Fokus

31 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, si raportoi Rilindja

Autori: Gazeta inFokus 10:10 | 02 July 2021

Janë bërë 31 vjet që kur 111 delegatë miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur si Deklarata e 2 Korrikut.

Kosova në këtë datë u shpall njësi e veçantë në kuadër të ish-Jugosllavisë, shkruan Gazeta Infokus.

E kjo i hapi rrugë Referendumit për pavarësi të vitit 1991 ku u votua për shtet të pavarur të Kosovës.

-Advertisement-

Në këtë kohë Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e flotoreporterësh.

Por çka shkroi gazeta Rilindja për Deklaratën e 2 Korrrikut, në një kohë tejet të vështirë e nën masa të rrepta okupimi?

“Kosova u shpall subjekt i pavarur dhe i barabartë në Jugosllavi”, u shkrua të martën e 3 korrikut 1990, në kryetitullin e gazetës që mbajti gjallë informimin e opinionit brenda e jashtë Kosovës, shoqëruar me një fotografi që pasqyronte aktin e votimit të delegatëve jashtë sallës së kuvendit të atëhershëm krahinor.

Kurse në të djathtën e ballinës së gazetës ishte një shkrim tjetër me titull “Fillimi i së nesërmës”.

Akti atëherë nuk u njoh ndërkombëtarësht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Tek redaksionali me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, u theksua qartë se “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Pas pak më shumë se një muaji, në 7 Gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, shkruan Gazeta Infokus.

Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur ishte shkruar me makinë shkrimi, e tani ruhet në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të fundshtatorit 1991, shënuan kthesën historike për Kosovën duke sensibilizuar opinion ndërkombëtarë për represionin serb. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera