Lajme

47 avokat kosovarë do të mbrojnë të akuzuarit në Hagë, sfidë për ta mbetet pajisja me viza

Autori: Gazeta inFokus 16:03 | 14 August 2020

47 avokat nga Kosova tashmë janë akredituar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Këta janë të gatshëm të udhëtojnë drejtë Holandës në rast se ndaj klientëve të tyre konfirmohen aktakuzat nga Gjykata Speciale në Hagë.

Por, sfidë për ta mbetet pajisja me viza, pasi që shumicës e tyre që kishin udhëtuar drejtë Hagës në kohën kur ishin intervistuar të mbrojturit e tyre, me viza ishin pajisur vetëm për pak ditë.

Koordinatori i avokatëve kosovarë pranë Dhomave të Specializuara ne Hagë, Artan Qerkini tha për gazetën Objektiv se avokatët janë ballafaquar me telashe sa i përket pajisjes me viza, pasi sipas tij vizat u janë lëshuar vetëm për një periudhë të shkurtër.

-Advertisement-

“Avokatët janë ballafaquar me probleme në lidhje me vizat. Ka pas raste ku avokatit i është dhënë viza vetëm për Holandë e jo viza Shengen, e për rrjedhojë avokati ka pas probleme të aterrimit në një aeroport të shteteve në të cilat aplikohet Shengeni. Po ashtu avokatëve i është dhënë viza për një kohë të shkurt 3-4 ditë, e nëse është dashur që përsëri të udhëtojnë me ndonjë klient tjetër është dashur serish të aplikojnë për vizë”, tha Qerkini.

Për këtë Qerkini tha se kanë kërkuar edhe ndihmën institucioneve të Kosovës në Holandë.

“Për shkak të këtyre problemeve ne si avokat kemi reaguar e në këtë drejtim kemi pas edhe ndihmën e Ambasadës së Kosovës në Holandë, por kërkesat tona për fat të keq kanë has në vesh të shurdhër nga autoritete Holandeze dhe Dhomat e Specializuara”, theksoi Qerkini.

Me telashe për vizë ishte përballur edhe avokati tjetër Tahir Rrecaj, i cili kishte udhëtuar disa herë në Holandë, pasi është avokat i gjashtë personave të dyshuar që ishin intervistuar gjatë fazës së hetimeve.

“Problem është që vizat po na dhanë shumë afatshkurtër, mu ma kanë dhanë vizën vetëm pesë ditë, tri ditë e gjysmë ka zgjat intervistimi. Unë kur kam shkuar atje ju kam bërë vërejtje shumë serioze edhe kanë premtuar që do ta shqyrtojnë që mos të kemi më telashe me viza. Ata u dashtë me na dhanë vizat më afatgjate”, theksoi Rrecaj.

Për këtë çështje, vitin e kaluar kishte reaguar edhe Këshilli për Mbrojtën e të Drejtëve e Lirive të Njeriut.

“KMDLNj i bënë me dije edhe Gjykatës Speciale, si dhe autoriteteve kosovare se avokatët mbrojtës nuk shkojnë në Hagë për të bërë turizëm apo për shopping por për të punuar dhe kohën që e kalojë në Hagë e kanë si orar pune prandaj ata duhet të pajisen , jo me viza turistike por me viza pune për aq kohë sa ka mandat Gjykata Speciale”, thuhej në reagim e KMDLNJ-së.

Gazeta Objektiv ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënëses së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, për ta pyetur për këtë temë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera