Opinione

(3) Këndo Kosovë! Mos këndo! – “Pse” të shumta

Autori: Gazeta inFokus 01:06 | 31 March 2020

Shkruan: Agron HOTI
1. Pse SHBA-të promovuan liritë, të drejtat e njeriut dhe demokracinë në glob? – Nuk do shumë koment që njëra ndër epërsitë që solli triumfin e SHBA-së përballë Bashkimit Sovjetik gjatë luftës së ftohtë ishte promovimi në shkallë globale i lirive, të drejtave të njeriut dhe demokracisë. SHBA-të gjatë tërë luftës së ftohtë u bënë modeli i demokracisë në glob dhe duke qenë të tilla ia dolën që të përshpejtojnë rënien e regjimeve diktatoriale dhe autoritare në Amerikë Latine, Evropë Lindore, Jugore e Juglindore, Afrikë dhe Azi dhe lindjen e atyre demokratike dhe prosperuese.

Krahas demokracisë në glob triumfoi dhe fryma liberale në glob ku bota përjetoi rrjetëzimin më të madh përmes rritjes së organizatave dhe mekanizmave ndërkombëtarë si asnjëherë më parë, globalizimit, zgjerimit të BE-së, rritjes së shkëmbimeve tregtare, trendualizimin e themelimit të Zonave të Tregtisë së Lirë anembanë globit, etj.

Mbi këtë frymë të fitores së madhe të demokracisë dhe liberalizmit në glob u shkapërderdh Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Jugosllavia dhe ranë shumë regjime tjera. E meqë Jugosllavia ra, a nuk ishte politika e SHBA-së ajo që triumfoi në këtë mes karshi BE-së që nuk përkrahte përzierjet dhe ndërhyrjet nga jashtë në punët e brendshme të Jugosllavisë e cila po terrizonte shqiptarët?

-Advertisement-

A nuk i hapi rrugë ndërkombëtarizimit, çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës pikërisht kjo shkapërderdhje e Jugosllavisë, e mbështetur nga SHBA? Jo rastësisht pati lindur kënga “mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” që ishte postulat i frymëzimit për liri për tërë atë gjeneratë shqiptarësh në Jugosllavi që përjetoi terrorin serb. Dhe ashtu ndodhi, kënga u bë realitet, u shkatërrua Jugosllavia, humbi Serbia dhe fitoi Kosova.

2. Pse Strategjia Kombëtare e Sigurisë së SHBA-së? – Nëse i lëshojmë një sy këtij dokumenti kyç (të nënshkruar nga Kryetari Trump) shohim se ky dokument parasheh qartë se “Rusia synon dobësimin e ndikimit të SHBA-së në botë dhe përçarjen e SHBA-së me aleatët dhe partnerët e saj. Rusia e sheh NATO-n dhe BE-në si kërcënime. Rusia është duke investuar në kapacitete të reja ushtarake, përfshirë sistemet nukleare që mbeten kërcënimi më i madh për SHBA-të dhe destabilizimin e kapaciteteve kibernetike”.

Më tej, kjo Strategji e Sigurisë së SHBA-së, përkrah Rusisë rreshton dhe Kinën, si sfiduese të SHBA-së, duke thënë që “Kina dhe Rusia sfidojnë fuqinë e SHBA-së, ndikimin dhe interesat, përpiqen ta gërryejnë sigurinë dhe prosperitetin amerikan. Ato janë të vendosura që të bëjnë ekonomitë më pak të lira dhe më pak fer, të rrisin ushtritë e tyre, të kontrollojnë informatat dhe të dhënat për të shtypur shoqëritë e tyre dhe për të zgjeruar ndikimin e tyre”. Nëse Strategjia do të tregonte shenja zbutjeje të SHBA-së karshi Rusisë, atëherë dyshimi kosovar se Trump përkrah Rusinë do të ishte i bazuar.

Por, Strategjia e Sigurisë bën pikërisht të kundërtën dhe është në linjë me politikat e SHBA-së karshi Rusisë qysh prej përfundimit të luftës së ftohtë. Pra, nëse projeksionet e SHBA-së, të drejtuara nga Kryetari Trump, shteti Superfuqi i të cilit ka makinerinë më të fortë administrative dhe arsenalin më të fortë ushtarak në glob, e shohin Rusinë si sfiduese, pse ne kosovarët duhet të shqetësohemi për përafrim të SHBA-së, përkatësisht Kryetarit Trump me Rusinë, kur një gjë e tillë në fakt as që është duke ndodhur?

3. Pse rritja e shpenzimeve të NATO-s? – Në një mjedis global gjithnjë e më të polarizuar, SHBA apo Kryetari Trump kanë kërkuar nga Shtetet anëtare të NATO-s që të rrisin shpenzimet ushtarake nga 2% në 4% të GDP-së. Sipas të dhënave të NATO-s vetëm 5 vende deri me tani kanë tejkaluar 2%: SHBA 3.6%, Greqia 3.6%, Estonia 2.14%, Mbretëria e Bashkuar 2.10%, dhe Polonia on 2%. Franca shpenzon 1.8% dhe Gjermania 1.2%. Nëse SHBA-të e shohin Rusinë si njërin ndër kërcënuesit kryesor në glob bashkë me Kinën dhe nëse u kërkon aleatëve të ngrisin shpenzimet ushtarake për të rritur sigurinë kolektive të NATO-s dhe BE-së, atëherë si mund të shihet kjo si përafrim i SHBA-së apo Kryetarit Trump me Rusinë?

Nëse vendet e BE-së rrisin shpenzimet ushtarake karshi një Rusie, e cila BE-në e sheh si kërcënim, pse kjo do të duhej të ishte e dëmshme për ekonomitë e BE-së, zhvillimi i të cilave u bë i mundur vetëm falë ndihmës së Planit Marshall dhe mbrojtjes kolektive të SHBA-së pas Luftës së Dytë Botërore? Nëse BE forcohet ushtarakisht, a nuk do të ishte kjo në linjë me projeksionet e BE-së për krijimin e forcave të përbashkëta ushtarake të BE-së dhe në linjë me projeksionet e SHBA-së për fuqizim të mëtejmë të perëndimit dhe vlerave perëndimore?

Në fakt BE qysh prej vitit 1950 e deri më sot orvatet të krijojë politika të përbashkëta të sigurisë, por dallimet e mëdha mes tyre vazhdimisht e kanë pamundësuar një gjë të tillë. E meqë BE pas Brexi-it ndihet më e cenueshme nga akterë jo-evropianë, atëherë me të drejtë ka filluar diskutimet intensive, sidomos Gjermania dhe Franca, për krijimin e një ombrelleje të përbashkët të sigurisë për BE-në.

Pra, nëse BE punon për krijimin e një ombrelleje të përbashkët të sigurisë, a është kjo në linjë me politika e Kryetarit Trump, i cili po kërkon rritjen e shpenzimeve ushtarake për anëtaret e NATO-s, apo me Rusinë, e cila përmes Strategjisë së Putinit për kaos vazhdimisht mundohet ta përçajë. Një BE e fortë ushtarakisht a është në linjë apo në kundërshtim me Rusinë, kur kjo e fundit BE-në e sheh si kërcënim?

Fundja, kush garanton sigurinë për kë? A është SHBA ajo që garanton sigurinë kolektive të BE-së apo e kundërta? E nëse SHBA-të garantojnë sigurinë e BE-së, a bën këtë SHBA në të mirë apo në të keq të Rusisë? E nëse e bëjnë kundër Rusisë, a na qenka atëherë Kryetari Trump pro-rus apo amerikan i vërtetë?

4. Pse ushtri e sanksione kundër Rusisë? – Pse SHBA-të bashkë me NATO-n kishin dërguar në vitin 2016 trupa ushtarake në Vendet Baltike si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Rusisë në Ukrainën Lindore dhe aneksimin e Krimesë në 2014 dhe invazionit rus mbi Gjeorgjinë e Kaukazit në vitin 2008? Për ta forcuar apo zmbrapsur Rusinë? Trupat e NATO-s në vendet baltike ishin kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar, Kanada, SHBA, Gjermania, Danimarka dhe Franca.

Pra, a nuk ishte kjo njëra ndër përgjigjet e SHBA-së kundër Rusisë duke ngritur sanksione kundër saj që nga viti 2014 dhe duke përdorur mjete diplomatike. A nuk është kjo përgjigje e SHBA-së kundër luftës hibride të Rusisë, e cila tenton që së pari të destabilizojë një vend apo qeveri para se të angazhohet me trupa të parregullta apo konvencionale siç bëri në Ukrainë? SHBA-të po ashtu këtë vit vendosën sanksione të ashpra ekonomike kundër Rosneft Trading, gjiganti rus të naftës, që po mbështet Kryetarin e Venezuelës, Nicola Maduro. Po të kishte treguar Kryetari Trump afërsi ndaj Rusisë, atëherë pse nuk tregoi afërsi edhe ndaj bashkëpunëtorëve të Rusisë siç janë Kuba, Venezuela, Irani, Kina, etj. apo akterëve tjerë që nuk kanë qëndrim miqësor ndaj SHBA-së?

Po të tregonte Trump përafrim me Rusinë atëherë pse nuk po i shfuqizon por përkundrazi po i forcon sanksionet kundër saj në Pellgun e Detit të Zi. Me një fjalë, nëse tërë kjo ofensivë e SHBA-së kundër Rusisë është sot politikë e qëndrueshme amerikane siç ishte dje, atëherë a e bën kjo Kryetarin Trump pro-rus apo amerikan të vërtetë? (Vijon)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera