Opinione

(5) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 08:10 | 02 April 2020

Shkruan: Agron HOTI

1 Pse NATO-izimi i Ballkanit? – SHBA-të me çdo kusht po mundohen për zvogëlimin e ndikimit rus në Ballkan, prandaj kanë futur në NATO Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Bullgarinë, Rumaninë, Greqinë e Slloveninë, duke ndihmuar secilën Qeveri në Ballkan që të parandalojë ndërhyrjet hibride ruse dhe jo vetëm. Po të ishte Trump mbështetës i Rusisë pse atëherë të mbështeste vazhdimisht qeveritë e rajonit për t‘u anëtarësuar në NATO me qëllim të ndërprerjes së Rusisë njëherë e përgjithmonë rrugën për në Ballkan?

A janë SHBA-të aq naive të besojnë se ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve, nuk do të mund të përdorej si precenent nga Rusia, Kina e shtete tjera, për pavarësimin dhe legjitimimin ndërkombëtar të zonave të ndryshme të botës që mund të duken të ngjashme me Kosovën? Po, shkatërrimi i Jugosllavisë dhe pavarësimi i Kosovës a shkuan në favor të SHBA-së apo Rusisë? A nuk është politika e Trump-it në Ballkan në përputhje me Strategjinë Kombëtare të SHBA-së për Siguri, e cila Rusinë jo vetëm në Ballkan por në tërë globin e sheh si kërcënuese të interesave amerikane? Fundja e nuk u deklarua administrata amerikane se nuk ka plane për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë duke përgënjeshtruar publikisht të gjithë ata që deri dje nuk linin gurë pa lëvizur se kishte një plan të tillë.

-Advertisement-

2 Pse konsistencë amerikane e jo lobe? – Ka qarqe në Kosovë dhe jo vetëm, që flasin se ca grupe lobiste e paskan kapluar Kryetarin Trump duke e shtyrë atë që ta ndajë Kosovën për efekt elektoral në SHBA? Nëse SHBA e sheh si projekt të suksesshëm ndërkombëtar pavarësimin e Kosovës, atëherë pse u dashka që diçka e suksesshme të bëhej e pasuksesshme siç mezi është duke pritur Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre? Fundja a nuk është qëllimi kryesor i Serbisë dhe Rusisë që projekti i Kosovës, i parë tërësisht si projekt amerikan, të shpallet i dështuar? E çfarë do ta bënte këtë projekt amerikan më të dështuar se sa shkëmbimi i territoreve që në fakt do të thoshte zhbërje e Kosovës? A janë aq naive SHBA-të sa ta dëmtojnë kështu projektin e tyre dhe për më tepër prestigjin e tyre ndërkombëtar? Pse nuk e shohim politikën amerikane si vazhdimësi e jo si konspiracion dashka ta dështojë projektin e saj, për të cilion ka investuar miliarda dollarë?

Po Kryetarin Klinton që sulmoi Serbinë dhe Kryetarin Bush që njohu Pavarësinë e Kosovës kush i shtyu ta bëjnë Kosovën shtet, ndonjë lob? Po mbështetjen për Kosovën që e dha Kryetari Obama, a edhe kjo u bë nga lobet? Po fondet e SHBA-së që u dhanë që prej çlirimit të Kosovës, pse vazhduan njëjtë edhe në kohën e Kryetarit Trump? Po ndërprerja nga SHBA e fondeve të MCC-së (Millennium Challenge Corporation) për Kosovën nga lobet u bë? Nëse, përpos Amerikanëve edhe Deutsche Welle e shumë media botërore e konfirmojnë pezullimin e fondeve të MCC-së, si ka mundësi që Qeveria jonë në detyrë të mos e pranojë duke thënë se nuk është zyrtare? Po deklaratat për tërheqje të forcave ushtarake të SHBA-së nga Kosova nga lobet u bënë?

Po mbështetjen Kryetarit Trump për formimin e ushtrisë së Kosovës e bëri ndonjë lob, apo politika e qëndrueshme e SHBA-së që vendet evropiane, përfshirë edhe Kosovën e vogël, të rrisin shpenzimet ushtarake ashtu siç i ka rritur dhe vetë SHBA? A nuk paska politika afatgjata SHBA apo qenkan lobistët ata që qeveriskan këtë Superfuqi? A nuk paska SHBA agjencitë më të forta në botë të inteligjencës duke pasur informacion të bollshëm për çdo cep në glob? Sigurisht që lobistët nuk janë pa ndikim në politikën amerikane siç nuk janë për asnjë shtet të botës. Nëse SHBA-të dhe Kryetari Trump janë të ndikuara aq fort prej lobeve serbe e ruse, pse atëherë këto lobe nuk po arrijnë ta ndikojnë vijën e ashpër të SHBA-së karshi Rusisë (shih sanksionet, luftën diplomatike, tarifat tregtare, frikësimet ushtarake, zgjerimin e NATO-s p.sh. në Ballkan, etj)?

3 Pse ka prezencë të SHBA-së në Kosovë? –  Dihet që SHBA ka në Kosovë bazën më të madhe ushtarake në Ballkan si kundërpeshë ndaj çfarëdo ndikimit rus në rajonin tonë. Pse ka aq shumë naivitet mes segmenteve të caktuara në Kosovë duke mos kuptuar se nëse në një vend ka prezencë të theksuar ushtarake të NATO-s, ai vend problemin numër një e ka sigurinë? A nuk është njëjtë me Korenë Jugore, Japoninë, tërë BE-në, Lindjen e Mesme, etj. Pa siguri nuk ka stabilitet, e pa stabilitet nuk ka as paqe të qëndrueshme as zhvillim ekonomik. Nëse siguria në glob do të ishte e siguruar, atëherë pse SHBA-të do të duhej edhe sot të kishin prezencë ushtarake të theksuar në glob? A  nuk është edhe sot e cenueshme siguria në ato zona ku interesat e SHBA-së ballafaqohen me ato ruse, kineze, iraniane, etj?

E për të zmbrapsur këto shtete sfiduese SHBA-të investojnë miliarda dollarë në siguri. Imagjinoni sikur Deti Jugor Kinez përmes të cilit qarkullon pothuaj 2/3 e tregtisë globale, përfshirë naftën prej Lindjes së Mesme drejt SHBA-së, të ishte në duar të plota të Kinës se çfarë do të mund të ndodhte autmatikisht me Japoninë, Korenë Jugore, Tajvanin dhe tërë Azinë Juglindore. Është fat për ne dhe perëndimin që SHBA ka supremaci detare, tokësore dhe ajrore karshi çdo shteti tjetër në glob.

T’i kthehemi prapë Kosovës. Pse SHBA-të ndërtuan ambasadën e tyre në një shtet, të cilin, sipas disa qarqeve kosovare anti-amerikaniste, po duakan ta zhbëjnë përmes shkëmbimit të territoreve me Serbinë? Po të kishte qenë i mundur shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë përmes paqes, atëherë pse qe dashur të angazhohej tërë aleanca e NATO-s për ta sulmuar Serbinë?

A nuk do të ishte më e lehtë të shkëmbeheshin ca territore mes Kosovës dhe Serbisë e të mos vdisnin e masakroheshin aq shumë njerëz? A nuk do të ishte interes edhe i Serbisë që përmes paqes të merrej vesh me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjen e Hercegovinën dhe Kosovën dhe të mos shkaktohej aq shumë gjakderdhje në kapërcyell të shekullit 21? Po ja që nuk ishte e mundshme, sepse po të ishte ashtu, atëherë ndoshta shumë luftëra në glob as që do të kishin ndodhur? Sepse ishte Serbia ajo e cila provokoi luftëra të tmerrshme në hapësirat e Jugosllavisë?

Dhe për ta ndaluar Serbinë qe dashur ndërhyrja e fortë e NATO dhe më pas vendosja e trupave paqeruajtëse të saj në Kosovë për të mund siguruar stabilitet e prosperitet afatgjatë në rajon. Vetë fakti që Serbia mban Kosovën pjesë integrale të kushtetutës së saj, tregon më së miri se sa e cenueshme është siguria në Kosovë dhe sa jetike është prezenca e NATO-s. Dikush në Kosovë si duket është duke e marrë sigurinë dhe paqen e siguruar nga NATO si të mirëqenë, thua ti se gjithmonë ka qenë kështu, thua ti se nuk qe dashur që shtetet më të forta të botës ta ndalnin shfarosjen që po na kanosej nga Serbia.

4 Pse SHBA garant kryesor i sigurisë globale? – SHBA edhe sot është garanti kryesor i sigurisë së BE-së, Turqisë, Japonisë, Koresë Jugore, e shumë zonave në botë? Nëse Kryetari Trump do të jepte shenja të afrimit kah Rusia, pse do ta kundërshtonte Turqinë të blente sisteme antiraketore ruse që sfidojnë NATO-n, pjesë e së cilës është edhe vetë Turqia? Po të ishte Kryetari Trump prorus, pse atëherë do të duhej ta kundërshtonte Turqinë?

Pse, përkundër këtyre politikave ditore dhe kalkulative të Erdoganit, SHBA as që e ka në plan të largojë raketat bërthamore nga Turqia, të cilat fillimisht, nëse jo ekskluzivisht, i kishte instaluar aty kundër Bashkimit Sovjetik apo çfarëdo kërcënimi islamik? Duke qenë se SHBA-të janë Superfuqia e vetme në glob që ka supremaci detare (tokësore dhe ajrore), a nuk e kishte dhe a nuk ka për synim jetik që Rusia të mos ketë dalje në Mesdhe, pra në ujëra të nxehta, për çfarë ka instaluar raketat në Turqi, bazën e NATO-s në Aviano në Itali dhe Bonstillin në Kosovë. Nuk bëjnë politika ditore SHBA-të sikurse politikanët e Kosovës. Imagjinoni se si do të dukej bota hiq më pak se pas një viti sikur SHBA të tërhiqte të gjitha bazat e saj ushtarake nga BE dhe Ballkani, Turqia, Lindja e Mesme, Koreja Jugore dhe Japonia? No comment!

5 Pse Trump dhe SHBA-të first? – Ka zëra që thonë se Kryetari Trump punon kundër interesave të SHBA-së, kur ai në fakt bën pikërisht të kundërtën, së paku politikat publike të tij e konfirmojnë këtë. A e bëri zëvendësimin e marrëveshjes së NAFTA-s (North American Free Trade Agreement) me atë të USMCA (United States-Mexico-Canada-Agreement) për të mirën apo për të keqen e SHBA-së? A nuk ishte ky një hap gjigant për ekonominë e SHBA-së? Pastaj, moshyrja e SHBA-së në TPP (Trans-pacific Partnership), apo më saktë në Zonën e Tregtisë së Lirë (ZTL) së TPP-së e cila me SHBA-në brenda saj do të përbënte mbi 40% të ekonomisë botërore dhe padyshim ZTL-në më të madhe në glob, si duhet parë si pro apo kundër interesave të SHBA-së?

A nuk e kishte kuptuar Kryetari Trump që hyrja e SHBA-së në TPP do të shkaktonte rënien e SHBA-së në prodhim, paga më të ulta dhe rritje të pabarazisë dhe mu për këto arsye vendosi të mos hyjë? Nëse Kryetari Trump është duke ri-shikuar çfarëdo marrëveshje tregtare të SHBA-së me pjesë të ndryshme të botës a është duke e bërë atë për ta mbrojtur apo dëmtuar ekonominë amerikane?

Fakti tjetër i pakontestueshëm që Kryetari Trump mbrojti ekononimë amerikane është po ashtu moshyrja e SHBA-së në Zonën tjetër të Tregtisë së Lirë të TTIP-së (Transatlantic Trade and Investment Partnership) e cila do të ishte një Zonë e Tregtisë së Lirë (ZTL) mes SHBA-së dhe BE-së? Po të kishte qenë kjo marrëveshje në favor të ekonomisë amerikane a nuk do të hynte Trump, dhe nëse nuk hyri, a e ruajti kjo tregun amerikan nga deficiti tregtar me BE-në apo jo?

Nëse Kryetari Trump i vë sanksione Rusisë, Iranit, i ngrit tarifa tregtare Kinës dhe Evropës a e bën atë pro-rus? A janë tarifat tregtare ndaj vendeve të ndryshme për të mbrojtur apo dëmtuar ekonominë amerikane? Raportet e Kryetarit Trump me BE-në nuk u tendosën shkaku i Kosovës, por shkaku i marrëdhënieve të tyre tregtare, të cilat nuk dua t’i komentoj, për arsye se SHBA-të bashkë me BE-në na bënë shtet, prandaj qëllimi i këtij shkrimi nuk është të komentoj se kush ka të drejtë më shumë. Por, ama, nëse Kryetari Trump vazhdon ta mbrojë ekonominë amerikane dhe fiton prapë zgjedhjet në nëntor 2020, a mund të konsiderohet si prorus? (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera