Opinione

(4) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 10:36 | 01 April 2020

Pse mos të zvogëlohet varësia nga energjia ruse dhe teknologjia kineze? – Është pikërisht Kryetari Trump dhe SHBA-të që vazhdimisht mundohen të zvogëlojnë varësinë e vendeve të BE-së nga energjia ruse dhe teknologjia kineze siç është 5G. Dhe për të ndaluar këtë SHBA ka ngritur sanksione ndaj firmave që janë duke ndërtuar tubacionin e gasit prej Rusisë në drejtim të Gjermanisë.

Po të ishte Kryetari Trump në favor të forcimit të Rusisë në BE, atëherë ai do të promovonte dhe mbështeste depërtimin e energjisë ruse në BE. E ai po bën pikërisht atë që do ta bënte çdo kosovar po të ishte në vend të Kryetarit Trump, pra po parandalon depërtimin rus dhe kinez në tregun e madh të BE-së. A nuk është interes jetik i BE-së dhe i perëndimit zvogëlimi në minimum i varësisë nga energjinë ruse dhe teknologjia kineze, kur dihet që SHBA mund t’i ofrojë të dyjat? Mendoj që po, sepse edhe vetë fryma në BE është për një gjë të tillë, sepse ka shumë vende të BE-së që janë kundër tubacionit të gasit rus që synon BE-në, më konkretisht Gjermaninë. Nëse SHBA ose Kryetari Trump pengojnë BE-në që të mos investojë në vende armike ndaj SHBA-së, e mike ndaj Rusisë, siç është Irani, a e bën atë pro-rus?

Duhet thënë hapur se nuk ka pothuaj takim mes instancave të BE-së në të cilat nuk ngritet shqetësimi i madh ndaj investimeve kineze në Evropën Jugore, Lindore dhe Juglindore. Sipas vetë qarqeve të BE-së dhe shumë shkollave të ndryshme profesionale brenda saj, nëse BE nuk e ndal sa më shpejtë këtë hov të investimeve dhe kredive kineze në pjesë të caktuara të saj, atëherë shtete të shumta të Evropës Jugore, Lindore dhe Juglindore do të rrisin borxhet e tyre publike në asi përmasa sa që kjo do të mund t’i orientonte këto shtete kah Kina e jo kah BE. A nuk e ka Strategjia Kineze “Road and Belt” synimin kryesor depërtimin në tregun evropian?

-Advertisement-

Një gjë e tillë ka filluar të ndodhë në Greqi, Mal të Zi, Serbi, Shqipëri, Poloni, Çeki, Sllovaki, Portugali, Spanjë, etj. Pra, a nuk qenka interes i BE-së zvogëlimi i ndikimit të akterëve joevropianë në tregun e tyre diçka që është plotësisht në përputhje edhe me synimet e SHBA-së? A nuk duhet që BE sa më shpejtë që të jetë e mundur të rrisë investimet e saj në tërë Ballkanin për të nxjerrë nga loja akterë jo-evropianë duke filluar me Kinën, Rusinë, Turqinë, Vendet e Golfit, etj? Derisa BE kërkon standarde të larta investimi për vendet e varfëra të Ballkanit, në anën tjetër akterët jo-evropianë (Kina, Rusa, Turqia, Vendet e Golfit, etj) as që duan t’ia dinë për standarde, thjeshtë investojnë sa të munden dhe japin kredira, por që kjo nëse vazhdon me këtë ritëm, pas 50 viteve do të kemi një Ballkan të orientuar tërësisht kah lindja, diçka që do të ishte në kundërshtim të plotë me politikat e BE-së.

E nëse BE rrit dukshëm investimet në Ballkan duke sipërmarrë financimin e projekteve të shtrenjta infrastrukturore, dinamizon perspektivën shumë të ngadaltë evropiane, zhvillon ekonomikisht tërë rajonin e Ballkanit, a nuk ua ndërpret kjo rrugën akterëve joevropianë, të cilët duan të shfrytëzojnë çdo vakum të BE-së në këtë rajon problematik? E nëse Ballkanit i rritjet mirëqenia sociale dhe kthehet tërësisht kah BE (përfshirë dhe Serbinë që mbanë lidhje të forta me Rusinë e Kinën), a nuk është kjo përgjigjja më e mirë karshi politikave dhe shqetësimeve të BE-së për të zvogëluar ndikimin e akterëve joevropianë në Ballkan dhe më gjerë? E nëse ky zhvillim stimulon orientimin e Ballkanit tërësisht nga BE, a nuk i këput kjo Rusisë rrugën për në Evropë, a nuk do të ishte kjo tërësisht në linjë me interesat amerikane dhe evropiane?

Pse Pellgu i Detit të Zi? – SHBA janë kundër çfarëdo aneksimi apo invazioni rus në pellgun e Detit të Zi (Ukrainë, Krime, Kaukaz). Se sa janë të nxehta edhe sot këto territore për Rusinë konfirmohet edhe në autobiografinë e Joscha Fischerit “Vitet kuq-gjelbër, Politika e jashtme gjermane – nga Kosova deri më 11 shtator” në të cilën përshkruhet se sa shumë i ngutej Jelcinit të Rusisë përfundimi i luftës në Kosovë nga frika se ngjashëm mund të shpërthente gjendja në vende të Kaukazit në kohën kur Rusia kishte vështirësi të mëdha nga brenda dhe rënie të madhe të ndikimit dhe pse jo prestigjit nga jashtë. Po të tregonte SHBA shenja përafrimi me Rusinë, atëherë Kryetari Trump nuk do t’i vënte sanksione Rusisë për intervenimet e saj në Pellgun e Detit të Zi, por do të mbyllte njërin sy dhe do t’ia njihte Rusisë këto territore problematike.

Pra, a nuk janë veprimet e Kryetarit Trump në terren plotësisht në përputhje me atë që është në letër, pra me Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-së? Po të mos ishte SHBA, kush nga BE do të garantonte që Rusia nuk do të bënte invazion të plotë në Vende Baltike, Ukrainë dhe Kaukaz? Fatkeqësisht, Rusia i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për një invazion të tillë. E tash nëse SHBA-të dhe Kryetari Trump përcjellin me vëmendje çdo lëvizje të Rusisë në Pellgun e Detit të Zi, Lindje të Mesme, si dhe çdo lëvizje të Kinës në Azi Lindore, Juglindore dhe Detin Kinez Jugor, a e bën Kryetarin Trump pro-rus?

Pse Rusia do kaosin? – Nëse BE dhe SHBA kanë si emërues të përbashkët zvogëlimin e ndikimit rus dhe kinez në BE dhe në zona të tyre të interesit, përfshirë Ballkanin, atëherë si mund të pritet që Rusia të tregohet konstruktive në Ballkan dhe jo vetëm? Nëse Rusia e sheh BE-në dhe SHBA-në si kërcënim direkt të interesave të saj, atëherë pse duhet të besojmë që Rusia është e interesuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, e cila do të siguronte paqe dhe siguri afatgjatë në Ballkan, diçka që do të ishte tërësisht në kundërshtim të plotë me planet ruse për kaos? A nuk po i mbështet Rusia pothuaj të gjitha forcat populliste nëpër vende anëtare të BE-së për të shkaktuar përçarje, kaos dhe për të dobësuar nëse jo pamundësuar vendim-marrjen efektive të BE-së?

I keni parë forcat populliste në vende të ndryshme të BE-së sa kundër shqiptarëve janë? A thua pse? Mos ‘rastësisht’ financohen nga Rusia, Kina, etj.? Në Holandë shkuan aq larg këto forca populliste se deshën t’i rikthenin vizat Shqipërisë me arsyetimin se kjo nuk po e luftonte mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar, diçka që u kundërshtua nga institucionet e BE-së. Paramendoni, BE zyrtarisht e mbështet fuqishëm Shqipërinë në reformën e drejtësisë, ndërsa forcat populliste të saj anatemojnë Shqipërinë dhe janë kundër çfarëdo integrimi të Ballkanit Perëndimor në BE.

Imagjinoni sikur t’i rivëheshin vizat Shqipërisë, jo që do të ishte harruar hapja e negociatave, por pasojat për rajonin do të ishin të paparashikueshme. Kjo sepse demokracia fragjile në Shqipëri do të mund t’i ushqente forcat opozitare, edhe ashtu bojkotuese të institucioneve, për të përmbysur pushtetin dhe për të shkaktuar kaos. Pse këto forca populliste në BE nuk e ngritën zërin as edhe një herë të vetme mbi qëndrimin armiqësor të Rusisë ndaj BE-së dhe mbështetjen e Rusisë me armë dhe shërbime inteligjente që po i bën Serbisë para syve të Evropës? Jo vetëm forcat populliste, po as politika zyrtare e BE-së nuk ka një qëndrim sado pak kritik nga prezenca e theksuar ruse në Serbi.

Përkundrazi, forcat populliste anembanë BE-së mbajnë raporte tejet të ngushta me Rusinë. A nuk janë duke dërmuar vendim-marrjen e vendeve të BE-së dhe institucioneve të saj këto forca populliste? Nuk e themi ne këtë, por vetë BE, e cila mu para zgjedhjeve të fundit për Parlamentit Evropian dridhej nga frika se mos po fitojnë shumicën popullistët me çka do të vdiste projekti evropian. Imagjinoni kur popullistët e Jorg Haider u bënë pjesë e qeverisë Austriake në vitin 2000 se sa shumë u elektrizua BE duke e izoluar qeverinë austriake nëpër forume e institucione të BE-së. Imagjinoni sikur AfD (Alternative për Gjermaninë) të fitonte shumicën parlamentare në Gjermani, Fronti Nacional në Francë dhe Partia e Lirisë në Holandë. Kjo sigurisht që do të thoshte fundi i BE-së, pa asnjë dyshim.

Nëse popullistët janë kundër projektit evropian dhe nëse akuzojnë qeveritë e vendeve të BE-së si të korruptuara, si pro-imigracionit, dhe nëse kjo qasje e tyre është shkatërruese për të ardhmen e BE-së, a duhet besuar këtyre forcave? Por, pavarësisht se nga kush financohen këto forca populliste, vetë fakti që këto forca arrijnë t’u gjejnë pika të dobëta qeverive të vendeve të tyre në BE – qeveri këto të cilat ne në Kosovë i shohim si model – atëherë imagjinoni se sa shumë pika të dobëta mund t’u gjenden qeverive të Ballkanit duke pasur parasysh nivelin e demokracisë dhe zhvillimit të ultë ekonomik që ka ky rajon.

Fundja, cili vend në Ballkan ka dhënë shenja që është duke luftuar seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar? Në dokumentet strategjike të BE-së dhe raporte të shumta thuhet që korrupsioni dhe krimi i organizuar janë emërues i përbashkët i tërë Ballkanit. Por pavarësisht kësaj gjendjeje, BE disa shteteve u ka hapur dyert më shumë e disave më pak, kursa Kosovën e ka izoluar tërësisht. A nuk janë pikërisht forcat populliste brenda BE-së të kombinuara me ca mos-durime të disa shteteve të BE-së ndaj disa segmenteve në Kosovë, ato që po mbajnë të izoluar Kosovën gjenociduar nga Serbia? A është kjo e drejtë kur dihet fakti që të gjitha forcat politike të Kosovës, me të gjitha të mirat dhe të këqijat, që prej vitit 1999 e deri në vitin 2019 kanë bashkëpunuar pa asnjë rezervë me BE-në?

Nëse BE thotë që këto forca politike në Kosovë dhe rajon janë korruptuara, atëherë pse bashkëpunoi me to për 20 vjet me radhë? A mos e detyroi dikush? Sigurisht që korrupsioni dhe krimi organizuar gërryejnë Kosovën dhe rajonin nga brenda, por a është kjo arsye që të mos rritet intensiteti i bashkëpunimit dhe investimit në një rajon, i cili gjatë viteve të 90-ta futi në luftë shtetet më të fuqishme të BE-së dhe NATO-s për ta sulmuar Serbinë, dhe për më tepër në një rajon që është duke rrëshqitur drejt investimeve të Kinës, Turqisë dhe Vendeve të Golfit. Roli destabilizues i Serbisë dhe Rusisë shkojnë përtej luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe kjo po dëshmohet çdo ditë e më shumë.

Mbi këtë bazë, a do t’i konvenonte Rusisë paqëtimi afatgjatë i Ballkanit dhe BE-së? Natyrisht që jo, sepse nëse zgjidhet problemi i Kosovës me Serbinë, Kosova në një të ardhme jo të largët do të anëtarësohej në NATO dhe kjo pastaj do t’ia komplikonte punët edhe më shumë Rusisë, edhe për faktin se Serbia nga presioni i vendeve fqinje të Ballkanit, të cilat nëse do të bëheshin të gjitha anëtare të NATO-s dhe me gjasë të BE-së, do të detyrohej të kthehej tërësisht kah BE.

Kthimi i Serbisë plotësisht drejt BE-së do të varroste planet hibride ruse për mbjellje të përçarjes dhe kaosit për aq sa munden dhe kanë hapësirë, në mënyrë që BE të mos unifikohet kurrë. A nuk ishin amerikanët, ata që shpëtuan Mal të Zi e nga puçi i bashkërenduar mes Serbisë dhe Rusisë, a nuk ishin amerikanët që neutralizuan Rusinë në  destabilizimin e Maqedoninë e Veriut për ta penguar që të mos anëtarësohej në NATO?

Po të mos ishte e cenueshme siguria në Ballkan, atëherë pse anëtarësimi në NATO i parapriu anëtarësimit në BE, e nuk u bë e kundërta? Rastet më të fundit janë Bullgaria, Rumania, Sllovenia dhe Kroacia, të cilat së pari u bënë anëtare të NATO-s e më pas të BE-së. Nëse zgjerimi i NATO-s drejt Evropës Lindore dhe Juglindore ishte strategji e Kryetarëve të kaluar të SHBA-së, a nuk vazhdoi kjo edhe me Kryetarin Trump? E nëse vazhdoi edhe me Kryetarin Trump a e bën kjo atë pro-rus apo pro-amerikan? (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera