Lajme

300 euro gjobë pasi pranoi se ia mori ish-bashkëshortes veturën të cilën ia kishte dhuruar vetë

Autori: Gazeta inFokus 11:22 | 27 August 2021

Gjilan – Gëzim Uka është dënuar me 300 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjilan, pasi pranoi se në mënyrë tinëzare mori nga ish-bashkëshortja veturën të cilën ia kishte dhuruar gjatë bashkëjetesës.

Aktgjykimi u shpall të premten nga gjykatësja Snezhana Mijalloviq, pasi Uka pranoi fajësinë në shqyrtimin fillestar që u mbajt paraprakisht, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, i akuzuari u deklarua fajtor dhe tha se nuk e ka ditur se veprimet që kishte bërë ishin të kundërligjshme.Pranimin e fajësisë e ka mbështetur mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Musa dhe prokurorja Jetishi, e që më pas e aprovoi edhe gjykatësja Mijalloviq.

-Advertisement-

Ndryshe, në aktin akuzues të Prokurorisë Themelore në Gjilan thuhet se Gëzim Uka, më 18 gusht 2021, me qëllim të ushtrimit në mënyrë arbitrare të një të drejte që mendon që i takon, merr vet drejtësinë në duar, duke pretenduar që vetura “Golf VII” që ia kishte dhuruar ish-bashkëshortes gjatë bashkëjetesës i takon atij.

Në aktin akuzues thuhet se e dëmtuara e kishte marr veturën kur ishin ndarë, duke pretenduar që është në pronësi të saj. Por, aty thuhet se i akuzuari vazhdimisht kërkon nga e njëjta që t’ia kthejë veturën, por ajo i thotë se çështjen do ta zgjidhnin në gjykatë.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, i akuzuari duke dashur ta marrë vetë drejtësinë në duar, në mënyrë tinëzare hyn në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarës dhe më çelësin e tij rezervë e merr veturën dhe largohet në Fushë Kosovë.

Për këtë ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vetëgjyqësia” nga neni 410, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, e cila vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite

Të tjera