.

Sigurisht që Kosova duhet të bashkëpunojë me Brukselin sepse e kemi rrugën e vetme për të ardhmen tonë, por si u bë që popullistët e Kosovës deri dje nuk lanë gurë pa lëvizur kundër Brukselit e sot shiten se e përkrahin atë? Pyetja që duhet shtruar sot është se a ka një skizmë në brendinë e Kryeministrit aktual në detyrë, i cili në jashtësi të personalitetit të tij flet për një bashkëpunim me Brukselin, kurse në brendësi të personalitetit të tij është evidente se është plotësisht peng i veprimeve të tij në të kaluarën që ishin tërësisht kundër BE-së dhe pse jo SHBA-së.

Si u bë që deri dje Kryeministri Kurti anatemonte të gjitha institucionet e Kosovës si të korruptuara, kapura, joprofesionale, të lidhura me krimin, i sulmonte ato me mjete të dhunshme, kurse sot lavdëron ato dhe thotë që janë në nivel të detyrës? E lavdëron sistemin e shëndetësisë dhe policinë, të cilat i trashëgoi nga ato parti që sot i shanë, linçon dhe anatemon. Nëse ky sistem i shëndetësisë, policisë dhe mekanizmat tjerë shtetërorë funksionuakan sot mirë, atëherë a mos u trashëgua ky sistem si i tëri apo ndodhi mrekullia shekullore e përgatitjes së tyre për më pak se dy muaj qeverisje populliste?

Nëse policia është në nivel të detyrës sot, a ishte në nivel edhe dje derisa përballej me gurë e mollotovë të popullistëve protestues? Nëse kjo polici dje lavdërohej nga bashkësia ndërkombëtare se po i menaxhonte mirë turmat e popullistëve protestues, çfarë do të mund të na thonë sot për atëherë këta popullistë? Derisa popullistët deri dje shanin e sulmonin policinë e Kosovës se s’kishte guxim të shkonte në veri të Kosovës, pse Kryeministri aktual në detyrë nuk po e dërgon sot policinë në veri derisa e quan të përgatitur mirë për të siguruar sovranitetin e munguar siç e quanin deri dje?

Pse një marrëveshje e dëmshme s’kalon? – Nëse Kryeministri aktual në detyrë dhe mbështetësit e tij janë të bindur që kishin dhe kanë mbështetje të madhe qytetare dhe nëse besojnë se populli është sovrani dhe se republika buron nga sovrani, atëherë pse sovrani nuk iu dha më shumë vota në zgjedhjet e tetorit 2019, por vetëm 26%? Ku mbetën edhe 74% të votave? Nëse qytetarët, gjithnjë sipas VV-së, ishin të bindur që në Kosovë s’ka jetë dhe shpresë, pse atëherë vetëm 44% e tyre dolën në zgjedhje jo më shumë? Nëse 26% të votave ishin dhënë nga populli, atëherë kush i dha edhe 74% të votave? A votoi një popull apo dy?

Nëse do të hiqnim votat e diasporës nga kombinimi a nuk do të ishte përqindja e përgjithshme e daljes në vota më pak se 40%? Kush e ndali sovranin, apo popullin, të rriste përqindjen e daljes në vota dhe natyrisht të votonte më shumë se 26% VV-në? Nëse diaspora kanë pasur probleme teknike për të votuar, kush i ndali ata që jetojnë në Kosovë të rrisnin përqindjen e daljes dhe votimit më shumë pro VV? Edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë nuk është thënë te ketë patur presione gjatë procesit zgjedhor dhe nëse nuk ka pasur, pse atëherë populli nuk dha më shumë se 26% të votave për VV dhe pse nuk doli më shumë se 44% në votime?

Nëse ka pasur zgjedhje më të qeta dhe më të pranueshme për humbësit e tyre se sa zgjedhjet e 6 tetorit 2019, më thuani. Ndërkohë që popullistët nuk kanë lënë proces zgjedhor pa e sharë e pa e linçuar derisa erdhën në pushtet. Nëse ka pasur sjellje më korrekte të partive humbëse karshi rezultatit zgjedhor dhe pranueshmërisë së tij në tërë historinë më të re të Kosovës, më thoni.

Bile ankesat në zgjedhje të tetorit 2019 kanë ardhur më së shumti nga partia fituese se sa ato humbëse, diçka që është në kundërshtim me përvojat e gjertanishme në Kosovë, Shqipëri dhe tërë Ballkanin, ku partitë humbëse ishin ato që zakonisht nuk njihnin rezultatin zgjedhor. A nuk është kjo për t’u lavdëruar, a nuk tregon kjo për pjekje të demokracisë në një shtet që ka vetëm 12 vite ekzistencë? A mos janë tash fajtorë qytetarët, pra sovrani, që i dhanë vetëm 26% VV-së?

Nëse jemi të mendimit që është sovrani ai që në fund vendos për marrëveshjen eventuale përfundimtare me Serbinë, atëherë Kryeministri Kurti dhe mbështetësit e tij dhe tërë qytetarët e Kosovës a nuk do të mund të organizonin protesta në rrugë kundër çfarëdo marrëveshjeje të dëmshme për të ardhmen e Kosovës? Shqiptarët e Kosovës kanë ditur të mobilizohen edhe në kohëra shumë më të vështira se sot, kur praktikisht iu kërcënohej shfarosja nga faqja e dheut, e nëse është ashtu, pse nuk paskan mundësi të mobilizohen prapë kundër një marrëveshjeje që po thuhet se është apo do të jetë e dëmshme, e të cilën se ka parë askush dhe për të cilën thuhet që nuk ekziston?

Nuk duhet harruar se hiq më larg se 21 vjet më parë, kurr rrezikonim zhdukjen nga faqja e dheut, më pak se 5% iu përgjigjëm thirrjes për luftë. Po të kishim qenë aq patriotë atëherë, sa pandehim sot, përqindja e pjesëmarrjes në luftë do të duhej të ishte së paku 90% e jo më pak se 5%. Megjithatë, lufta i takon së kaluarës tashmë, por nuk duhet arsyetuar mosgatishmërinë për marrje të përgjegjësisë nga Kryeministri aktual në detyrë karshi temave të mëdha, të cilat ai në vazhdimësi i ka kritikuar, duke thënë Kuvend gjatë mocionit se po shkarkohemi sepse nuk po duam të jemi pjesë e një marrëveshjeje të dëmshme në ardhje. Kurse pas kalimit të mocionit Kryeministri aktual në detyrë thotë se po shkojmë për t’u rikonfirmuar.

E nëse Kryeministri aktual në detyrë është i informuar, nga shërbimet e huaja, që një marrëveshje e tillë ekziston, atëherë a nuk e paska ai detyrim kombëtar ta informonte publikun dhe votuesit e tij se diçka shumë e keqe po vjen? Askush nuk e ka edhe një mundësi të vetme ta ndalojë atë të flasë publikisht dhe nëse e nevojshme të kërkojë mobilizimin e masave, sepse fundja është më se legjitime që të protestohet kundër një të keqeje të madhe, siç disa qarqe po e quajnë. Por, Kryeministri aktual në detyrë nuk bëri asgjë në këtë drejtim, përpos ‘karantimit’ në kabinet dhe komunikimit përmes rrjeteve sociale e ndonjë inçizimi për efekt elektoral. (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera