Opinione

(7) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 13:32 | 06 April 2020

Shkruan: Agron HOTI

1. Pse SHBA zgjedhin vetë partnerin vendor? – Ka një përcepsion në Kosovë se është Kryetari i Kosovës ai që po pengonte SHBA-të që ta ftonin Kryeministrin Kurti për të marrë rolin udhëheqës në dialogun Kosovë-Serbi. Po anëtarët e LDK-së që u ftuan në Uashington dhe në ambasadën amerikane në Berlin a edhe kjo u bë nga Kryetari i Kosovës?

Po futja në lëvizje e amerikanëve për intervenim kundër Serbisë, për pavarësim të Kosovës, për konsolidim të Kosovës brenda dhe jashtë, a edhe kjo u bë nga Kryetari i Kosovës? Po të ishte kështu atëherë SHBA-të do të mbyllnin dikasterët e sigurisë, ushtrisë dhe diplomacisë që merren me punë të jashtme dhe krejt këtë do t’ua mirëmbanin Kryetarët e Vendeve të ndryshme, sikur ky i Kosovës. A nuk është kjo absurde?

-Advertisement-

Po Kryeministri i Kosovës në detyrë a nuk ishte njeriu më i votuar në Kosovë pas ish-Kryetarit Rugova? Pse dhe si paska mundësi që Kryetari i Kosovës t’i mësojë SHBA-të se me kë duhet të bisedojnë në Kosovë? Nëse Kryeministri i Kosovës ka pasur legjitimitet të mjaftueshëm qytetar, e të cilin në fakt e ka pasur, për të dialoguar me Serbinë, pse nuk hoqi taksën për të marrrë për sipër frenat e dialogut, sepse si Kryeministër, i cili gëzonte dhe mbështetjen e evropianëve – diçka që i mungonte Kryetarit të Kosovës siç pandehin qarqe të ndryshme – do të mund të kontribuonte shumë më tepër se sa sot në dorëheqje. A nuk quhet udhëheqës i fortë ai që përballet me probleme të mëdha e jo ai që ende pa filluar mirë punën fillon të taktizojë duke kërkuar rikonfirmim qytetar në zgjedhje?

Si paska mundësi që SHBA-të si Superfuqi në glob të ecin prapa Kryetarit të Kosovës dhe t’i binden që ai ta udhëheq dialogun me Serbi? Nëse Kryetari i Kosovës paska aq shumë fuqi, kjo do të ishte e jashtëzakonshme për një shtet super të vogël siç është Kosova, por kjo është jashtë realitetit dhe tepër naive të thuhet. Në qoftëse se SHBA-të nuk i shkojnë mbrapa as edhe një udhëheqësi të vetëm në botë, si paska mundësi që t’i shkojnë mbrapa Kryetarit të Kosovës?

2. Pse Gjykata Speciale s’luan rol? – Nëse nga disa qarqe vendore thuhet se Kryetari i Kosovës do të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje me Serbinë që do t’i ofrohej nga amerikanët, sepse i paska këmbët e ‘lidhura’ nga Gjykata Speciale, atëherë pse Kryeministri i Kosovës në detyrë nuk e kapi me kohë këtë pikë të ‘dobët’ të Kryetarit të Kosovës, për të hequr taksën dhe për të marrë frenat e dialogut në dorë të tij si dhe për t’ia ‘zgjidhur’ këmbët e Kryetarit të Kosovës?

A aq e vështirë qenka arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin Amerikan pa prezencën e Kryetarit të Kosovës a? Po bombardimet kundër Serbisë, planin e Ahtisarit e pavarësinë a i dizajnoi SHBA apo Kryetari i Kosovës? Sigurisht që Kryetari i Kosovës me të tjerë ishte pjesë integrale e të gjitha këtyre proceseve, porse forca shtytëse dhe përcaktuese ishin dhe padyshim janë Amerikanët?

A po harrohet në Kosovë që SHBA-të janë të orientuara nga procesi e jo individi? Pra, për SHBA-të është e rëndësishme që procesi i zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës me Serbinë të ecën e mos të ndalet. Prandaj, ata që duan të jenë pjesë e këtij procesi, kuptohet jo të lehtë, do të kenë mbështetjen e SHBA-së, ndërsa ata që nuk ndjekin hapat e një Superfuqie, hapa këta të cilët SHBA është duke i kërkuar gati që tri vite, atëherë sigurisht që nuk do të mund të jenë partner i tyre.

Nëse Kryetari i paska këmbët e ‘lidhura’ nga Gjykata Speciale dhe nëse mbështetja e Kurtit te qytetarët është më e madhe se e Kryetarit dhe nëse kjo lidhet me ndikimin që mund të ketë Kurti te masat e gjera popullore, atëherë si paska mundësi që Amerikanët të bisedojnë me Kryetarin e Kosovës, i cili nuk paska mbështetjen e nevojshme qytetare për të zbatuar çfarëdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë?

Si paska mundësi që Amerikanët të mbështesnin dikë në Kosovë, pra Kryetarin e Kosovës, i cili nuk gëzuaka mbështetje të gjerë siç po thuhet nga qarqe në Kosovë? E nëse Amerikanët do të mbështesnin dikë që nuk ka mbështetjen qytetare, siç nga qarqe të ndryshme po thuhet për Kryetarin e Kosovës, si do të mund të implementohej pastaj marrëveshja Kosovë-Serbi, nëse do të arrihej, kuptohet, pa mbështetjen e Kryeministrit Kurti, që sipas tij, gëzonte mbështetjen më të madhe qytetare?

Është më se e qartë që çfarëdo marrëveshje Kosovë-Serbi nuk do të mund të implementohet pa mbështetje të gjerë politike dhe qytetare. A nuk e dinte këtë fakt Kryeministri Kurti, i cili në paraqitjet e tij publike përmend qytetarin dhe republikën më shumë se çdo udhëheqës politik në Kosovë? Nëse Kryeministri Kurti ishte i bindur në forcën e qytetarit, pra sovranit, duke pasë votën e tij, atëherë pse nuk veproi konform kësaj, por taktizoi duke u tërhequr për t’u rikonfirmuar në zgjedhje?

Meqë Kryeministri i Kosovës e konsideronte veten si shpresa për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës dhe meqë konsideronte se e gëzonte përkrahjen e qytetarëve të Kosovës dhe shteteve të fuqishme të BE-së, pse nuk u këshillua sa dhe si duhet me partnerë të brendshëm dhe të jashtëm që të merrte përsipër dialogun Kosovë-Serbi, i cili edhe ashtu me Kushtetutë i takonte? A nuk e kishte shansin Kryeministri në detyrë që në partneritet me LDK-në të dëshmonte qëndrueshmëri udhëheqjeje për të shtyrë përpara temat e mëdha, të cilat qysh para zgjedhjeve të tetorit 2019 po e prisnin secilin Kryeministër të mundshëm?

Kush e ndalonte Kryeministrin e Kosovës që ta thellonte bashkëpunimin me SHBA, Ambasadori i së cilës në Kosovë jo rrallëherë shihej në fotografi mjaft miqësore me Kryeministrin e Kosovës, bile Ambasadori Amerikan përpos që lavërdonte Kurtin për përgatitjen e tij, lavdëronte dhe aktivitetet qeveritare të tij gjatë kësaj kohe që po qeveriste. Nëse Kurti kishte qasje të plotë të Ambasadori Amerikan dhe te të gjithë ambasadorët tjerë që mbështesnin Kosovën dhe qeverisjen e Kurtit, a nuk e dinte që taksa duhej të hiqej në një apo formë tjetër, për t’i hapur rrugë dialogut? A e beson dikush që Kurti se dinte këtë fakt?

Nëse taksa ka qenë produkt i PAN-it, të cilin Kryeministri vazhdimisht e ka anatemuar, si qeverisjen më të keqe në Kosovë, pse nuk e hoqi qafe atë “instrument” të PAN-it për t’i hapur rrugë vetes duke u arsyetuar me të drejtë para qytetarëve se taksën e hoqi, sepse ia kërkonin amerikanët e besa edhe evropianët dhe se mbi këtë bazë ishte i detyruar ta hiqte taksën, e cila përpos që u bë mjet dhe qëllim më vete, ajo u bë edhe e padobishme për të ecur përpara.

