Lajme

38 mijë € në bankë, 30 mijë tjera i jep hua- çka deklaroi Prokurori Special Paca që ka veç 33 mijë € pagë vjetore

Autori: Gazeta inFokus 17:47 | 08 May 2025

Që nga vitit 2020 është Prokuror Special, pasi me një dokument të nënshkruar nga personazhi i “Pronto-s”, Bahri Hyseni u avancua nga Departamenti i Përgjithshëm. Paga e tij sillej nga 31 mijë € në vit, e tash është 33 mijë. Dhe, në këtë periudhë Prokurori Special, Dren Paca ka arritur që të deponoi si kursime në bankë 38 mijë euro. Po ashtu, nga viti i kaluar thotë se ia ka dhënë edhe 30 mijë euro hua dikujt, që nuk tregon në publik se kujt ia dha. Nuk ka dhënë përgjigje as në pyetjet që ia ka dërguar Insajderi.

Nga Prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prishtinë, që rëndom është pozita më e ulët kur një jurist hyn në sistemin prokurorial, Dren Paca, i biri i ish-Profesorit të Statistikës në Juridik, Agim Paca, ishte ngjitur shpejt në karrierë.

Me një vendim të nënshkruar nga njëri nga personazhet më emblematike të ‘Dosjës së Shefave’, një seri publikimesh nga Insajderi, Bahri Hyseni, ai u tha se përkohësisht po transferohet në Prokuror Special, që është njëra nga pozitat gati më të lartat në po të njëjtin sistem. Më lartë se kaq është vetëm Kryeprokuror i Speciales, ose Kryeprokuror në ndonjë Prokurori Themelore. Edhe Kryeprokuror Shteti.

-Advertisement-

Për ngritjen e dyshimtë të tij, Gazeta Insajderi, javë më parë ka publikuar një profil të Prokurorit Dren Paca.

I njëjti për pesë vite tashmë e ka të publikuar deklarimin e pasurisë.

Në deklarimin e fundit, atë të ofruar qasje për publikun e gjerë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Prokurori Dren Paca ka deklaruar se në bankë, të ruajtura si kursime i ka hiç më pak se sa 38 mijë euro ( më saktë: 38,081.19 euro).

“Pagat, meditje, kompenzim nga kompania e sigurimit, kursime”, është shpjegimi për këtë shumë, ku edhe thotë se janë “të deklaruesit”, në këtë rast të Prokurorit Paca.

Ai që nga viti 2020, kur bëhet Prokuror Special, ka pasur një pagë vjetore prej 31 mijë eurosh, dhe me ca ngritje, tash merr një pagë vjetore prej 33 mijë eurosh.

Pavarësisht kësaj, ai ka deklaruar në vitin 2024, dhe tash në vitin 2025, se i ka dhënë dikujt edhe 30 mijë euro të tjera hua. “Huadhënje nga ana ime”, thuhet në përshkrim, por nuk e ka bërë të ditur emrin e personit që ia ka dhënë këtë shumë.

Gazeta Insajderi tash e dy javë ka dërguar pyetje tek ky prokuror, për të marr sqarime se si arriti që me pagën vjetore prej 33 mijë eurosh në vit, dhe pagën e bashkëshortës prej 6875 eurosh në vit si punonjëse e Ministrisë së Brendshme, ka arritur që të kursente 68 mijë euro (30 mijë euro huadhënie nga ana e tij, 38 mijë të ruajtura në bankë).

Deri tash Gazeta Insajderi nuk ka marrë një përgjigje nga Paca.

Ai tutje ka deklaruar se po ashtu për një banesë në Shqipëri që e kanë blerë bashkë me bashkëshorten, ka edhe një borxh prej mbi 11 mijë eurosh. Ka kohë që ta paguaj deri në shtator të vitit 2026, pasi që kjo banesë prej 65 metrash katrorë. I ka kushtuar krejt 26 mijë euro, diku 400 euro metri katrorë. Banesa gjendet në Shenkoll- Lezhë.

Në vitin 2020 ai kishte deklaruar se jeton në njërën nga banesat që i kishte deklaruar si të përbashkëta, dhe ato ishin tri: një banesë e ndarë nga BVI “krahinore për punësim Prishtine” e vitit 1985 , dhe dy të tjera të blera me kursimet e prindërve, një në vitin 2001 e një më 2006 nga 75 metra katrorë , por që të dyja i vlerësonte atëherë nga 100 mijë euro secilën.

Dren Paca, pos Prokuror Special, është edhe trajner në Akademinë e Drejtësisë.

Dren Paca ishte punësuar në BKS në vitin 2012, institucion ky i njohur për punësimin e familjarëve të njerëzve me ndikim në institucione të drejtësisë e institucione të tjera publike.

I pyetur nga Insajderi, Prokurori Special Paca nuk ka treguar as se si ishte punësuar në Byronë e Sigurimeve, përmes konkursit apo ndonjë formë tjetër.

Sipas burimeve të Insajderit, Paca në BKS ka fillimisht kishte trajtuar dëme. Pastaj do të avancohej në detyrë duke e përfaqësuar Byronë në Gjyq, kur ishte si palë e paditur.

Ndër vite nga 1012-ta, deri më 2016, ai kishte arritur që të ngritje edhe në një pozitë menaxheriale, ku u bë Drejtor i Zyrës Juridike.

Në vitin 2016 ai aplikoi në konkursin për prokurorë, dhe dokumentet që i duheshin për këtë konkurs nga vendi i tij i punës, pjesa e integritetit, ia nënshkroi ish-Drejtori Ekzekutiv në BKS, Faton Abazhi.

Nga 1 dhjetori i vitit 2016, Dren Paca, i biri i profesorit Agim Paca, bëhet prokuror. Fillimisht vendi i punës, ishte në nivelin krejt fillestar, Prokuror në Departamentin e Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Muaj më parë Gazeta Insajderi pati publikuar hulumtimin “Shteti bën raport për ish avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta me vlera të mëdha të pronave”.

Në këtë hulumtim, pos raportit që nga Policia e Kosovës, më informacione të Njësisë së Inteligjencës Financiare (NjIF) u deponua në Prokurori e ku personazh kryesor ishte avokati Venhar Hana, Insajderi kishte përmendur e argumentuar edhe me fotografi miqësinë që Hana kishte me Prokurorin Special Dren Paca.

Ky i fundit, edhe pse ishte kontaktuar me kohë dhe madje i ishte dhënë hapësirë versionit të tij në publikimin e Insajderit, megjithatë vendosi që të niste një rast kundër gazetës në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

Ishte ankuar për shkelje të Kodit të Etikës.

Megjithatë, KMSHK-ja nuk gjeti se në këtë raportim ka pasur shkelje.

“Ankesa e Dren Pacës kundër Insajderi.org për shkrimin “Shteti bën raport për ish avokatin e Byrosë, transaksione të dyshimta me vlera të mëdha të pronave” është hedhur poshtë, pasi që KMShK nuk ka gjetur prova se media ka shkelur kodin e etikës, përkatësisht Kapitullin II që ka të bëjë me raportimin e të vërtetës”, thuhet në komunikatën e KMSHK-së.

Një media nga Republika e Shqipërisë në vitin 2023 kishte ngritur dyshime që Prokurori Special, sipas tyre, shoqërohej me njerëz të botës së krimit.

Artikulli kishte të bënte me toka 3 hektarëshe në Veternik në vlerë prej miliona eurove, ku sipas mediumit, brenda 9 muajsh “përmes një dokumenti të falsifikuar doli në emër të një grupi qytetarësh me pozita të fora në gjyqësi, prokurori dhe institucione tjera shtetërore, ndërkohë pronarët realë prej vitesh po rropateshin ta kthenin pronën në emër të tyre.

Mediumi kishte nxjerr në publik një fotografi me personazhe të personave, që ata pretendonin që janë të përfshirë, dhe në mesin e tyre si mik i grupit ishte edhe Prokurori Special, Dren Paca.

Në vitin 2022 ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, derisa ishte në proces gjyqësor me një aktakuzë të ngritur nga Dren Paca pati kërkuar përjashtimin e tij me arsyetimin se bashkëshorti i saj njihet me babain e tij, Agim Paca dhe se ky prokuror këtë fakt e ka fshehur.

“Kur e kam pyetur bashkëshortin tim, ai me ka njoftuar se nuk e njeh gjyqtarin e çështjes, mirëpo e njeh, pra ka lidhje shoqërore dhe e njeh babain e prokurorit Dren Paca, z.Agim Paca, i cili ka qene i angazhuar si profesor ne Kolegjin ESLG ku bashkëshorti ka qenë pronar në vitin akademik 2012-2013 dhe duke shtuar pra këtë fakt ky prokuror i rastit ka fshehur këtë fakt”, pati thënë Hoxha.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home nis epokën e franshizës në Belgjikë
-Advertisement-

Të tjera