Lajme

500 mijë euro për dy ditë, Ymeri: Ndalesat me pikëpyetje të bllokut “B1” po i pasurojnë tregtarët e energjisë

Autori: Gazeta inFokus 16:17 | 02 July 2025

Inxhinierja Janina Ymeri ka reaguar ashpër lidhur me ndërprerjet e shpeshta dhe të diskutueshme në Bllokun B1 të termocentralit “Kosova B”, duke ngritur dyshime serioze për qëllimin dhe efikasitetin e remontit të kryer në këtë njësi.

“Remont apo vetëm lajm për remont? Pse për një muaj B1 u ndal për remont, dhe pas më pak se dy muajsh ndalet sërish operimi?” pyet Ymeri, duke nënvizuar se ndalja e B1 më 28 mars ishte paralajmëruar të zgjaste nga 23 marsi deri më 26 prill, ndërkohë që prodhimi faktik i rrymës rifilloi vetëm më 24 prill.

Por shqetësimi më i madh, sipas saj, qëndron te ndërprerja e fundit në qershor, e cila u shoqërua me ndërhyrje të reja, përfshirë sanimin e rreth 30 gypave në kaldajë, 410 gypave në kondenzator, defekte në filtrin elektrik, dhe probleme në sistemin e djegies, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

“Kjo ndërhyrje që KEK-u e quan të suksesshme, vetëm sa ngre më shumë pikëpyetje: për çfarë u bë remonti në mars? Ishin ndryshime kozmetike?” shkruan Ymeri, duke vënë në dyshim seriozitetin dhe transparencën e KEK-ut.

Ajo paralajmëron se ditën kur ndalet B1, kostoja e importit të energjisë për dy ditë kalon mbi 500 mijë euro – një dëm i drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit dhe qytetarët.

“Kush përfiton më shumë nga këto rënie dhe remonte të pasuksesshme? Tregtarët!” përfundon Ymeri, duke kërkuar përgjegjësi institucionale dhe një hetim serioz për menaxhimin teknik dhe financiar të këtyre ndërhyrjeve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Bileta të lira nga Prishtina drejt Stockholm me PrishtinaTicket!
-Advertisement-

Të tjera