Po kërkesat e LDK-së për heqje të taksës a nuk i dinte Kryeministri Kurti? Fundja, taksa nuk u vendos me referendum dhe pa referendum duhej të hiqej ashtu edher siç u hoq vetëm se me vonesë. Kosova nuk është SHBA, Kinë apo BE sa të jetë në gjendje të imponojë politika globale siç janë kuotat dhe tarifat. Shtetet e vogla rrallëherë arrijnë plotësisht objektivat e tyre.

Po qe se Kryeministri Kurti ta hiqte qafe këtë “instrument” të PAN-it siç ishte taksa në koordinim të plotë me Amerikanët, a nuk do t’i qëndronin mbrapa të gjithë qytetarët? Bile ishte vetë Kryeministri Kurti që gjatë fushatës kishte thënë se taksa do të hiqej dhe do të zëvendësohej me reciprocitet. Dhe meqë taksa ishte një e “keqe” e PAN-it, pse nuk e hoqi atë në koordinim me amerikanët dhe evropianët dhe pastaj varësisht nga epilogu i dialogut me Serbinë ta vendoste reciprocitetin ose të dyja bashkë: taksën edhe reciprocitetin?

Kush e ndaloi Kryeministrin Kurti që të koordinohej me amerikanët dhe evropianët sa i përket taksës? Kosova kurrë nuk do të jetë, e as që duhet të jetë, në pozicion që t’i vëjë kushte SHBA-së, e cila po kërkonte heqjen e shpejtë dhe pa kushte të taksës. Kjo sepse SHBA ndali shfarosjen e Kosovës dhe mundësoi të jetuarit shqip në Kosovë. Nuk duhet harruar që, taksën që prej vënies së saj edhe BE vazhdimisht ka kërkuar që të hiqej duke e përmendur atë edhe në Raport të Progresit 2019 dhe në të gjitha paraqitjet publike të zyrtarëve të saj. Pra, BE, përkundër përkrahjes që i ofronte Kryeministrit Kurti në taktizimet e tij për heqje të ngadalshme të taksës, ajo në vija të përgjithshme ishte plotësisht në linjë me SHBA-në që taksa përfundimisht duhej të hiqej.

3. Pse fushata elektorale e tetorit 2019 kishte dialogun first?- Nëse një Kryeministër i Kosovës vitin e kaluar dha dorëheqje shkaku i taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake dhe nëse bashkësia ndërkombëtare – amerikanët dhe evropianët – bënin me dije se qeveria e ardhshme do të ishte “ekskluzivisht” qeveri e heqjes së taksës për t’i hapur rrugë dialogut Kosovë-Serbi, pse atëherë Kryeministri i Kosovës gjatë tërë fushatës jepte shenja mospërputhjeje me bashkësinë ndërkombëtare duke thënë se nuk do të merrej me dialogun Kosovë-Serbi, por me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar që kishin kapur shtetin?

Sigurisht që në planin e brendshëm korrupsioni, krimi i organizuar dhe injoranca janë probleme endemike që gërryejnë të ardhmen e Kosovës, por a ishte aq naiv Kryeministri Kurti sa të mos kuptonte mesazhin e qartë dhe të shpeshtë të bashkësisë ndërkombëtare se dialogu Kosovë-Serbi do të ishte top prioritet i qeverisë së tij? A kishte konspiracion këtu apo çdo gjë ishte e qartë?

Nëse kërkesa e Amerikanëve ishte shumë e qartë, pse atëherë Kryeministri Kurti nuk veproi konform asaj që po i kërkohej. Vetëm pasiqë e pa se Amerikanët po ftonin në Uashington, Munih e Berlin vetëm Kryetarin e Kosovës dhe anëtarët e LDK-së e jo Kryeministrin, vetëm atëherë Kryeministri Kurti filloi të merrej seriozisht me dialogun? Mos ndoshta, i vetëdijshëm që dialogu me Serbi ishte dhe është një kafshatë që s’kapërdihej për shumë kë në Kosovë zmbrapste Kryeministrin Kurti të merrte rol udhëheqës në këtë proces? (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera